Patozi: Nuk ka burrë apo grua që PD i ka mbetur borxh. Koalicioni me LSI-në, solid
Në një kohë kur në Partinë Socialiste po përforcohet ideja për domosdoshmërinë e një koalicioni me LSI-në, me qëllim fitoren e zgjedhjeve në vitin 2013, Partia Demokratike në anën tjetër duket se nuk po druhet aspak. Nënkryetari i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaron në një intervistë për gazetën Mapo se nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim aleancën parazgjedhore me këtë forcë politike. Edhe pse herët për të folur me emra konkretë, Patozi shprehet se portat janë të hapura për këdo forcë politike tjetër, që pranon filozofinë aktuale të qeverisjes. Patozi e ka një përgjigje edhe për Bamir Topin, i cili ka paralajmëruar krijimin e një force të re politike e po aq edhe për mesazhin e dërguar prej mbështetësit të tij Gazmend Oketa, se Topi duhet ftuar në PD sa kohë që në bazë të statutit, ai është apriori anëtar i Këshillit Kombëtar: Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund tu ketë mbetur borxh në këto 20 vjet. E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë. Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në. Madje, për fat të keq, tek disa personazhe, barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik.