E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shtyn zgjedhjen e kryesisë, i lindin dyshime të reja për spastrime

20-11-2011 / Gazeta 55

Edvini u surprizua pak dje kur pikasi në mbledhjen e asamblesë, 10 - 15 prej anëtarëve, si elementë të padëshiruar. Pas spastrimeve në kongresin e 5 nëntorit dhe futjen në karantinë të Fatmir Xhafës, dyshime të reja për armiq të rinj i kanë lindur kryetarit, prandaj edhe ai ka urdhëruar shtyrjen deri në një afat të pacaktuar të përzgjedhjes së kryesisë së re. Të vjetrit version “Ruçi” ende dridhen, ndërkohë që Erion Braçe mallkon facebook-un


Edi Rama është betuar të thyejë çdo rekord negativ, në krye të Partisë Socialiste. Mbijetesa e tij 5 vjeçare në krye të partisë më të madhe të së majtës, ka qenë gjithmonë një betejë për mbijetesë, pasi për asnjë moment (flasim këtu për testimet elektorale) jo vetëm që s’ka qenë bindës, por përkundrazi ka rikthyer praktikat staliniste në PS (më parë i ushtronte PPSH), madje edhe duke pretenduar demonstrata masive kundër pushtetit dhe qeverisë, thjeshtë e vetëm se ai s’fiton dot në përballjet elektorale demokratike. Dje u përsërit i njëjti skenar si pas çdo procesi zgjedhor, kur PS e detyruar nga shkaqet e brendshme të humbjes, është detyruar të shkojë në reformim të strukturave drejtuese, por kurrë kjo fushatë rutinore s’ka prekur nivelin e saj më të lartë, Kryetarin Edi Rama. Ai thërriti në një mbledhje emergjente asamblenë e re, të dalë nga vota e Kongresit 3 javë më parë, ku u shpalos hapur deformimi i votës së delegatëve, edhe pse zgjedhja e tyre ishte një proces kryekëput i manipuluar në të gjithë bazën socialiste në rrethe.


Megjithatë, mbledhja e Asamblesë së re vjen jo vetëm në kohë vonesë të theksuar, por atëherë kur Edi Rama ia ka dalë të diktojë deri në fund çdo anëtar që fitoi të drejtën e përfaqësimit në forumin e lartë vendimmarrës. S’është thënë kot se lista e anëtarëve të asamblesë u hartua nga dora e Ramës në zyrën e tij, pranë selisë rozë. Pra, vota e atyre delegatëve të manipuluar që erdhën në Tiranë të shtunën e 5 nëntorit, nën mandatin e “pagatorëve të votës së Kongresit”, s’është pasqyrim i vërtetë i bindjeve politike të bazës socialiste, të cilët prej 5 vitesh ndodhen në “mërgim” politik, prej politikës së mbrapshtë të Edi Ramës. Mendohej se anëtarëve të asamblesë do t’i imponohej si detyrë parësore, t’i bindeshin detyrave të Ramës, në mënyrë që ky i fundit të ketë sukses në angazhimin e afërt të tij, të spastrimit të disa emrave të lakuar në media, nga Kryesia dhe Sekretariati, dy organet më të larta të politikë bërjes së PS. Por, dje lindi surpriza. Edi Rama jo vetëm që s’guxoi të shpallte gjuetinë e shtrigave në dy prej strukturave kryesore vendimmarrëse, por tentoi të shkojë edhe më tej duke akuzuar herë pushtetin dhe herë ish vartësit e tij, për humbjen elektorale të disatë. As vetë ai s’e di se për çfarë dështimi zgjedhor flet, kur i ka kaluar të gjitha testet e votës dhe përsëri ka rezultuar humbës, madje më keq, dështak! Dalja në skenë krisja me Fatmir Xhafën, të cilin e zëvendësoi me Damian Gjiknurin; përplasjet verbale me Erjon Braçen (vendin e të cilit ia ka premtuar Erjon Veliajt dhe Fidel Yllit), edhe pse nënkryetari i grupit parlamentar,  mendohej si ushtari i fundit që mund të linte formacionin e establishmentit të ngërçit politik, por edhe lufta në distancë me elementë të tjerë si Gramoz Ruçi, Arta Dade, Valentina Leskaj, apo dhe Taulant Balla, të gjitha këto bënë që Edvini të rimendonte sulmin për reformimin e Kryesisë dhe Sekretariatit. E thënë më thjeshtë dhe pa komplekse, Edvinit i duhej kohë e mjaftueshme për të sistemuar katrahurën e ndezur në ngrehinën socialiste. Dhe për këtë, dje s’ishte momenti i duhur për të shpallur para anëtarëve të asamblesë ambicien politike për një Kryesi dhe Sekretariat të varur plotësisht prej tij dhe pa kurrfarë mundësie “zëri ndryshe”, siç ka ndodhur deri më sot, edhe pse ndoshta aksidentalisht. Në mbledhjen e djeshme, Rama tha se partia duhet të organizohet për të fituar, por më parë do t’i nënshtrohet reformatimit të forumeve të saj. Këtë e tha pa pikë mëdyshje, por s’tentoi të provokonte të pranishmit në Asamble, të cilët me siguri janë më shumë se “Mendimi Ndryshe” i shpallur që prej 2 vitesh si paralele kundërshtare e Ramës. Nga frika e një lufte brenda llojit dhe ndezja e “gjakrave” të 5-6 apo 10 anëtarëve të asamblesë që kanosen të përndiqen dhe përjashtohen nga funksionet drejtuese në PS, Rama bëri tërheqjen e madhe, duke ndryshuar të gjithë kursin e tullumbaces së krizës që po tentonte të injektonte mes anëtarëve të asamblesë, një pjesë e të cilëve aktualisht vazhdojnë të aderojnë në Kryesi dhe Sekretariat. Dhe ato që kanë mbetur pa u prekur janë pikërisht Kryesia, Sekretariati, Forumi i Gruas dhe FRESSH. Edhe pse këto dy të fundit prej 5-6 vitesh ruajnë fiktivitetin e mos veprimit politik. “Votat ne i kemi, por duhet të organizohemi për fitore, duke u organizuar me moral, dhe fitorja nuk do të jetë me iluzion se do të marrim gjysmën e votave të Saliut, sepse ne kemi votat tona”- u shpreh Rama në kronologjinë dy orëshe, duke lënë të nënkuptuar se e keqja i vjen prej të tijve dhe ndaj duhet nisur një fushatë spastrimi, me arsyetimin e rremë të mungesës së rezultateve dhe etiketimin e tyre si humbësa. Dhe paradoksi është i kuptueshëm, që në momentin kur krye-humbësi akuzon për humbësa vartësit e tij. E keqja po troket pas dere. Kryesia dhe Sekretariati do i nënshtrohen spastrimit në muajin dhjetor, duke larguar prej aty emrat e padëshiruar dhe që s’i binden politikës eunuke të Edvinit. Dje s’kishte guxim, dhe as tentoi të rrezikonte, për habinë e të gjithëve, krisja e kësaj radhe është permanente dhe thuajse e pashpresë për humbësin e socialistëve. 


L.Q

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›