E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: PD, fituese më 23 qershor, pavarësisht nga ndarja e mandateve

01-02-2013 / Gazeta 55

“Edi Rama sheh pas çdo procedure rutinë, një komplot kundër tij”


Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke akuzuar opozitën se po bllokon punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha dje në Kuvend se, “ne do t’i fitojmë zgjedhjet cilado qoftë ndarja e mandateve”. Gjatë debatit për shqyrtimin nga Kuvendi të projektvendimit për “ndarjen e mandateve”, Patozi tha se, “fakti që jemi në këtë pikë sot nuk është faji i ekspertëve dhe as i komisionerëve të KQZ-së, ndonëse dikush mund të thotë me të drejtë se këta të fundit e patën diçka në dorë dhe e dogjën shansin. Ky është një debat i pastër politik i Edi Ramës i cili sheh pas çdo procedure rutinë një komplot kundër tij dhe pas çdo kaçubeje një diversant, që i kërcënon ëndrrën për pushtet. Për 2 muaj me radhë PS, që nga Edi Rama e deri tek figuranti më periferik i saj, akuzuan PD-në se po kërkonte manipulimin e zgjedhjeve 7 muaj para se ato të mbaheshin. Kjo stuhi sulmesh kishte në themel të saj një projektvendim të KQZ-së, i cili parashikonte ndryshime të vogla të ndarjeve të mandateve në katër prej zonave zgjedhore”, tha Patozi. Sipas tij, ky projekt nuk u miratua kurrë se përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kryejnë detyrimin e tyre ligjor për shkak të urdhrit politik. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi sqaroi se vetë PS nuk e ankimoi asnjëherë çështjen në kolegj, duke i mbyllur rrugën çdo shqyrtimi tjetër dhe po sipas kodit zgjedhor çështja i kaloi parlamentit, i cili në çdo rast thotë fjalën e fundit. “Sot ne po akuzohemi si manipulator akoma edhe më të mëdhenj se atëherë se, nuk po pranojmë se pikërisht ai projekt i rrëzuar brutalisht nga përfaqësuesit e opozitës në KQZ të mos miratohet”, u shpreh Patozi. Ai shtoi se, “janë me dhjetëra deklarata të Edi Ramës dhe të tjerëve që kanë shoqëruar debatin e nxehtë për mandatet. Po të kishte një grimë morali në këtë mes sot do të ishte dita për një ndjesë të fortë, jo thjesht për burrat e Beratit apo Kukësit, por për çdo qytetar shqiptar se është fyerje për inteligjencën e tyre, ky është standardi i ulët i argumentit politik. Sot po na akuzojnë sërish ne pse nuk po e miratojmë projektin e rrëzuar nga ata vetë në KQZ mes polemikash të ashpra. Me cilën opozitë duhet të biem dakord ne, me atë të para dy muajve apo me këtë të sotmen, me atë që kërkoi komision hetimor për manipulimet e tmerrshme në Kukës, apo me atë që po thotë se duhet të miratojmë sot pikërisht atë projekt. Atë opozitë që u tha përfaqësuesve të vet në KQZ të shkelin ligjin dhe ta bllokojnë, apo kësaj tjetrës që po të njëjtëve persona u thotë ta marrin në shqyrtim të njëjtën çështje, kur është kapërcyer çdo afat. Tani thonë se parlamenti po merr kompetencat e KQZ-së sepse pikërisht ne këtë nuk po bëjmë që të marrim lapsin dhe të bëjmë pjesëtimet e shumëzimet, të cilat kodi i përcakton që janë detyrë e institucionit që merret me administrimin e zgjedhjeve. Ndaj ne nuk trajtojmë një projektvendim që për shkak të aritmetikës së dobët të Ramës u rrëzua në KQZ kundër vullnetit tonë. Ndaj ne sot jemi të detyruar të kthehemi pak prapa në kohë e të marrim në shqyrtim vendimin e fundit të ndarjes së mandateve që KQZ ka miratuar sipas ligjit, tha ai, duke deklaruar se, ne nuk jemi të interesuar për mënyrën e ndarjes së mandateve se nuk e bazojmë suksesin tonë në zgjedhje te harta elektorale, por jemi të motivuar për zbatimin e ligjit dhe zhbllokimin e procesit sa herë që dikush e fut në kolaps”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›