Këtu mbillen trëndafila, këtu mbillet dashuri
Nga Bledi Mane
1./1997-2013
Pas pesë orë udhëtimi, vetura rrangallë më ndaloi në qendër të qytetit. Nën zhegun e një dielli të tromaksur kundroja me vëmendje atë pjesëz qyteti që e boshatisur nga njerzit ia kthente mbrapsht të nxehtin qiellit. Godinat e rrjepura me dritare hapur mbanin kryet poshtë duke të të imponuar edhe ty kërrusjen e fundqershorit që sa vinte dhe acarrohej jo vetëm me veten. Kisha udhëtuar nga Londra për në Tiranë e më pas në Përmet me misionin aventuresk të rradhës. Miqtë e mi në Tiranë më kishin bërë adetet zyrtare të regjistrimit ndërsa posterat e fushatës 3 javë më parë ishin ngjitur fshehurazi nëpër mjediset publike. Po kandidoja si deputet i pavarur në zonën elektorale 89 të rrethit të Përmetit dhe arsyeja pse po e bëja këtë gomarllëk ishte jo karigia e deputetit që smund ta fitoja kurrë por thjesht urgjenca për tu qëndruar afër krismave,njerzve dhe qytetit tim. Qysh nga marsi e deri sa unë shkela në Përmet, ky i fundit ishte gjakosur e djegur jo nga banorët e tij por nisi me paramilitarët qeverisës e vazhdonte me maskat hajdute ordinere të zbritura fshehurazi nga komshinjtë aty rrotull. Qershori i 1997-s më kishte plagosur qytetin dhe dhimbja e tij më acaronte. Nuk e kisha parë kurrë të dergjej i vetmuar dhe i izoluar mes paraditeve të nxehta ku dëgjohej kuja për të vdekurit dhe pasditeve ose netëve kur kallashnikovët & mitralozët ua kishin mbyllur gojën edhe Laver Bariut edhe Mentor Xhemalit.
Qyeteti diç kërkonte por goja memece ia thante tingullin pa çelur buzët. Unë ia njihja qysh nga fëmijëria ime disa huqe dhe isha i sigurtë që disa nga zakonet e vjetra vetë Përmeti nuk i vyshktte kollaj.
-Këngë, do këngë dhe muzikë kjo tokë që po digjet!-i thosha vetes çdo mëngjes kur dëgjoja bilancet e vjedhjeve dhe vrasjeve të një dite më parë. Mblodha kaseta e cd, pagova modestisht aparaturat e një fonie, hapa dyert e shtëpisë së kulturës në qendër të qytetit dhe që nga ballkoni i saj vërshova muzikë gjithfarësh. Çmenduria ime përzjerë me kërcënime të lehta nuk u tut dhe duket se edhe qytetarët pas pak ditësh më përkrahën. Të paktën kujet dhe breshëritë u rralluan e Përmeti nuk fekste aq gri atë qershor të nëmur kur njerzia shkonte të votonte me pisqollë brezit. Fushata ime elektorale ishin këngët dhe muzika për njerzit ndërsa votat dikush tjetër që si duheshin i përlau.
16 vjet më pas, poshtë ballkonit të shtëpisë së rrënuar të kulturës në qendër të qytetit nuk vërshon më muzikë. Mallkime, dhunë, kryqe, ikona, kamera, shqipe e përzjerë me greqishten, kambana që sharrohen i bëjnë karshillëk vapës mbytëse. Nuk është qershor zgjedhjesh por një gusht i qetë në dukje që ia përpinë namin si muaj pushimesh. Konflikti i rradhës për një vendim gjykate me kishës ortodokse nuk është paqësor si më parë. Zyrtarisht i përfshirë në këtë odise, jam drejtori i 7(shtatë) i kulturës së bashkisë Përmet që mbi vendimin e Gjykatës së Lartë kërkoj kthimin e objektit të shtëpisë së kulturës, pushtetit lokal në qytet. Pa tangërllëkun e provincës thjesht dua të shkruaj se ndjeshmëria e kësaj çështjeje instiktivisht më kishte detyruar tu sugjeroja eprorëve të mi takime dhe zgjidhje mes palëve. Natyrisht kisha dështuar dhe tek shikoja i ngrirë përleshjet mes gladiatorëve mes qytetit thjesht telefonoja kolegët e mi gazetarë anembanë Tiranës tu tregoja se Përmeti po zhbënte historinë.
Ndjehesha i braktisur edhe unë edhe institucioni që më kish pezulluar në detyrë. Tentoja të ndalja ndonjë të egërsuar por pa kuptuar armiqësoheshe brenda sekondës ose me kaurët e kishës ose me muslimanët e shtëpisë së kulturës. Veç gazit lotsjellës në ajrin e shtangur të gushtit po ndjehej edhe një ndasi fetare e cila për Përmetin dukej e tepërt, e shëmtuar, aspak organike dhe e pështirë.
-Këngë, do këngë dhe muzikë ky qytet-i thosha vetes por të kënduarit kësaj here vetëm karshillëk sfidues do përhapte. Pas tre ditësh kur kisha mësynte për barazimin e ndeshjes, Përmeti u pa të kërrusej duke iu frikësuar përçarjes përfundimtare. Lajmi nuk ishte më lokal.
Palët në konflikt rreshtuan miqtë e tyre dhe tregonin dhëmbët. Njëra me dhëmbë të krimbur kërcënonte se do kafshonte, tjetra me brekë të grisuara hapej bythësh si në kohët e arta. Pasi u lodhën me këto konflikte të dala boje më në fund palët hapën kufinjtë, doganat, gojën dhe u ulën. U ulën të flasin si ballkanas te kafja me shpresën se kësaj here nuk i kaluan caqet e nuk u bënë qesharakë. U ulën të zgjidhin konfliket bajate të një qyteti fisnik që donin ta merrnin peng e ta përçanin. Veten nuk e ndjej aspak pa faj dhe të përjashtuar por thjesht po kujtoj se dy vjet rresht u ngjira duke klithur:
-Ngrihuni mbi atë vendim gjykate dhe vendosni në konsensus mes palëve. Jeni dy institucione publike që nuk i shërbeni vetëm një kleriku apo një kryebashkiaku. Mos lini varre të hapura duke mbajtur kokëfortësisht njërën anë. Një ditë do të vdesë edhe Gilberto Jaçe edhe Janullatos. Lini pas paqe dhe harmoni. Mbyllni gojën të dyja palët dhe në atë vend të bekuar ndërtoni kishëzën e bukur siç ka qenë, ndërtoni edhe bibliotekën komunitare me emrin e vëllezërve Frashëri. Le të jenë në harmoni të dyja ndërtimet, njëra me fjalën e pahelmuar të zotit dhe tjetra me dijet e gjithanshme. U lodha 2 vjet dhe më në fund mezi ma dëgjuat lutjen. Ma dëgjoni edhe këtë dëshirën tjetër se përndryshe, përndryshe pas 2 vjetësh do e ndërtoj unë bashkë me qytetarët e dlirë të Përmetit!
2./Foto reportazh nga qyteti i Përmetit ku besimet fetare dhe kultura bashkëjetojnë në harmoni shekullore. Momentalisht qyteti ka një xhami, një teqe, dy kisha ortodokse, një kishë protestante, qendrën kulturore multifunksionale, kinemanë, stadiumin dhe pallatine sportit.

Teqeja bektashije e Përmetit

Kisha e Shën Premtes,