Patozi: Pakti i PS-së, si pseudo-kauza e kutive
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka deklaruar se paketa e propozuar nga PS-ja është si pseudo-kauza e kutisë që u përdor nga kreu i saj për dy vjet për të mos ardhur në parlament.
“Na thuhet se kemi përpara 10 pika e pas plotësimit të tyre vjen begatia për shqiptarët. Nuk dua tu përgjigjem atyre pikë për pikë se nuk e kemi detyrim ti përgjigjemi editorialeve të Ramës. I ashtuquajturi pakt i Ramës është si pseudokauza e kutisë që u përdor dy vjet për të mos ardhur në parlament. Javën e kaluar jo rastësisht grupi i PS u kthye tek marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin”, u shpreh Patozi.
Sipas tij opozita kërkon të shpërblehet me copa pushteti duke lënë mënjanë përgjegjësinë për vonesat në integrim. “Kuvendi është i detyruar të shqyrtojë çdo nismë që vjen sipas ligjit në fuqi. PS ka dorëzuar deri tani vetëm kërkesë për ndryshim në rregullore. Integrimi nuk është i mazhorancës e me të nuk mund të bëhen pazare”, theksoi Patozi.
Më tej Patozi theksoi se javën e kaluar opozita humbi një shans për të treguar se do të shlyejë detyrimet e veta duke lënë pas politikat revolucionare. “ Erdhëm pa shpresë të gjenim ndonjë shkëndijë të kursit të ri të Edi Ramës. Nuk besoj se ka më shqiptar që të shpresojë në përrallën e ndryshimit të sjelljes së PS-së pas shpalljes së 10 pikave të Edi Ramës. Sot kryejmë një formalitet e konsumojmë një mundësi për të zbatuar rekomandimet e KE-së. Rama e tha vet me gojë një javë më parë se nuk do të ketë asnjë hap përpara të PS-së për reformat”, u shprehmë tej Patozi.