E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Prisnim takimin PD-PS dhe jo Rama-Zogaj

TIRANE- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi në një intervistë të dhënë dje për emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në NEWS 24 theksoi se lideri i opozitës nuk po ndjek një kurs të ri politik, por po vazhdon rrugën e bllokimit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Z.Patozi, PD e nisi sezonin e ri parlamentar me një letër drejtuar PS, cili është thelbi, çfarë synoni përmes saj?
Ne duhej të kishim një përgjigje nga opozita. Nuk kemi as përgjigje formale dhe as direkte. Publiku nuk priste të shikonte një tryezë mes Ramës dhe Zogajt, por një tryezë mes PD-së dhe PS.
Ju keni pasur një përgjigje nga Rama për ligjet që kërkojnë 3/5, pra që PD-ja sipas tij duhet të tërheqë projektet që ka çuar në Parlament dhe të bëhen me konsensus
Më vjen mirë që ju e lexoni si përgjigje, që për mua është një gjë e hidhur për opozitën, por edhe për shpresat e shqiptarëve. Është njësoj si t’i veshësh një fustan me ngjyra të reja një plake të vjetër. Rama tha që opozita nuk është e gatshme që të miratojë ligje me shumicë të cilësuar që janë një ndër 12 çështjet, që ne duhet të zgjidhim si kusht nga BE-ja. Ai reflektoi se nuk është i gatshëm për zgjidhjen e të paktën të njërës prej tyre. Ai preu rrugën e bashkëpunimit. Ndërkohë që raportet e ndërkombëtarëve kërkojnë bashkëpunim. Ne kërkojmë nga opozita që për interesat e saj, të zgjedhësve të saj dhe të gjithë shqiptarëve, të kontribuojë për aspiratën e qytetarëve shqiptar në BE. Ne nuk kemi reshtur së kërkuari bashkëpunim. Por kursi i ri i Ramës po bllokon integrimin.
Opozita kërkon ndryshimin e rregullores...
Kërkesa për ndryshimin e rregullores është depozituar vetëm dje. Ne jemi të gatshëm për të shqyrtuar çdo kërkesë, por nuk jam njohur me përmbajtjen e saj. Jemi krejtësisht të hapur por nga ana tjetër presim një përgjigje nga ana e opozitës. Rama deklaroi se nuk do të ketë ligje të integrimit, duke e cilësuar si iniciativë rromaportoma ligjin për gjykatën administrative etj.
Atëherë çfarë i ofroni opozitës?
Ne kërkojmë bashkëpunimin e opozitës pasi nuk mund të përmbushim 12 pikat e vëna nga BE-ja brenda tre javëve, por një gjë mund të bëjmë: të fillojmë me këmbë të mbarë. Çfarë e pengon opozitën që të sjellë disa kandidatura për avokatin e popullit apo miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit.
Do ta votoni çdo lloj sistemi që kërkon opozita?
Ne i qëndrojmë premtimit që opozita të sjellë adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it dhe ne i miratojmë ato.
Si do arrihet konsensusi?
Unë dyshoj se me atë që tha një ditë më parë z.Rama e ka vendosur për mosbashkëpunim.
Si e konsideroni vrasjen e gjyqtarit Konomit?
Është një ngjarje shumë e rëndë. Për vete e kam denoncuar, jam përfaqësues i atij qarku, kam qenë dhe në varrim, por mendoj se nuk duhet të ngutemi për të dhënë përfundime. Mirë është që ngjarje të tilla të parandalohen. E rëndësishme është që ngjarja të zbardhet me shpejtësi dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.
Ka ardhur momenti për të bërë ndryshime në qeveri?
Kjo është një pyetje që bëhet sa herë që ndryshojnë stinët, ja bëhet tani që kanë filluar shirat dhe do bëhet dhe më pas. Kjo qeveri ka meritën e reformave. Sigurisht që nuk është një qeveri perfekte dhe se ka nevojë për ndryshime të shpeshta nuk i përjashtoj, por gjykoj se ato duhen të bëhen kur të gjykohen dhe jo sa herë lind nevoja. Kjo qeveri po punon mirë dhe nuk ka nevojë për bisturi, por i takon z.Berisha që të vendosë.
A është diskutuar edhe çështja e Presidentit të Republikës, të cilin e sulmoni?
Çështja e Presidentit nuk është problem i yni dhe nuk ka qenë nevoja që të diskutohet në forumet e partisë pasi kjo maxhorancë është në punë dhe nuk kemi luksin që të merremi me një axhendë pas një viti, apo me emrin e Presidentit, duke gjykuar se e kemi një president dhe jo të merremi me pasardhësin. Opozita e ka hedhur si mundësi dhe ju deklaroj këtu se ftesa e z.Rama është e pasinqertë. Ne e zgjodhën nënkryetarin e partisë me 84 vota, më pas Topi gjatë rrugës së mandatit bëri zgjedhjet e tij.
Do bëhet PD-ja me tre nënkryetarë?
Statuti mund të ndryshojë dhe atributin e ndryshimit të tij e ka kongresi i PD-së. Deri tani nuk është diskutuar një gjë e tillë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›