Fakultetet e Tiranës bëhen me Këshilla Etikë
Studentët apo pasuniversitarët që aktualisht ndjekin ciklet e formimit në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, në rast problemesh apo shqetësimesh mund të ankohen. Oazi ku mund të gjejnë një zgjidhje të mençur është pranë të “urtëve” të fakultetit. Para pak kohësh është miratuar rregullorja e Universitetit të Tiranës, e cila njeh si strukturë ankimimi dhe zgjidhjesh të problemeve me Këshillat Etikë, borde me specialistë që gjenden në çdo fakultet. Nga ana tjetër, pavarësisht moshës, apo metodikës së mësimit, edhe profesorët që aktualisht ndodhen dhe japin mësim që nga koha e komunizmit e deri sot, duhet të mësohen të sillen me etikë, duke respektuar auditorin, ashtu siç parashikohet edhe në rregullore.
Këshillat e EtikësKëshilli i Etikës funksionon bazuar në Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin dhe Rregulloren e UT, si dhe Kodin e Etikës të miratuar nga Senati Akademik. Kodi i Etikës përcakton mënyrën e marrjes së vendimeve, paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave, ekzekutimin e vendimeve dhe sanksionet përkatëse.
Përbërja, të drejtat, detyrat, organizimi dhe funksionimi i Këshillave të Etikës në fakultete janë të njëjta me ato të Këshillit të Etikës të UT-së me përjashtim të atyre që janë ekskluzive ose që nuk i përshtaten nivelit të fakultetit.
“Studenti duhet të respektojë Kodin e Etikës të UT-së dhe fakultetit/institutit, por edhe personeli akademik ka për detyrë të respektojë gjatë gjithë veprimtarisë së tij parimet e etikës qytetare, Kodin e Etikës, duke shfaqur një figurë të pajtueshme me veprimtarinë që zhvillohet në universitet”, thuhet në rregullore.
Sipas këtyre rregullave të vendosura dhe miratuara nga strukturat akademike, po ashtu edhe stafi ndihmësakademik duhet të kërkojë nga kolegët dhe studentët një frymë etiko-morale të tillë, që të jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ankimimi për provimet“Studenti ka të drejtë të ankohet për shkelje të rregullave të zhvillimit të provimit. Ankesa i paraqitet me shkrim përgjegjësit të departamentit brenda 24 orëve nga data e zhvillimit të provimit”. Sipas rregullores, përgjegjësi i departamentit, nëse verifikon shkelje të korrigjueshme, në bashkëpunim me komisionin e provimit, bëjnë korrigjimet e duhura.
#