Patozi: S`plotësojmë tekat e opozitës
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama se mazhoranca s`ka vullnet për të realizuar reformën zgjedhore.
Duke folur në seancën plenare, Patozi theksoi se mazhoranca e sheh deklaratën e Ramës si një rikthim në politikën e vjetër të bojkotit dhe marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin.
“Kur mazhoranca dhe opozita janë më bisedime ai bën deklarata provokuese që politika të rikthehet në konflikt e të bllokohen bisedimet”, theksoi Patozi.
Ai ka theksuar më tej se shqetësimi i Ramës për reformën zgjedhore është i parakohshëm dhe i nxitur nga një dëshirë e tij e brendshme. “Reforma zgjedhore të cilën zoti Rama u nxit ta shpallë të falimentuar ka nevojë për mbështetje të fortë politike. Kryetari i PS në vetë të parë por edhe figura të tjera të PS po përpiqen të minojnë bashkëpunimin duke dhënë mesazhin më të keq në grupet e punës për reformat. Tradita jonë ka qenë e tillë që në asnjë rast komisionet për reformën nuk janë ngutur e ka patur gjithnjë kohë shtesë të dhënë nga Kuvendi”, shtoi Patozi.
Ai ka shtuar gjithashtu se mazhoranca nuk do të plotësojë tekat e opozitës pasi sipas tij një proces konsensual nuk mund të bëhet nën diktatin e ndonjërës palë.“Nuk e tërheq dot zoti Rama mazhorancën zvarrë në hanet e tij politike” ka shtuar Patozi.