Patozi: Vlora do ta ndalojë modelin e shëmtuar “Rama-Kokëdhima”

“Vlora do ta ndalojë modelin Rama-Kokëdhima”. Kështu u shpreh nënkryetari i PD-së Astrit Patozi, njëherësh kreu i listës për kandidat për deputet në qarkun e Vlorës, gjatë mitingut mbrëmjen e djeshme. “Më 23 Qershor, Vlora nuk do të votojë vetëm për vete, por për të gjithë Shqipërinë, për të zmbrapsur modelin e shëmtuar Rama-Kokëdhima”, tha Patozi. “Vlonjatët e dinë mirë se Rama me mos votimin e ligjeve të statusit, nuk bllokoi vetëm integrimin në Europë, por bllokoi shtrimin e rrugëve, ndërtimin e bypass-it aq të rëndësishëm për këtë qytet, si dhe shumë vepra të tjera, shkolla, spitale, investime në të mirë të qytetarëve të Vlorës dhe te gjithë Shqipërisë”- theksoi Patozi. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi deklaroi se, Rama me kandidimin e Kokëdhimës në Vlorë, kërkon të pushtojë kryeqytetin e pavarësisë. “Ai ju premtoi rrugë, ju premtoi uljen e taksave për biznesin, ndërsa në Tiranë në 11 vite shkatërroi sheshin Skënderbej, nuk mbështeti biznesin, pasi ai punoi për Kokëdhimën, partnerin dhe ortakun e tij në grabitjen e Tiranës në 11 vite. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe në Vlorë, kërkon që biznesmenët e Vlorës të punojnë për Koçon, i cili nuk di të paguaj taksa” - tha Patozi. “Edi Rama Vlora nuk të lë të kalosh. Ne do t’i themi jo modelit Rama-Kokëdhima. Do i themi po zhvillimit të Vlorës, po vendeve të punës, do i themi po Vlorës”, theksoi ai.