Patriarku serb Irinej: Do të mbrojmë Kosovën
Patriarku i ri i kishës ortodokse Irinej është shprehur për mediat, se Kisha Ortodokse do të ndihmojë qeverinë për të mbrojtur çështjen e Kosovës. Ai do të inaugurohet më 25 prill në Patrikanën e Pejës në Kosovë, kur Irinej ka theksuar se "vëllezërit nga Kosova do ta kuptojnë se kjo nuk është provokim, por shkuarje në shtëpinë tonë të lashtë kishtare e cila është qendër e kishës sonë". "Fusha e Kosovës, toka e Kosovës është ujitur me gjakun martir serb. Dhe Kosmeti na takon neve, por nuk na pengon që ta ndajmë bashkëjetesën dhe fatin me popujt që jetojnë atje", deklaroi në një konferencë për mediat, patriarku Irinej. "Për momentin nuk ka përgatitje të veçantë. Kisha dhe Sinodi duhet të zgjidhin çështjet rreth shkuarjes në Pejë me kompetentët në Kosovë, por edhe me autoritetet tona. Shpresojmë që do të arrihet një marrëveshje që ky akt i shenjtë të kryhet si më së miri", u shpreh kreu i Kishës Serbe, për përgatijet që po bëhen me këtë rast.