E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pausini & Blunt, janë vërtet të dashuruar?

Tri ditë në Ibica për të xhiruar një video që do të çmendë fansat e të dy këngëtarëve. "Laura? Një yll i muzikës pop, e ndërthurur me një zë potent dhe pamje shumë sensuale", thotë ai. "Ka një shikim magnetik dhe është shumë seksi, por unë jam e fejuar", shprehet ajo, që për ta zhvilluar edhe më tej karrierën e saj ka planifikuar të këndojë me Eros Ramazzotti

"Dëshira për të kënduar me James më lindi një natë në Milano, ku kisha asistuar në spektaklin e tij për MTV-në. Pasi përfundoi koncerti, i shkova në dhomë dhe pa i rënë shumë rrotull, hyra drejt e në temë. E pyeta nëse kishte dëshirë të bënte një duet me mua. "Për mua nuk ka asnjë problem, por duhet të gjejmë një këngë që na përshtatet të dyve nga ana vokale", ishte përgjigjja e tij. "Kjo ide më ngacmoi jashtëzakonisht", tregon këngëtarja italiane, Laura Pausini. Pritja për të gjetur këngën e duhur nuk zgjati shumë, sepse Blunt shfrytëzoi menjëherë "burimet" e tij, dëgjoi këngën "Primavera in anticipo", prej ku ka marrë edhe titullin albumi i fundit i këngëtares italiane.
"Fatkeqësisht nuk u takuam në studion e regjistrimit. Ai i incizoi pjesët e veta në Paris, ndërsa unë në Itali. Ishin ditët e fundit që unë punoja me albumin tim, periudhë në të cilën dëshiroj të kem kontroll të plotë mbi gjithçka. Së bashku jemi lidhur përmes internetit. Gjithsesi, gjërat më vonë u rregulluan, pasi xhiruam së bashku videoklipin në Ibica".
Ishte një treditësh ku të dy këngëtarët planifikuan gjithçka deri në detaj, kujton Blunt, i cili para se të bëhej një yll i muzikës pop me 30 milionë kopje CD-sh të shitura në botë, ishte një zyrtar anglez në mision me NATO-n në Kosovë. "Ideja për të xhiruar klipin në Ibica, kishte si qëllim disa ditë pushime falas nga shtëpia diskografike. Ju betohem që ishte ideja e Lauras. Para se të bashkëpunonim më kishin folur shumë mirë për të si këngëtare. Tani që jemi njohur nga afër, mund të them se është një femër e jashtëzakonshme dhe tepër sensuale".
"Kam vënë re", thotë Pausini, "një fakt mjaft të rëndësishëm, që Blunt u pëlqen të gjithëve, si meshkujve, ashtu edhe femrave. Për veç kësaj ka edhe sy magnetikë, që të nxisin të kuptosh mendimin që qëndron brenda atij shikimi. Edhe nëse kam këtë mendim, ka një ‘por‘ pas gjithë kësaj: unë jam e fejuar".
Megjithatë këtë nuk mund ta pohojë Blunt, që të gjithë e njohin si një "koleksionist" modelesh dhe frekuentues i rregullt i diskove të Ibicas. "Që kur jam shpërngulur në këtë vend të mrekullueshëm, më njohin të gjithë, sidomos ata që frekuentojnë rregullisht jetën e natës". "Në një pikë jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri: atij nuk i shterojnë kurrë fuqitë. Pas dymbëdhjetë orësh xhirime, dëshironte të më çonte në disko për të kërcyer. Atëherë nuk ngurrova t‘i thosha: ‘Shiko James, unë mezi po pres çastin të ‘zhytem‘ në një vaskë me ujë të nxehtë dhe të çlodhem duke parë televizor‘. Fatmirësisht nuk i mbeti qejfi, por reagimi i tij ishte i tipit: ‘Lëri këto gjëra, është momenti që të dëfrehesh paksa‘. Atëherë unë iu përgjigja: ‘Eja në Romë dhe do të tregoj se si mund të kënaqesh edhe pa shkuar në diskotekë‘. Në vend të një kërcimi në pistë, preferoj një darkë me miqtë, ose një film të bukur. Mund të duket e çuditshme, por unë kështu jam gatuar", tregon Laura. Për t‘i treguar këtë "jo"-në e pakthyeshme, Pausini i shpjegoi një fakt që nuk mund të ishte kontradiktor: "Ndoshta jam transformuar kështu, sepse vitin e fundit kam pasur vetëm 14 ditë të lira, pa angazhime. Është e vërtetë që karriera të rrëmben, por është e rëndësishme të mësosh ta menaxhosh kohën tënde dhe jetën private, sepse në të kundërt gjithçkaje i ka ardhur fundi".
"Gjithçka është e vërtetë", thekson Blunt, "por nuk mund të injoroj faktin që unë ekzistoj falë koncerteve. Nuk shkatërroj lokale, nuk jam një konsumues drogash dhe nuk ua shes historitë e mia të dashurisë gazetave rozë. Kështu nuk jam protagonist i këtyre që sapo përmenda më lart dhe i vetmi kontakt me publikun janë spektaklet. Kjo është arsyeja që jap shpesh koncerte, sa herë që më jepet rasti".
Zakonisht Blunt këndon në gjuhën angleze, por për klipin me Lauran i është dashur të mësojë ndonjë frazë në italisht. "Duhet ta dini se nëse diçka nuk funksionon në të kënduarin tim në gjuhën italiane, i gjithë faji është i menaxherit të Lauras. Ai mi mësoi frazat në italisht".
Mes gjërave të përbashkëta, dy këngëtarët kanë të njëjtin stil të kënduari: "Unë luaja muzikë me tim atë nëpër piano-bare", kujton Pausini. Ndërsa ai "sorollatej" me kitarë në dorë nëpër pub-et angleze, për të fituar ndonjë sterlinë. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk sillet si një yll kapriçioz. Ndër të tjera, kur flitet për pamjen, kuptohet që ajo është detaji i fundit që i intereson. Sapo filluam xhirimet e klipit e pyeta nëse e kishte menduar se çfarë do të vishte. Më shikoi me çudi dhe më pas shtoi: "Nuk më intereson fare". Në fakt, në valixhen e tij gjendeshin vetëm dy bluze. Kur mi tregoi, iu kujtua një detaj: "Laura, nuk jam i sigurt, por mendoj se i kam përdorur edhe për një video tjetër".
Mes pushimeve të vogla, gjatë xhirimit të klipit, u erdhi ndërmend edhe një ide: "Vendosëm të luanim një pjesë të Antonio Carlos Jobim në një lokal të Ibicas, ku takuam dy djem shumë të talentuar", kujton James. "Nuk më ndodh shpesh të luaj në një ambient kaq të qetë", shton Pausini. "Para se të dal në skenë, fik dritën e dhomës dhe qëndroj brenda për 10 minuta. Është një ritual që e bëj gjithmonë. Ndoshta kam krijuar bindjen se kjo më ndihmon shumë. Kënga e parë është pak e sikletshme, emocionet janë të mëdha, tensioni rritet, më pas gjithçka normalizohet dhe dëshiroj që spektakli të mos mbarojë. Kur arrij te kënga e fundit, përpiqem ta zgjas sa më shumë të jetë e mundur".
Pasi e mbylli kapitullin me Blunt, Laura është e bindur se fansat dhe adhuruesit po presin me padurim duetin e madh: "Kur jemi jashtë vendit, të huajt na pyesin, përse dy këngëtarë të mëdhenj italianë Ramazzotti dhe Pausini nuk bëjnë një duet së bashku? Duket sikur e bëj me qëllim: kur unë nxjerr një album të ri, ai është me pushime, ose e kundërta. E vërteta është se po presim momentin e duhur për të bërë këngën tonë, e cila më pas jam e bindur se do të mbetet në histori. Nuk më intereson suksesi, dua të bëj diçka që të ketë vërtet vlerë".
Është e pamundur të mos e pyesësh Lauran se cili i ka mbetur në mendje nga duetet që ka kënduar. "Më i bukuri është ai që kam kënduar me Pavarotti-n. Sa herë që këndonte më magjepste. Madje është përpjekur të më bindte, teksa po darkonim së bashku, të këndoja "Ave Maria" në vend të Bono-s, i cili kishte probleme me zërin. Atëherë unë binda Bono-n të këndonte, edhe pse kishte probleme. Ju do të pyesni se si ia arrita? I premtova që do ta shtyja Luciano-n të këndonte më shumë strofa dhe atij do t‘i mbeteshin më pak. Kështu rrodhën ngjarjet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›