Pavarësia, Jahjaga: Kosova ka të ardhme premtuese
Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne për të përkujtuar katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga theksoi se Kosova do ta bëjë realitet ëndrrën shumëvjeçare pasi ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
“Përvjetori i katërt i Pavarësisë së Kosovës e gjen vendin të pavarur dhe me 87 njohje të shtetit. Liria dhe Pavarësia e vendit janë gërshetim i të gjitha përpjekjeve të popullit për të jetuar të lirë e me dinjitet. Ideja jonë për Pavarësi ishte një gërshetim i një platformë largpamëse dhe mençurisë. Kjo ditë na bën të ndihemi krenarë për këtë rrugë dhe të kujtojmë të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe që punuan për të mirën e kombit dhe Atdheut për të ndërtuar Kosovën, shtet të lirë dhe pavarur”, deklaroi Jahjaga.
Ajo theksoi se duke kremtuar Pavarësinë përkujtohen edhe dy udhërrëfyesit e Kosovës së lirë, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe heroi legjendar Adem Jashari, të cilët tha ajo janë ata që përcaktuan edhe fatin e atdheut dhe popullit të Kosovës.
“Ne nderojmë edhe të ardhmen tonë pasi programi politik rreth të cilit u bashkuam ishte i drejtë, dhe i bazuar mbi vlerat evropiane”, tha Jahjaga, duke nënvizuar se Kosova do t’i detyrohet gjithnjë bijve dhe bijave më të mira të vendit që dhanë jetën dhe sakrifikuan për Pavarësinë e lirinë e Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë, theksoi Jahjaga, duke vlerësuar këtu se Kosova gëzon mbështetjen e SHBA-ve në këtë proces të pakthyeshëm.