E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Autoritetet e Kosovës, në takimin me anëtarët e GND-së, kërkuan ndihmë në njohjet e mëtejme. Grupi Ndërkombëtar Drejtues përsëriti se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa përjashtoi mundësinë e ndarjes, duke mbështetur integritetin territorial të vendit.

Këtë qëndrim e bëri të ditur shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, pas një dreke pune që anëtarët e GND-së patën me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës në Prishtinë. Feith tha se grupi pret që të përfundojë zbatimi i Planit të Ahtisarit, ndërsa decentralizimi të zgjerohet edhe në veri.

"Më e rëndësishmja është se Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kenë qasje më të mirë në veri, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. Duhet të krijojmë lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunave në veri. Ka një pajtim të gjerë në Grupin Ndërkombëtar Drejtues, se ndarja nuk duhet të jetë rezultat i synuar. Prandaj, ne duhet të kemi qasje, në mënyrë që veriu të marrë pjesë në procesin e stabilizim-asociimit, që është pjesë e perspektivës evropiane", tha Feith.

Në anën tjetër, Presidenti Sejdiu tha se ka kërkuar nga miqtë e Kosovës, që ta ndihmojnë në procesin e njohjes, pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Një ftesë që unë ua bëra përfaqësuesve të GND-së, që janë drejtorë politikë e ambasadorë, që të japin një ndihmë të veçantë në vazhdimësi për njohje të mëtejme të Republikës së Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë", theksoi Presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›