E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historianët: Enciklopedi për të gjithë shqiptarët

Meta ka qëndruar të hënën në Shkup, ku është takuar me drejtorin e Institutit Albanologjik në Maqedoni, Ramiz Abdyli, i cili njëherësh është edhe anëtar i redaksisë për përpilimin e enciklopedisë së re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).

“Duhet bërë një enciklopedi shqiptare. Ne jemi një komb që shumë shpejt mbush 100 vjet. Jemi komb shumë i madh në Ballkan, dhe nuk kemi një enciklopedi. Mendoj se ky është një boshllëk që duhet mbushur, dhe këtë mund ta bëjnë shumë mirë institucionet tona shkencore në të gjitha trevat me një bashkëpunim shumë efikas”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, Ramiz Abdyli ka njoftuar se së bashku me anëtarin tjetër shqiptar të redaksisë Alajdin Abazi, janë të pakënaqur se si punohet për përpilimin e enciklopedisë së re maqedonase, ku duhet të fshihen pjesët ofenduese për shqiptarët të shprehura në enciklopedinë e parë.

Ata kanë dërguar disa kërkesa deri te ASHAM-i, dhe paralajmërojnë largim nga redaksia në rast se këto kërkesa nuk përmbushen.

“Unë nuk kam kurrfarë të drejte të marr pjesë në këtë redaksi, sepse aty ende drejton kryeredaktori i vjetër. Edhe pse kemi vendosur ta tërheqim enciklopedinë e vjetër, ai ka shkuar në Ukrainë për promovimin e saj. Ne kemi kërkuar që enciklopedia të tërhiqet, sepse përbalt shqiptarët”, thekson Abdyli.

“Duhet të ndërpritet shitja e enciklopedisë së parë. Nëse ka nevojë edhe të digjet.
Duhet të na mundësohet të vizitojmë 37 institute në botë ku vlerësohet se ekzistojnë vepra me të dhëna për shqiptarët. Në të kundërtën do të tërhiqemi. është turp të marrim pjesë, do të turpërohemi edhe para historisë edhe para shkencës”, shtoi Avdyli.

Meta dhe Abdyli kanë biseduar edhe për bashkëpunimin mes të gjitha instituteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në funksion të përgatitjes së historisë së re shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›