E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, realitet i pamohueshëm

31-08-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vizitën e parë zyrtare jashtë Shqipërisë po e zhvillon në Kosovë. Entuziazëm, takime me përfaqësues të të gjitha partive politike si dhe një fjalë e posaçme në Kuvendin e Kosovës, pjesë e agjendës në ditën e parë të vizitës.

Kreu i shtetit shqiptar: “Në dialogun me Serbinë, Kosova të marrë pjesë si shtet sovran”
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nisi dje vizitën zyrtare në shtetin e Kosovës, ku zhvilloi takime me figura të larta të shtetit si presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Në takimin kokë më kokë, që pasoi ceremoninë, dy homologët, Nishani dhe Jahjaga, zhvilluan një bisedë të ngrohtë e miqësore, të përqendruar kryesisht në zhvillimin e marrëdhënieve tepër të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës, që i korrespondojnë dëshirës së palëkundur të dy vendeve për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Nishani mori në mënyrë të drejtpërdrejtë urimet më të mira e të sinqerta nga Presidentja Jahjaga për detyrën e nderuar në krye të shtetit shqiptar, si dhe shprehjen e besimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm midis dy institucioneve respektive në shërbim të interesave dhe aspiratave më madhore të popullit shqiptar e atij kosovar. Kryetari i Shtetit përshëndeti procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën duke nënvizuar se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm i njohur tashmë nga 91 vende.
“Pata rastin t’i shpreh Presidentes urimet më të mira për vendimin e fundit të grupit drejtues ndërkombëtar për Kosovën, që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur dhe hapi një kapitull të ri për shtetin e Kosovës si sovran dhe i pavarur. Kjo arritje e madhe i dedikohet qytetarëve dhe shoqërisë së Kosovës, përfaqësuesve politikë dhe institucioneve të saj për maturinë, mençurinë kurajën dhe dinjitetin e treguar”, u shpreh Nishani.
Presidenti i Republikës theksoi se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur duke nënvizuar se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë ndërkombëtarë.
“Shqipëria ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe të Presidentes, Parlamentit, Qeverisë në mënyrën, në kontaktet për bisedimet dhe në komunikim. Sot, dialogu është mjeti më efikas, më i suksesshëm dhe më evropian i trajtimit të të gjitha problemeve që mund të ekzistojnë midis vendeve dhe midis shteteve të ndryshme. Natyrisht që e shkuara e Kosovës ka qenë një e shkuar e mbushur me vështirësi, me sakrifica, por e ardhmja e Kosovës, e ardhmja e çdo vendi dhe e ardhmja e rajonit të Ballkanit është ajo për të cilën të gjithë duhet të punojmë, të gjithë duhet të kontribuojmë. Ndaj, komunikimi, dialogu janë mjetet më të mira për të mbizotëruar dhe për të fituar fryma e zhvillimit, fryma e pajtimit dhe ajo e prosperitetit të qytetarëve tanë”, tha ai. 
Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i uroi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani edhe një herë mirëseardhjen në Kosovë, bashkë me delegacionin që e shoqëron, duke vlerësuar se vizita të nivelit kaq të lartë janë një kontribut i qenësishëm dhe i pazëvendësueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve tona.
Kryetarja e Shtetit të Kosovës theksoi se rrugëtimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i qartë dhe drejt integrimit në Bashkimin Europian, si një prioritet që i shërben ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, Presidentja e Kosovës shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës u ndal tek përmbyllja me sukses e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë si një moment shumë të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, për arritjen e të cilës, institucionet shtetërore të Kosovës kanë patur mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi kontributin personal të Presidentes Jahjaga në afirmimin e një imazhi pozitiv të Kosovës në qendrat e diplomacisë botërore, në trajtimin me maturi të sfidave të brendshme që kalon Kosova, në krijimin e një Këshilli Kombëtar aktiv kundër korrupsionit.
Kryetari i Shtetit shprehu gatishmërinë e Tij dhe të institucioneve shqiptare për të ndihmuar Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, në një fjalim përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe nderimin e veçantë për ata gjenerata burra e gra që me pushkë e pene kontribuuan në lindjen e shtetit shqiptar që sot mbush 100 vjet dhe në mbajtjen gjallë të Kosovës dhe çlirimit të saj. Një nderim të veçantë presidenti shqiptar shprehu për presidentin Rugova, njeriu që sipas tij politikën e ktheu nga një utopi në një mjet të fuqishëm të aspiratave për liri. Gjithashtu mirënjohje e nderim Nishani rezervoi shprehu edhe për komandantin Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët që me sakrificën sublime inspiruan dhe i treguan botës që për liri shqiptarë nuk njohin kufi.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, e vlerësoi vizitën e Presidentit Nishani si një rast të mirë për përparimin dhe zgjerimin e dy vendeve tona në interes të përbashkët. Sipas tij, kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë se është në 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe tregon ecjen gjatë këtyre viteve që ka bërë populli ynë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›