E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e SHBA-së, Berisha uron presidentin Obama

Kryeministri Berisha ka uruar sot Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë

"Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, t'Ju përcjell Juve dhe, nëpërmjet Jush, gjithë popullit amerikan përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për lumturinë e begatinë e kombit Tuaj të madh e mik të shqiptarëve" thuhet në mesazhin e urimit.

Gjithashtu Kryeministri Berisha thekson se në këtë ditë të shënuar për vendin dhe kombin amerikan, shqiptarët ndihen të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë të cilat kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë.

"Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet të dyja vendeve. Me këtë rast, më lejoni t'Ju siguroj për vendosmërinë e palëkundur dhe për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare, për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim e partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, të stabilitetit e të përparimit kudo në botë. Po ashtu, gjej rastin të ripohoj vendosmërinë e palëkundshme të Shqipërisë për të vazhduar të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit" thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Berisha.

Më tej kryeministri berisha thekson se populli shqiptar dhe qeveria shqiptare janë thellësisht mirënjohës për ndihmën e asistencën e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve duke shtuar se kjo ndihmë përbën një kontribut të çmuar që reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare të kenë rezultate pozitive, konkrete dhe të shpejta. "

"Shqipëria do të vazhdojë më tej me vendosmëri në realizimin e reformave të ndërmarra dhe në përmbushjen e objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e të ekonomisë së tregut dhe për përparimin e vendit tim. Në aspektin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet e modernizim dhe të promovojë bashkëpunimin e miqësinë, duke kontribuar aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm e udhëheqës të SHBA-ve për paqen e stabilitetin në rajonin tonë, veçanërisht për njohjen e fuqizimin e shtetit më të ri në rajon, atë të Kosovës, më lejoni t'Ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv, në këtë drejtim" thekson më tej kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›