E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Patronazhistët i ka çdo parti e madhe demokratike dhe fituese në botë, këneta ka spiunë

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, patronazhistët i ka çdo parti e madhe demokratike dhe fituese në botë.

Në rubrikën “Sy m’sy” në bashkëbisedimin me qytetarët në platformat sociale, Rama iu përgjigj një qytetari, i cili i tha se i trajton njerëzit si patronazhistë.

“Patronazhistëve, kush i merr nëpër gojë, u merr vetëm të keqen. Patronazhistët i kam si shpirt, këtu (në zemër), se që ta dish, patronazhistët janë ata që i ka çdo parti e madhe demokratike dhe fituese në botë. Patronazhistët i ka partia Republikane në Amerikë; Patronazhistët i ka Partia Demokrate në Amerikë; Patronazhistët i ka Partia Laburiste; Patronazhistët i ka Partia Konservatore; Patronazhistët i kanë të gjitha partitë serioze”, tha Rama.

“”Këneta” nuk ka patronazhistë. Këneta ka “shpiuna”. Dakord? Kurse ne kemi patronazhistë, patjetër. Janë njerëzit që trokasin, që flasin, që lexojnë se si është fryma dhe se si është në territor situata me mbështetjen për Parinë Socialiste. Është e qartë që ky është një insult (fyerje – shën. i red.) edhe për mendjen më modeste, e pra, por mendja jote nuk është modeste. Kështu që, mos u shqetëso për mendjet modeste, se mendjet modeste, janë në fakt mendjet modeste që nuk nisen nga premisa që nuk janë modeste”, u shpreh Rama.

Dhe prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “sikundër është e qartë, që çdo mendje, dhe çdo shpirt, thua ti, që shkon voton dhe mbështet akoma këtë delirant, mua domethënë, një gjysmë njeri, qenka ai që më voton mua, jo 800 mijë, jo 800 mijë. Duhet të numërosh më shumë këtë herë, dhe ata nuk janë gjysma njerëzish, ata janë populli i Shqipërisë që do të shkojë vetëm përpara me Partinë Socialiste dhe me mua, kalin që tërheq gjithë këtë karrocë të madhe, dhe së bashku do të vëmë flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, aty ku e ka vendin”.

“Dhe do të jetë dhe i pari, se e kemi me ‘Albania’, i pari. Do jetë flamuri i Shqipërisë. ALBANIA. Atë kush flet dhe kush dëgjon kur komunikojmë bashkë, kur më sheh duhet të dijë që në kokën time ka vetëm një fiksim: ALBANIA, te tavolina ku ulen shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, pastaj fillon një histori krejt e re, por mbyllet përgjithmonë historia e një kënete të vjetër”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›