E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, nesër lajmërohet fundi i mbikëqyrjes

Grupi Drejtues Ndërkombëtar mblidhet neser në Vjenë për të paralajmëruar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Aty pritet të jepet lajmi se prej shtatorit Kosova do të ketë pavarësi të plotë. Qeveria dhe Kuvendi janë zotuar për përmbushjen e kritereve që kërkohen nga GDN-ja. E opozita thotë se përmbyllja e mbikëqyrjes po keqpërdoret nga pushteti për përfitime politike, raporton gazeta Express.

Kjo do të ndodhë, pavarësisht se Pakoja e Ahtisaarit ende nuk është zbatuar plotësisht, pasi në veriun e Kosovës ende nuk funksionojnë shumica e institucioneve të Kosovës.

Deri në vjeshtë institucionet e Kosovës do të duhet te miratojnë ligjet dhe të ndryshojnë Kushtetutën në ato nene që kanë të bëjnë me kompetencat e ndërkombëtareve në Kosovë.

Më 2 korrik, vendet që e kanë njohur Kosovën, nga Vjena pritet të deklarojnë se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve ndërkombëtare për të funksionuar si shtet pa mbikëqyrjen.

Në Austri do të jenë kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Vendet që e përbëjnë GDN-në do të kërkojnë nga zyrtarët kosovarë përmbushjen edhe të obligimeve tjera, që kanë të bëjnë me kornizën ligjore, zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë në nivel të drejtorëve për Ballkanin Perëndimor të Ministrive të Punëve të Jashtme do të mbahet të hënën më 2 korrik 2012, në Ministrinë Federale për Marrëdhënie Evropiane dhe Ndërkombëtare në Vjenë, ka njoftuar ICO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›