Mandati i Ina Ramës, ish-presidentët: Të shkojë në Kushtetuese
Në të njëjtën linjë me ish-kryeprokurorin Sollaku, edhe ish-presidentët Moisiu e Mejdani e shohin mandatin e Ina Ramës së shpejti në Kushtetuese. Për të shmangur çdo konflikt të mundshëm mes forcave politike, por edhe institucioneve, dy ish-krerët e shtetit i rekomandojnë Prokurores së Përgjithshme, të adresohet në gjykatën me të rëndësishme të vendit, për të marrë vesh se kur duhet të largohet nga detyra.
“Për këtë çështje mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të mos krijuar konflikte. Në përceptimin e parë timin ishte që meqënëse u fiksua mandati, atje kur emërohesh atje duhet të jetë edhe mbarimi i mandatit, por meqënëse ka filluar konflikti, zgjidhja e vetme është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të mos mbajtur të gjallë një konflikt tjetër brenda politikës shqiptare, dhe brenda institucioneve të shtetit shqiptar“,-thotë ish-presidenti Rexhep Mejdani, raporton “AS”.
“Këtu ka diçka të paqartë në kuptimin e interpretimit, të kuptohet. Mendoj se këtu duhet ta diskutojnë këtë problem specialistët dhe politika duhet t’i bindet interpretimit. Gjykata Kushtetuese të bëjë hapin e fundit, interpretimin e fundit. Nëse ata nuk bihen dakord, duhet të ndërhyrjë patjetër“,-shprehet ish-presidenti Alfred Moisiu.
Janë 2 variantet për skadimin e mandatit të prokurores së përgjitshme: I pari, në nëntor kur para pesë vitesh mori detyrën; dhe tjetri në maj kur hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese që kufizuan këtë mandati. Në çdo rast zëvendësimi i Ina Ramës, së bashku me zëvëndësimin e mundshëm të kreut të SHISH, do të jenë detyrë e presidentit të ri. Por a do të jenë vendimet e Nishanit përtej atyre të forcës politike që i përkiste?
“Mund të ndodhin çudi“,-u shpreh Mejdani.
“Shpresoj që të jetë vetëm vendim kushtetues dhe mendoj që me aq sa e njoh zotin Nishani, nuk besoj t’i shmanget kësaj“-thotë Moisiu.
Maxhoranca ka bërë të qartë që emri i ri që duhet të pasojë Ina Ramën, do të miratohet në Kuvend në nëntor, duke hedhur poshtë kështu çdo mundësi për një mandat më të gjatë.