E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësisht rezultatit...

Pavarësisht rezultatit të ndeshjes ndaj Bjellorusisë, komentet nuk mund ta shmangin kritikën për aktivizimin ende në formacionin e Kombëtares sonë të disa titullarëve, roli i të cilëve prej kohësh duhej të ishte zëvendësuar prej futbollistëve të tjerë të rinj dhe me perspektivë.
Problemi i freskimit të radhëve të ekipit tonë ka mbetur çuditërisht i pazgjidhur, edhe pse rasti për ta bërë këtë është paraqitur në gjithë ato ndeshje miqësore–kontrolli që janë organizuar përpara ballafaqimeve për eliminatoret e ndryshme. Të mburresh me statistika të tilla pa bukë të ndeshjeve stërvitore, kur nëpër garat zyrtare mbetesh vazhdimisht i fundit, kjo nuk i shërben perspektivës së futbollit tonë.
Deklarata e para ca kohëve nga përfaqësues të federatës përkatëse, se mundësitë tona janë të kufizuara dhe se në ndeshje kemi marrë atë që kemi merituar, në fakt janë një lloj mburoje për ata që përgjegjësitë e tyre duan t’ua hedhin të tjerëve; ose një taktikë mashtruese që në çdo rast, fitore, barazim apo humbje, asnjëri prej rezultateve të mos jetë komprometues! Por në të gjithë këtë histori të Kombëtares sonë, kur për dashamirësit e saj kanë mbetur vetëm ëndrrat dhe iluzionet për pjesëmarrje në një finale evropiane apo botërore, ajo që vazhdon të na përplaset pa mëshirë në fytyrë, është realiteti i vendeve të fundit në grupe. Një barazim apo fitore e rastësishme nuk janë asnjëherë një argument për ta përdorur si sukses të futbollit tonë. Edhe rezultatet e ndeshjeve miqësore që shpesh na janë paraqitur si arritje, janë më tepër demagogji dhe mashtrim. Tifozët nuk mund të gënjehen duke parë të njëjtën shfaqje të mërzitshme, po me të njëjtët aktorë të lodhur dhe pa fantazi në lojën e tyre.
Para kësaj ndeshjeje të kthimit me Bjellorusinë, përsëri u fol rreth temës së “përjetshme” të freskimit të ekipit, duke aluduar për një ndryshim të mundshëm të formacionit të Kombëtares, por e njëjta histori si të tjerat, kur “garda e vjetër” nuk po ia hap rrugën të rinjve, që për hir të së vërtetës nuk mund të japin gjë po nuk patën mundësi për ta bërë këtë. Nëse guxohet deri atje sa të vendosësh një portier të ri në formacion, siç është Ujkani, kur dihet se sa delikate është kjo detyrë që më së shumti kërkon një siguri e përvojë të madhe në karrierë, më duket se zëvendësimi do të ishte më i natyrshëm dhe më rezultativ nëse ai do të bëhej në reparte të tjera, që të mund t’i jepnin më shumë freski dhe ritëm lojës sonë, që pikërisht në këtë aspekt ka treguar se vuan më shumë. Por me sa duket, pragmatizmi dritëshkurtër do të jetë lajtmotivi i përhershëm i drejtuesve të futbollit tonë, që në këtë mënyrë kërkojnë të besojnë më shumë tek rastësitë e fati dhe aspak tek strategjitë afatgjata dhe me perspektivë.
Pavarësisht rezultatit të ndeshjes me Bjellorusinë, tifozët do të kishin dashur të shihnin në formacionin bazë të Kombëtares sonë emra të rinj lojtarësh, jo thjesht për të pasur një ndryshim formal, por për ta ndjerë esencialisht dhe konkretisht këtë rinovim, ashtu siç ndodhi në fragmente të pjesës së dytë të ndeshjes miqësore ndaj Maqedonisë, apo në ndonjë tjetër kur u bë një gjë e tillë. Këtu nuk është fjala për të diktuar formacionin, sepse këtë e bën trajneri, por që të shpresosh ende për një të ardhme “të ndritur”, duke u mbështetur po tek ata që për vite të tëra nuk na e dhanë një gjë të tillë, edhe pse dikur kanë qenë të rinj dhe me më shumë pasion për ta bërë këtë, kjo do të thotë se lojtarët e ashtuquajtur të perspektivës të mbeten të tillë vetëm në stolin e rezervave! Të njohur prej më shumë se një dekade në rolin e titullarëve protagonistë, lojtarë të tillë si Lala, Bogdani, Skela dhe K.Duro edhe tani, në moshën e tyre pranë limiteve, mund të japin ende nga bagazhi i tyre i pasur, siç vazhdojnë të bëjnë në disa raste, veçanërisht Bogdani me skuadrën e tij në Seria A, por kjo nuk do të thotë se roli i tyre duhet të jetë i pazëvendësueshëm, ashtu siç po ngjet kur trajneri Kuzhe në gati dy vjet të drejtimit të tij nuk ka arritur të zbulojë asnjë talent për Kombëtaren!? Fitorja apo barazimi në një ndeshje jo gjithmonë kanë qenë shpëtimtarë për Kombëtaren tonë, përveçse kanë mbetur si një relike e thjeshtë për statistikë. Prandaj them se pavarësisht rezultatit, kur ai arrihet po me ata lojtarë të hershëm, nëpërmjet një loje që nuk ngjall kënaqësi, e për më tepër asnjë besim për të ardhmen, atëherë ekipi ynë përfaqësues e ka të detyrueshëm rinovimin e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›