E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e Portugalisë dhe rreziku i efektit domino

27-03-2011 / Nga Ilirian Dahri

Mund të konsiderohet pothuajse si një goditje fatale rasti i Portugalisë. Ndoshta nuk dukej më e vërtetë kjo krizë e befasishme e qeverisë në Portugali pikërisht në ditën kur Europa, por mbi të gjitha në kohën kur Eurogrupi po ecte mirë me reformën që kërkonte të kthente stabilitetin dhe besueshmërinë e monedhës europiane, të forconte paktin e stabilitetit sidomos pas krijimit të fondit të stabilizimit permanent prej 500 miliardë eurosh.
Në vend të festës së pritshme mund të thuhet se jemi përpara një emergjence të mundshme? Pas Greqisë dhe Irlandës, mos ndoshta është radha e Portugalisë? “Unë kam vetëm një shqetësim: të mbroj Portugalinë, monedhën europiane dhe projektin europian”, do të deklaronte Joze Sokrates, kryeministri i dorëhequr pas mosvotimit parlamentar të paketës së tij, ndërsa mbërrinte në samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve që po çelej në Bruksel. Përpara fillimit të punimeve kryeministri pati një takim me Angela Merkel, e cila lavdëroi publikisht programin e tij duke kujtuar se - kushdo që ka apo do të ketë përgjegjësinë e qeverisjes në Portugali duhet të përkrahë objektivat pë të rritur besimin te tregjet. Mesazhet duken të qarta: kjo është linja që duhet ndjekur, edhe nëse nuk kërkohet hua nga Europa. Gjithsesi, për gjithçka vendosin tregjet. Por, Sokrates po aq edhe lideri i opozitës portugeze, Pedro Passos Koelho nuk duken se duan ndihmë. Natyrisht edhe eurogrupi do të preferonte të ishte kështu.
Dyshimet dhe pasiguritë janë të shumta, sepse pritet që këtë krizë ta kalojë edhe Spanja. Efekti domino do të ishte me të vërtetë një makth. Gjithsesi, Eurogrupi ka marrë masat e veta duke përcaktuar edhe huanë që mund t’i jepet Portugalisë, që arrin shifrën e 75 miliardë eurove. “Pakti pro euros është antisocial”, “jo shtrëngimeve ekonomike, po hapjes së vendeve të punës” thërrasin në rrugët e Brukselit 20-30 mijë manifestues të ardhur nga gjithë Europa për të protestuar. Gjithsesi, mund të thuhet se Samiti Europian, nëse nga një anë u dominua nga rasti i Portugalisë dhe nga kriza e Libisë nga ana tjetër, kaloi në rend të dytë paktin e ri të stabilitetit dhe paktin mbi monedhën euro.
Ministri Italian i Ekonomisë Xhulio Tremonti përgjatë samitit e përcaktoi paktin si ‘të vetmin pakt të mundshëm për Europën dhe të mirë për Italinë”. Ndoshta është Italia shteti që më tepër se të tjerët, do të sakrifikojë për stabilitetin e eurozonës.
Në të vërtetë, Thesari i Italisë ka ndërhyrë me vlera të pakta, po të krahasohen me ato të Gjermanisë dhe të Francës, edhe pse kontributet ndahen sipas Gdp dhe sipas pjesëmarrjes në kapitalin e Bankës Qëndrore Europiane (28% Germania, 21% Francia dhe 18% Italia). Gjithsesi, Italia duhet të hyjë në borxhe për të mbledhur fonde nëpër tregje dhe kjo i kushton më shumë se Franca dhe Gjermania, kështu që ndihma italiane është më impenjative, edhe pse Ministri Italian i Ekonomisë Xhulio Tremonti kujton shpesh se bankat italiane rrezikojnë më pak në eurozonë periferike. Sipas të dhënave të fundit që i referohen tremujorit të tretë të vitit 2010, sistemi bankar Italian rrezikon në Greqi, Irlandë dhe Spanjë rreth 80 miliardë euro kundrejt 570 miliardë të Gjermanisë dhe 440 miliardëve të Francës.
Në këtë klimë paqartësie mund të konsiderohet një lajm i mirë marrëveshja e arritur pak pas mesnatës mbi kushtet e financimeve të Mekanizmit te ri  Europian Permanent të Stabilitetit, i cili do të jetë një lloj FMN europiane, që do të zëvëndësojë në qershor të vitit 2013 fondin aktual provizor për shpëtimin e shteteve.
Kryeministri Italian Silvio Berluskoni deklaron i kënaqur se: “edhe këtë herë Italia ka fituar në Bruksel” duke vazhduar –“kërkuam diçka dhe fituam, arritëm edhe të ndërprisnim Këshillin Evropian për rreth gjysëm ore”. Nga ana tjetër burimet diplomatike nënvizojnë se për sa i përket masave të embargos mbi naftën dhe gazin, kërkesa këto të Gjermanisë, ka kaluar propozimi italian që kërkonte një vendim nga OKB.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›