Pavijonet që vuajnë për ilaçe ne Qendren Spitalore
Emanuela Sako
Situata e krijuar në QSUT ka një mundësi zgjidhjeje, duke marrë barnat që janë shpërndarë në rrethe. Kjo është menduar si një zgjidhje e mundshme deri në kryerjen e tenderave për këtë vit. Drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, deklaroi se mungesa e barnave është ende prezente në QSUT, madje pritet që situata të vështirësohet edhe më tepër. Për përmirësimin e situatës Pepa është shprehur se i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që barnat e shpërndara në rrethe të mblidhen në QSUT. Kjo për faktin se spitalet e rretheve nuk e kanë ngarkesën që ka QSUT-ja, pasi shumica e pacientëve që kurohen në QSUT vijnë nga rrethet. Drejtori Pepa deklaroi se do të kërkojë një takim me distributorët për të pajisur spitalin kryesisht me antibiotikë. Ndërkohë që tashmë pritet të fillojnë procedurat e tenderave, por kontratat do të lidhen në gusht. Sipas Pepës, deri tani nuk është marrë asnjë masë paraprake për të përballuar situatën.
Mungesat
Mungesat e medikamenteve janë të dukshme në të gjithë pavijonet. Shefat e pavijoneve apo mjekët që punojnë në to sqarojnë se pacientët, pasi këshillohen me ta, detyrohen t’i blejnë vetë medikamentet. Mungesa ka në Pediatri, Laboratorin Biokimik-Klinik, Infektiv, Onkologjik etj. Madje, një javë më parë pacientët protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e barnave që siguronin jetën e të sëmurëve rëndë nga veshkat. Këto barna janë të kushtueshme dhe nuk mund të blihen në vend tjetër. Ndërsa pranë Onkologjikut ka mungesa të barnave të forta, të cilat është vështirë t’i gjesh në të gjitha farmacitë. Madje, pastrueset e pavijonit të Infektivit sqarojnë se kanë kohë që nuk i lajnë dhomat me detergjente apo me lecka të reja, pasi nuk ka asnjë rezervë. Megjithëse kërkesa e tyre është bërë e vazhdueshme, askush nuk është marrë seriozisht apo të ketë kthyer një përgjigje pozitive.
Hemodializa
Të prekurve nga sëmundja e veshkave u kanë mbetur dhe pak ditë për t’iu vënë jeta në rrezik. Mungesa prej disa ditësh e medikamenteve kryesore për trajtimin e sëmundjes u ka shtuar ankthin se ditët i kanë të numëruara. Tashmë asnjëri prej tyre nuk ka mundësi kurimi pranë Pavijonit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 400 pacientë kanë nevojë aktualisht për terapi zëvendësuese dhe rreth 175 pacientë të rinj çdo vit. Medikamentet dhe materialet mjekësore janë në përfundimin total të tyre. Kjo është bërë shkak që pacientët të alarmohen, ndërsa mjekët nuk dinë se çfarë përgjigje të japin kundrejt kërkesave të të sëmurëve, të cilët, si të vetmen shpresë në përballimin e sëmundjes së tyre shohin kurimin nga mjekët. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, shpjegoi për gazetën “Albania” se janë njoftuar nga personeli përkatës i Drejtorisë spitalore se ka mungesë të filtrave dhe ageve, që janë materialet më elementare në spital. Kanë ngelur edhe pak ditë deri në mbarimin përfundimtar të tyre. Ndërkohë që Thereska tregoi se u është drejtuar autoriteteve kompetente për zhbllokimin e situatës dhe furnizimin me materiale dhe medikamente, por kërkesa vetëm sa është marrë në konsiderate. Nuk është komunikuar asnjë afat kohor se kur do të pajiset Shërbimi i Dializës me të gjitha materialet apo medikamentet. Dializa shërben për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe për të cilët kryerja e terapisë zëvendësuese, dializës, është jetike.
Pacientët të prekur nga sëmundja e veshkave kanë parë si të vetmen mënyrë zgjidhje të problemit të tyre të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. Të sëmurët kanë denoncuar para Ministrisë së Shëndetësisë mungesat e theksuara në këtë shërbim, që po rrezikojnë jetën e tyre. Protestuesit kanë kërkuar nga Ministria zgjidhje të menjëhershme të situatës tepër të vështirë që është krijuar.
17 Qershor 2008