Fëmijët në Pediatri, në mëshirë të financave të prindërve
Një nga spitalet që vuan mungesën e barnave është edhe Pediatria, e cila nuk ka se çfarë mjekimesh të japë për fëmijët e vegjël. Depoja qendrore në QSUT, që bën shpërndarjen e barnave nëpër pavijone, ka njoftuar vetëm pak ditë më parë se duhet të ruhen në maksimum barnat për të shkuar sa më gjatë, sepse nuk ka më medikamente rezervë. Asnjë institucion nuk jep një përgjigje të saktë se kur do të zhbllokohet situata dhe pacientët të kenë një vend ku të drejtohen për kurim. Medikamentet që ndodhen pranë spitaleve janë të pakta dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse që qytetarët të blejnë gjithçka dhe në çdo situatë. Njëkohësisht, në Spitalin e Pediatrisë nuk kryhet asnjë analizë për fëmijët që drejtohen në spital. U bënë disa muaj që ky spital ka pushuar së bëri analiza profesionale, ndërsa mjekët janë të detyruar t’i përcaktojnë diagnozat falë eksperiencës së tyre. Burime brenda spitalit u shprehën se mjekët e kanë të pamundur të punojnë dhe të përcaktojnë diagnozën e saktë për të sëmurët, pasi nuk kryhen analizat për përcaktimin e tyre. Analizat që nuk kryhen janë analizat e gjakut komplet, analizat e mëlçisë, veshkave, alergjisë etj.
Laboratori Biokimik-Klinik
E njëjta situatë vlen edhe për Laboratorin Biokimik-Klinik, i cili duhet të kryente një numër të madh analizash, por për shkak të mungesave të lëndës së parë situata ka mbetur e njëjtë si disa muaj më parë.
Pavijonet me mungesa medikamentesh:
Sëmundjet e brendshme
Pediatria
Onkologjiku
Kirurgjia
Infektivi
Laboratori Biokimik-Klinik
17 Qershor 2008