E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e shëndetit mendor nr. 3, vizitë 150 pacientëve në javë



Emanuela Sako
Personat që kanë probleme mendore, tashmë kanë mundësi trajtimi në qendra të specializuara. Ministria e Shëndetësisë ka venë në dispozicion të të sëmurëve mendor katër qendra komunitare në kryeqytet për të gjithë ata që kanë probleme mendore, por edhe disa të tilla në rrethe. Një nga këto qendra është edhe Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor Nr. 3, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3. Drejtuesi i kësaj qendre, mjeku psikiatër Nikolin Lacaj, shpjegoi për gazetën “Albania” se qendra ka frekuentim të madh nga banorët e kryeqytetit. Çdo javë në këtë qendër kryhen rreth 150 vizita. Psikiatri Laca, sqaroi se orari i vizitave është 12 orë, por stafi i qendrës punon edhe jashtë orarit të punës. Kjo ndodh në rastet kur ndonjë nga pacientët ka kriza edhe gjatë natës dhe familjarët e tyre nuk janë në gjendje të drejtohen në Psikiatri dhe për këtë shkojnë mjekët e qendrës Nr. 3. Komunikimi me familjarët e pacientëve bëhet nëpërmjet telefonit celular që mjeku psikiatër ka vënë në dispozicion, pasi kjo qendër ende nuk e disponon një numër fiks. Ekzistenca e qendrave komunitare të shëndeti mendor, ka bërë që të ulet numri i pacientëve që shkojnë të vizitohen në QSUT në “Repartin e Psikiatrisë”. Në këtë të fundit, pacientët shkojnë vetëm në rastet e shtrimeve apo krizave nervore të vazhdueshme.
Pacientët që drejtohen për vizita në Qendrën Komunitare Nr. 3, janë të moshave të ndryshme, pasi shërbimi që ofrohet është për të rriturit dhe fëmijët. Mjeku psikiatër, u shpreh se brenda një jave në qendër, vijnë për vizitë 100 pacientë të rritur dhe 45 prej tyre janë fëmijë. Të gjithë pacientët vijnë të shoqëruar nga të afërmit e tyre. Për familjarët që janë të moshuar apo me probleme fizike, qendra iu ofron shërbimin në shtëpi. Kjo qendër, ka në dispozicion një autoambulancë që shkon gjatë në familjet e pacientëve, në rastet e krizave. Shërbimet që ofrojnë 4 qendrat e shëndetit mendor në kryeqytet janë gjithëpërfshirëse. Përveç trajtimit që u bëhet të sëmurëve në qendër, kryhen edhe vizita në shtëpi në raste të veçanta. Vizita në shtëpi ofrohet vetëm në rastet kur pacienti nuk mund të frekuentojë qendrën, në rast krizash, në vëzhgimin e ecurisë së terapisë etj. Pacientëve që shkojnë në këto qendra u bëhet një vizitë e përgjithshme ku vlerësohet shkalla e problemit dhe më pas u bëhet trajtimi. Po kështu, specialistët kryejnë punë terapeutike me individin dhe familjen, për ndërgjegjësimin për gjendjen ku ndodhet pacienti, mundësitë që ka për përmirësimin e funksionimit, këshillim, psikoedukim, psikoterapi.

Dhurimi i gjakut, nevoja për më tepër gjak

Dhurimi vullnetar i gjakut është i domosdoshëm në spitalet e vendit. Për këtë, Kryqi i Kuq Shqiptar është shprehur se duhet që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të dhurojnë gjak më tepër se njëherë për të mbuluar nevojat. Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, ditën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë falenderoi të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, të cilët shpëtojnë dhe përmirësojnë jetë duke dhuruar gjak vullnetarisht. Ndërkohë, në 12 qendrat e prefekturave janë ngritur grupe pune, të cilat do të drejtojnë promocionin për dhurimin vullnetar të gjakut të përbërë nga mjekët e bankave të gjakut.

Përfundon provimi për specializimet e studentëve të mjekësisë

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë që kanë mbaruar sistemin akademik 6-vjeçar, përfunduan provimin për specializimet në degë të ndryshme të mjekësisë. Rreth 260 studentë të mjekësisë janë ulur dje në një provim parakualifikues për të fituar të drejtën e specializimit pasuniversitar në një nga profesionet e mjekësisë. Provimi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, ku janë paraqitur 257 të rinj që kanë përfunduar studimet 6-vjeçare për degën mjekësi e përgjithshme. Specializimet në këtë degë rihapur vetëm pas 4 vjetësh duke krijuar mungesë të specialistëve në spitale.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›