Paviqeviq optimist për ujdi mes Vuçiqit dhe serbëve në veri

Oficeri ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë, Dejan Paviqeviq sot ka shfaqur shpresën se gjatë vizitës së nënkryetarit të qeverisë serbe Aleksandar Vuçiq në Kosovë do të arrihet ujdia me serbët në veri përkitazi me marrëveshjen e Brukselit.
“Unë jam optimist se do të arrihet ujdia”, ka thënë ai për televizionin publik serb, duke u përgjigjur në pyetjen se çka pret nga vizita e nesërme e Vuçiqit në Kosovë.
Ai ka përsëritur se shkëmbimi i oficerëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë do të bëhet deri në fund të muajit qershor, kurse sa i përket sigurisë tha se për sigurinë e tij dhe të ekipit të tij në Prishtinë do të kujdeset Policia e Kosovës, kurse për sigurinë e përfaqësuesit kosovar në Beograd, Lulzim Pecin përgjegjës do të jetë MUP-i i Serbisë./Indeksonline/