Pazaret e fshehta të Mediut me Henry Tomey-n, në Turqi?
Më 26 korrik 2005 dhe më 26 gusht 2005, rezulton se dy avionë cargo janë ngarkuar me armë nga Rinasi për në Irak. Nuk po japim detaje të ngarkesës dhe as të sasisë që është ngarkuar, por disa detaje skandaloze të mënyrës se si Fatmir Mediu u përpoq ta mbyllte këtë histori. Në vitin 2006, Henry Tomey, personazhi i famshëm tashmë i botës së trafikut të armëve me Shqipërinë, mbiu në Tiranë dhe kërkonte të takonte Sali Berishën. Arsyeja ishte e thjeshtë. Ai donte të verifikonte një skandal që ishte bërë në emër të tij. Dy avionë ishin ngarkuar nga Rinasi në drejtim të Irakut, në emër të njërës prej kompanive të tij, me firmë dhe vulë të tij, por duke mos e bërë ai konkretisht këtë ngarkesë. Avionët ishin ngarkuar në Rinas dhe thuhet se kishin ikur në Irak. Ka zëra të këqij që thonë se mund të kenë shkuar dhe në ndonjë vend tjetër, por sidoqoftë po e marrim të mirëqenë Irakun. Në shtator të vitit 2006, Tomey u informua se njëra prej kompanive të tij rezultonte të kishte bërë këtë ngarkesë. Arriti në Tiranë dhe kërkoi ta verifikonte. U përpoq të takonte Mediun, por ai nuk e priti. U përpoq të takonte Berishën, po natyrisht nuk e priti. Sidoqoftë, gjeti dikë që t’i çonte fjalë kryeministrit. Kryeministri thirri Mediun. Ky i fundit, sa dëgjoi për skandalin, shpërtheu në një histeri të paparë, a thua se ishte përgjegjës për ngarkesat. Në të vërtetë, ngarkesat ishin bërë gjatë muajve të ndërrimit të pushtetit dhe askush nuk mbante përgjegjësi, as Mediu, as Berisha dhe as Nano, se ai kishte ikur. I vetmi person kyç ishte Ylli Pinari. Por tërbimi i Mediut ishte i madh. Shkak ishte fakti se Tomey, si trafikant i regjur armësh, e kishte informuar me e mail, që ditën e parë të mbërritjes në zyrë Mediun për këtë skandal. Pra, më 30 gusht 2005 Mediu ka marrë një e mail nga Tomey që e informon për skandalin. Mediu është vënë në lëvizje, ka verifikuar gjithçka dhe është bërë palë me Pinarin në këtë skandal. Pas kësaj, komunikimi i Mediut me Tomey-n në dukje u prish. Ndërmjetësi që Tomey u përpoq të çonte te Berisha u anatemua si ndërlidhës trafikantësh dhe u duk për një moment sikur Tomey humbi lidhjet me Shqipërinë. Por Antena ka siguruar fakte që Mediu i ka rivendosur lidhjet me Tomey-n pikërisht pas kësaj ngjarjeje, pas presioneve që ai i ka bërë Mediut lidhur me tolerimin e disa trafiqeve të rënda të Pinarit. Pas kësaj burime të sigurta thonë se Pinari dhe Mediu janë takuar në Turqi dhe në ndonjë vend të Gjirit Persik dhe kanë rivendosur marrëveshjet që çuan dhe te skandali i Diverolit. Historia e falsifikimit të dokumenteve për dy avionë me armë nuk u zu më në gojë. Tomey nuk shkeli më në Shqipëri. Por njerëz të Mediut dhe afër Berishës kanë shkuar ta takojnë atë në Bosnjë. Një prej tyre është ndaluar dhe nja dy orë nga policia boshnjake për verifikim, pasi është parë me një person të dyshimtë për palën boshnjake. Por, pas këtyre zhvillimeve Tomey u fut ndërmjetës te kontrata e Diverolit dhe e rriti çmimin nga 22 në 40 dollarë për arkë, pra 18 dollarë nga 22 që kushtonte gjithë arka, duke ndarë fitimet me ata që i bënë privilegjin.
Gjithë ky mishmash informativ për Mediun e hutoi fare Flamurin, mikun e rubrikës sonë, i cili ka tri ditë që nuk mbledh dot veten nga fotoja e vilës së Delijorgjit dhe Mediut.
- ǒt’i bëj atij burrit që s’më dëgjon mua, se ia tregoja qejfin këtij Mediut, - tha. - E dija që atëherë se ai po lëvizte me këtë Delijorgjin, por më thoshin që e bën për interesa të CIA-s, se do futet Shqipëria në NATO. E dija dhe që po bënin vila në Golem, por më thoshin, i bëjnë, se duhen për punë, të bisedojnë çështje sekrete dhe duhet t’i kenë afër njëri-tjetrit. Tani i doli tymi kësaj pune dhe s’kam ç’i bëj më atij burrit. Ai, në vend që ta zbusë këtë punë, e acaron dhe më keq. Shkon në Gërdec dhe i bën karshillëk ambasadorit amerikan, thotë që “Gërdeci është vend i sigurt dhe njerëzit mund të vazhdojnë të ndërtojnë”. Unë shkova vetë në Gërdec, takova disa njerëz që po bënin shtëpinë dhe i pyeta: Çfarë doni nga qeveria, pará apo drejtësi?
- As pará, as drejtësi, - më thanë, - vetëm të ikin këta kuksianët që na kanë zënë tokat këtu.
- Këtë s’ua bëj dot, thashë, dhe ika. E kishin me mua më duket, se e dinë që jam kuksian.