E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pd-PS hetim te zgjedhjeve ne mes te veres

04/08/2010 Një nga eksponentët e lartë të PS-së komenton zhvillimet e fundit politike

Xhafaj: Transparenca, do përballemi deri në fund me Berishën

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në PS Fatmir Xhafaj sqaroi gjatë një interviste sqaroi lidhur me pozicionin e partisë që ai përfaqëson përkundrejt çështjeve më të debatueshme politike. Kështu, në qendër të zhvillimeve fundit politike janë pikërisht kërkesa për transparencë e PS-së si dhe kundërvënia e PD-së ndaj institucionit të Presidentit. Për çështjen e parë Xhafaj deklaroi se PS-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje, por është mazhoranca ajo që nuk ka vullnetin për të bërë transparencë. Ndërsa për konfliktin PD-Presidencë deputeti socialist theksoi se ky është blofi i radhës i mazhorancës për të tërhequr vëmendjen nga kriza e gjithanshme që ka përfshirë vendin.

- Për të arritur një reformë në drejtësi më parë duhet të arrihet një marrëveshje midis opozitës dhe mazhorancës. Në cilin stad janë negociatat, kjo është një periudhë marrje kohe, apo ka negociata në distancë?

- Është një pyetje e drejtë, në kohën e duhur, pasi në mediet vizive dhe në gazeta ishte zhvendosur nga vëmendja kjo çështje. Kjo sepse na doli propozimi bombastik për të mbledhur Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme. Këta nuk janë realisht seriozë! Thonë se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. Nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën, do të thotë se Presidenti duhet të përgjigjet. Ose këta janë fare të papërgjegjshëm kur bëjnë të tilla deklarata, ose e gjitha kjo është një blof. Duhet ta shkarkojnë?! Atëherë të mbledhin Parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme, ta artikulojnë, të bëjnë “impiçmënt” për Presidentin e Republikës dhe të vazhdojnë. Por kjo është shashka e radhës, që është përdorur vetëm për një qëllim të vetëm: duan të largojnë vëmendjen. Të largojnë vëmendjen nga kriza, që është politike, është për institucionet administrative në këtë vend, është krizë për drejtësinë, është krizë ekonomike para se të gjithash. Këta duan ta largojnë vëmendjen nga fakti se përditë e më shumë kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve dhe nga fakti se kanë nisur të rëndojnë xhepat e tyre. Ndaj kryeministri fillon të ngrejë gjithë këtë tym, të hedh këtë shashkë që ta turbullojë mjedisin politik. Tjetër, zoti kryeministër ka një rezolutë të PE-së, e cila thotë as më shumë e as më pak, në mënyrë të përmbledhur se kërkon zgjidhje të krizës politike në vend. Është e thënë në mënyrë shumë të qartë. Së dyti, kërkon që për zgjidhjen e kësaj krize një nga gjërat që duhet të bëjnë palët në Shqipëri është të hetojnë mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. E kërkon shprehimisht rezoluta, pika 5 e kësaj rezolute e kërkon në mënyrë eksplicite kur thotë se duhet të ngrihet në mënyrë të menjëhershme një komision hetimor parlamentar për hetimin zgjedhjeve të 2009. Ky komision të ketë shumicën opozitare, të drejtohet nga opozita, të ketë në fokus hetimin e materialeve elektorale. Thotë edhe një gjë tjetër, që është shumë interesante, që medies mund ti ketë shpëtuar në mënyrë të pavetëdijshme: duhet të përfundojë sa më shpejt puna e këtij komisioni, në mënyrë që përfundimet e tij të jenë bazë për reformën zgjedhore të pritshme, bazuar dhe në gjetjet e OSBE–ODIHR-it. Pra, e kushtëzon bërjen e reformës me nevojën e rezultateve të këtij komisioni hetimor parlamentar. Në vend që të përgjigjet kryeministri, në vend që të përgjigjet zonja Topalli, që e mbylli këtë sesion në mënyrën më të turpshme të mundshme, për respektimin e kësaj rezolute hedhin shashka të kësaj natyre për shkeljen e Presidenti etj., etj. Një nga qëllimet është për të zëvendësuar interesin e opinionit publik, interesin e partnerëve, interesin e opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend. Më duhet të përgjigjem drejtpërdrejtë se ne jemi iniciator dhe kemi ndihmuar në mënyrë aktive në procesin e negociatave, i cili ka pasur dy raunde takimesh mes kryetarit të grupit parlamentar të PS-së dhe atij të grupit parlamentar të PD-së, të mandatuar personalisht nga kryeministri në një mbledhje të grupit të tyre. Të dy të mandatuarit e forcave politike kanë biseduar dhe kanë arritur në një nivel të caktuar, duke pranuar një sërë elementesh të rëndësishme për ngritjen e komisionit hetimor dhe mënyrën se si do të funksionojë ky komision. Nuk mund të them se edhe nga pala jonë ka reshtur edhe në këto ditë vere përpjekja për të arritur në një zgjidhje. Ne jemi të shqetësuar për nevojën, për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës. Natyrisht, ne jemi dhe të preokupuar për të respektuar kërkesat e partnerëve dhe në mënyrë të veçantë rezolutën e PE-së. Në këtë kontekst, edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë. Gjatë këtyre ditëve zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete. Se cilat janë ato dhe se si do reagojë kreu i grupit të PD-së nuk më takon mua ti them dhe kërkojnë konfidencialidetin e nevojshëm. Ne dhe tani që po flasim nuk rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete. Ajo që më shqetëson mua në gjithë këtë është se ka një mungesë morali në politikën shqiptare, veçanërisht në atë të mazhorancës. Ajo që ndodhi me SHBA-të kërkohet tani të bëhet me BE-në. Me SHBA-të ndodhi që një ditë të bukur na morën për dore dhe na futën në NATO. Këtë e dinë dhe e pranojnë të gjithë, na futën në kampin e madh të NATO-s. Ishte një gjë e madhe për shqiptarët, e minimumi ne duhet të thoshim “faleminderit”. Por ne nuk pritëm të thahej dhe boja, të ikte dhe freskia e shtrëngimit të duarve dhe një ditë të bukur ju thamë SHBA-ve se “ne nuk kemi më nevojë për këshillat tuaja, se dimë të luajmë vetë ndryshe”. Minimumi është një mungesë morali politik. Së dyti, tregon një lloj qasje negativiste me partnerët. Nga ana tjetër, në këndvështrimin tim ka dhe një komponent tjetër. I shkon kundër një cilësie të njohur të shqiptarëve, mirënjohjes. Shqiptarët u kanë qenë gjithmonë mirënjohës miqve për ndihëm që u kanë dhënë. Kjo që po bën politika shqiptare është mungesë mirënjohjeje për ndihmën që u kanë dhënë, për mbështetjen, për kontributin dhe nuk ka arsye pse ti shkojë kundër një tradite të vyer të vetë shqiptarëve.

Kjo gjë po ndodh edhe me BE-në. Dua të them se nuk po ndodh ashtu siç thotë mazhoranca, më saktë kryeministri. Ka pasur negociata intensive në Bruksel dhe Strasburg përpara se të arrinim deri këtu. Kreu i Partive Popullore të PE-së erdhi në Tiranë, por jo vetëm për të bërë kortezinë ndaj mikut Berisha. Erdhi në mënyrën më të ndershme për ti thënë se “unë po vij e po ta them këtu se nesër, kur ta shikosh në rezolutë, të mos çuditesh”. Atë që ata vetë e kishin hedhur në tavolinë, nuk e kishte pranuar qeveria. Është një qëndrim i definuar ndaj tre faktorëve të rëndësishëm të BE-së. Së pari, nga PE-ja, ku për këtë amendament kanë votuar të gjitha grupet parlamentare të majtë, të djathtë dhe të qendrës. Së dyti, një qëndrim i definuar nga KE-ja; dhe së treti nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Janë tri institucione që kanë pasur, për hir të së vërtetës së madhe, përfaqësuesit e tyre në negociatat që janë bërë ndërmjet ekspertëve të PS-së dhe PD-së, që janë dërguar në Strasburg dhe në Bruksel. Erdhi momenti që politika evropiane, institucionet evropiane në të tria këto dimensione thanë “mjaft!” dhe vendosën në rezolutë detyrimin e politikës shqiptare, detyrimin e mazhorancës që të ulet me opozitën dhe të gjejnë një zgjidhje. Ajo që po ndodh është mungesa e respektit, mungesa e vlerësimit dhe mungesa e mirënjohjes me faktin që mazhoranca nuk ka munduar as ta zërë në gojë këtë rezolutë.

Besoj se ju kujtohet që ditën e parë zonja Topalli e priti me duartrokitje të mëdha faktin që ishte miratuar rezoluta. Sapo mori vesh se çfarë kishte në rezolutë, e harroi atë. Nga dita që është bërë ajo rezolutë e deri më sot nuk ka asnjë reagim të kësaj mazhorance për detyrat e shtëpisë. Natyrisht, detyra kryesore e shtëpisë është ngritja e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi gati edhe sot ta mbledhim Parlamentin, ta votojmë të fillojë punën komisioni hetimor edhe në kushtet e këtij sezoni të nxehtë vere, që megjithatë nuk po e lë të ftohet mendja e kryeministrit Berisha dhe zonjës Topalli.

- Ngërçi politik qëndron pikërisht te fletët e votimit, ju keni ofruar një zgjidhje për komisionin?

- Po, kemi ofruar. Bën pjesë në atë paketë propozimesh që ne i kemi bërë mazhorancës edhe për këtë çështje. Nuk është ndonjë sekret ta them, sepse kjo ka qenë pjesë edhe e vetë atyre propozimeve që ka bërë grupi tresh i BE-së, pra përfaqësuesit e PE-së, komisionerit Fyle dhe zonjës Ashton. Pra, të tre këta përfaqësues të këtyre institucioneve kanë artikuluar një zgjidhje dhe për të. Ne gjithashtu e kemi mbështetur këtë dhe e kemi bërë pjesë të projektit të propozimeve tona drejtuar kundërshtarëve tanë politikë. Unë kam bindjen se problemi nuk qëndron te fakti që nuk gjendet një zgjidhje. Problemi qëndron te fakti që kryeministri nuk e dëshiron transparencën e zgjedhjeve. Kryeministri është në të kundërt me qëndrimin jo thjesht të PS-së, të opinionit publik dhe të medieve në Shqipëri, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, sepse kryeministri nuk e do të vërtetën. Nuk e do të vërtetën, sepse do të vjedhë prapë. Europarlametarët kanë vendosur në rezolutë kushtëzimin me zbardhjen e së vërtetës për zgjedhjet e 2009-s për reformën për zgjedhjet e 2011-s. Pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 2009-s nuk mund të ketë zgjedhje të lira në 2011-n. Kanë arritur ta kuptojnë tashmë se “mbreti është lakuriq”, ata e thanë tashmë që mbreti është lakuriq. Kjo është e vërteta dhe ata kanë arritur ta kuptojnë këtë fakt, pra se ky njeri nuk mund të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, nëse nuk rregullon disa rregulla e nëse nuk pranon të vërtetat, cilatdo qofshin ato, të mira apo të hidhura për zgjedhjet e kaluara. Nuk është e rastësishme kjo lidhje me hetimin zgjedhjeve të 2009-s me reformën për zgjedhjet e 2011-s. Këtu problemi ka zgjidhje dhe ne i kemi propozuar zgjidhje. Kemi propozuar pak a shumë ato gjëra që ka artikuluar publikisht zoti Berisha, por nuk i do, se nuk do të vërtetën e zgjedhjeve të 2009-s. Sepse zbardhja e së vërtetës së zgjedhjeve të 2009-s minimumi do të çonte në shtëpi ata që kanë vënë duart në zgjedhje. Nuk do të ishin më ata pjesë e çdo procesi të administrimit zgjedhor. Minimumi do të fillonte të krijonte detyrimin, respektin ndaj ligjit elektoral dhe ndëshkimit ndaj cilitdo që do të guxonte të vinte dorë në to. Kryeministri nuk e do këtë gjë, është fare e thjeshtë, sepse nuk matet dot dhe ka frikë të përballet me ne në një proces të ndershëm zgjedhor. Ka vetëm një rrugë të mbajë pushtetin e klanit të tij politik: të vërë dorë në procesin zgjedhor, se nuk di të bëjë gjë tjetër me sa duket. Nëse ai do të reflektojë, ne jemi këtu.

- Nëse kryeministri nuk do të ndryshojë mendim, si do të veprojë opozita?

- Ne këtu jemi. Një vit më parë na thoshin “jeni të marrë për këtë që po bëni”. Dalëngadalë, jo ju, po disa medie të tjera, disa opinionbërës jo vetëm që erdhën me ne, jo vetëm që iu bashkuan këtij qëllimi fisnik tonit për të bërë transparencën e një procesi zgjedhor, por sot janë mbështetësit tanë kryesorë. Të njëjtën gjë kishim dhe me partnerët. Pse? Sepse kishin të drejtë, se njerëzit e mirë nuk mendojnë se vidhen zgjedhjet, vota është e shenjtë. Nuk e mendojnë njerëzit e mirë, njerëzit e këqij e mendojnë dhe e bëjnë. Por erdhi një ditë që njerëzit e mirë kuptuan se i keqi është aty, nuk ka lëvizur. Ne po mundohemi ta luftojmë me të gjitha mjetet e mundshme. Jo atë si individ, jo atë si frymor, por dorën e tij politike, qëllimet e tij të mbrapshta dhe të liga.

- Nëse “i keqi” nuk tërhiqet, cili do të jetë reagimi i Partisë Socialiste?

- Do përballemi deri në fund. Hap pas hapi. Mazhoranca reagon pas kërkesës së PS-së për thirrje urgjente të Kuvendit

Hetim në respekt të ligjeve të vendit

Demokrati Viktor Gumi thotë se rezoluta e PE-së duhet të zbatohet në frymë e në germë

Ergys GJENÇAJ

Partia Demokratike është e gatshme të thërrasë Kuvendin në mbledhje të jashtëzakonshme për të ngritur komisionin hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve. Deputeti i PD-së Viktor Gumi ka bërë të qartë se grupi parlamentar që përfaqëson mbështet ngritjen e komisionit që do të hetojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit 2009, por që duhet të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, vendimeve të gjykatave shqiptare, ashtu sikundër ka kërkuar Parlamenti Europian në rezolutën e tij. Në reagimin e tij pas qëndrimit të Partisë Socialiste Gumi theksoi se Partia Socialiste ka bërë propozimet e saj, në të cilat rikonfirmon në përgjithësi pozicionet e mëparshme. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se në respekt të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj. Çdo interpretim partiak është i padobishëm”, - ka deklaruar ligjvënësi i PD-së. Ashtu si kolegu i tij i opozitës Fatmir Xhafaj, edhe Gumi nënvizoi se grupi parlamentar demokrat “është i gatshëm në çdo kohë të thërrasë Kuvendin në zbatim të kërkesave të rezolutës së Parlamentit Europian”. Duke lexuar qëndrimet e shprehura publikisht nga socialistët dhe demokratët, vihet re se përveç gatishmërisë për thirrjen e Kuvendit palët mbajnë qëndrime krejtësisht të kundërta në lidhje me thelbin e çështjes që do të mund të diskutohej gjatë asaj seance të jashtëzakonshme. PD-ja ka theksuar prej kohësh se është e gatshme të votojë përsëri ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ku shumica e anëtarëve dhe drejtimi ti takojë opozitës. Por PD-ja dhe PS-ja ndahen kur flitet për objektin e hetimit të këtij komisioni. Për mazhorancën parlamentare hetimi parlamentar duhet të fokusohet vetëm në ato çështje që i lejon Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe që nuk bien ndesh me vendimet e gjykatave. Kjo do të thotë se Parlamenti përmes komisionit hetimor nuk mund të prekë fletët e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›