Pediatria e re e Specialiteteve, Koçiu: Investimet kanë kuptim të plotë kur prekin jetët më të brishta

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli sot pamjet nga ambientet e reja në pediatrinë e specialiteteve në “Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”, ku përveç godinës së re, shërbimi i laboratorit të gjenetikës është një tjetër investim që synon kapjen e hershme të diagnozave te pacientët e vegjël.
“Investimet në shëndetësi kanë kuptim të plotë kur prekin jetët më të brishta, aty ku zemra rreh më fort: te fëmijët tanë”, shkruan Koçiu.
Ndërsa, Anila Babameto shefja e shërbimit të laboratorit të gjenetikës pranë Pediatrisë në QSUNT shprehet se aktiviteti laboratorik konsiston në tre laboratorë, atë të citogjenetikës standarde, numerike dhe strukturore.
“Ne bëjmë analizën e kariotapit për anomalitë kromozomike, numerike dhe strukturore, pra për diagnozën e këtyre anomalive. Tjetër laborator i rëndësishëm që kemi ndërtuar vitet e fundit është ai i biologjisë molekulare. Në këtë laborator bëjmë diagnozën molekulare të sëmundjeve më të shpeshta në popullatën shqiptare siç është beta talasemia dhe anemia drepanociatare, njëkohësisht fibroza kistike, distrofia muskulare, por edhe diagnoza e disa sindromave të rralla gjenomike”, thotë Babameto.
Gjithashtu, në videon e shpërndarë në rrjetet sociale vijnë edhe mesazhet e prindërve apo të afërmve të fëmijëve që marrin shërbimet në pediatrinë e specialiteteve në QSUNT, ku ata shprehen se kushtet janë shumë të mira, duke nisur nga pastërtia te përkushtimi i stafit të mjekëve.
“Ndryshimi është komplet 400%, nata me ditën. Kushtet janë si të jesh jashtë shtetit, nuk ka asnjë ndryshim”, shprehet një prej qytetarëve. /j.p/