Ylli i popit debuton në botën e modës
Vajza ka vullnet të hekurt, shumë shije dhe pa diskutim një siguri në vetvete që nëse do të ishte e mundur do ta shiste nëpër deodorante ose në tubetet e pastave të dhëmbëve, duke bërë në këtë mënyrë që të gjitha gratë e planetit të merrnin pak nga gustoja e saj. Këngëtarja Madona që ka shpikur dhe shkatërruar modën, është bërë së fundmi stiliste. Duke marrë shembull prej saj nuk kanë hezituar të bëjnë si ajo edhe yje të tjerë të muzikës pop si Xhenifer Lopez, Avril Lavinxh, sepse në fund të fundit moda kërkon njerëz të rinj.
E zbukuruar me çantat e firmës “Louis Vuitton”, bustet e “Dolce & Gabbana” dhe fustanet e mbrëmjes “Versace”, Madona ka firmosur një kontratë me magazinat e mëdha “Macy’s”: etiketa “Materila Girls” po paraqitet si një biznes jashtëzakonisht i madh. Madona do të mendojë për adoleshentet e ardhshme, duke u frymëzuar nga e bija trembëdhjetëvjeçare, Lourdes (“që ka një mënyrë veshjeje shumë të veçantë” dhe zemrën e mamasë). Flokë të gjatë të zinj, gjithmonë e veshur me të zeza, minifunde dhe geta rrjetë, Lourdes duket sikur ka dalë nga filmi “Desperately Seeking Susan” 20 vjet më vonë. Por pikërisht vajzave si ajo, ylli i muzikës pop ua dedikon koleksionin (veshje të ndryshme, me ngjyra më të gjalla). Mendohet se koleksioni do të jetë gati në gusht të këtij viti. Madona ka lidhur një kontratë me markat “Candie’s”, “Rampage” dhe “Ed Hardy”, përmes blerjes 50 për qind të shoqërisë “Iconix”. Me pak fjalë, një biznes prej miliona dollarësh. Linja për vajzat e reja që do të përmbajë fustane, pantallona, çanta dhe bizhu, do të realizohet ekskluzivisht me firmën “Macy’s”.
Ikonë e stilit, qëkur është shfaqur për herë të parë në skenë, Madona i ka habitur gjithmonë të gjithë. “Sekreti i stilit tim? Të mbaj të sheshtë barkun”. Edhe pse është stiliste e vetes, nuk ka debutuar ndonjëherë në botën e modës. Në vitin 2007 dizajnoi për markën “H&M” një koleksion mode demokratik, “M, by Madonna” me një filozofi shumë inkurajuese: “Stili nuk ka lidhje fare me llojin e trupit. Besoj e keni parë që edhe modeleve të dobëta nuk është e thënë që gjithçka ju rri mirë”. As për veshjet në seri këngëtarja nuk është dakord.
Kritikët më të kujdesshëm kanë vënë re se koleksioni ishte i mbushur me citime të miqve stilistë të këngëtares, por Madonës i falen të gjitha. Iniciativa e yllit të popit ka ngacmuar imagjinatën e VIP-ave të tjerë: nëse dikur ishin stilistët ata që u jepnin mendim aktorëve se çfarë të vishnin, sot janë divat ato që bëjnë ligjin. Sara Xhesika Parker, por edhe Bionse, Guin Stefani, reperi Xhej-Zi, e deri te Xhenifer Lopez me markën “J Lo” (“më vijnë në mendje femrat që punojnë”), kanë pushtuar të gjitha dyqanet. Këngëtarja Avirl Lavinxh me bashkëshortin Ebi Daun, frymëzuar nga mënyra e tij e të veshurit, ka firmosur një koleksion bluzash me xhepa dhe disa të shkruara, xhinse të ngushta pas trupit, minifunde skoceze, byzylykë me kopsa, kanotiere me lëkurë leopardi. Xhastin Timberlejk ka dizajnuar një koleksion për linjën e tij. Uilliam Rast ka bërë të njëjtën gjë duke çmendur kritikën gjatë javës së modës në Nju Jork, ndërkohë që vlerësimi i jurisë ka qenë “i sofistikuar”. “Gjithmonë kam marrë shumë rroba falas nga stilistët”, thotë këngëtari që njëkohësisht është edhe aktor. “Por ëndërroja që të dizajnoja një koleksion personal: më në fund e realizova ëndrrën time”. Edhe Liam Gallagher i grupit “Oasis” ka linjën e tij: gëzof me kapuç, bluza, xhupa me pupla. Ai është betuar se nuk do të nxjerrë kurrë në shitje gjëra që nuk vishen. Megjithatë, duke parë përreth kjo gjë nuk mund të na sigurohet.
#