Peizazhi i kuq
Mbylli derën mbas vetes.
Sapo doli nga drejtoria, hamalli i kërrusur shkarkoi nga vetja barrën e rëndë. Vazhdoi përgjatë korridorit. Dëgjonte trokitjen e hapave të vet mbi pllaka. Zëri i profesorit të historisë vinte nëpërmjet derës së sallës:
“…veprën e Leninit e vazhdoi i madhi Stalin…një luftë e pamëshirshme kundër… - Zëri u shua dhe tingëlloi përsëri: - kundër armiqve…”. Nuk e dëgjoi më.
Ai doli jashtë duke kaluar nëpër hyrjen e veshur me fotografi dhe parulla. Megjithëse i ngarkuar me re, qielli iu duk i bukur dhe miqësor. Oborri ishte i shkretë. Mbi një stol po përsëriste me zë të lartë leksionin një nxënës që kishte mbetur mbrapa… Roja që çalonte, invalid i luftës, hoqi zinxhirin nga porta me kangjella. Duke kuisur mbi hekurin e ndryshkur, zinxhiri u rrokullis përtokë. Pati përshtypjen sikur po i rrëshqiste nga qafa e tij.
- Ditën e mirë, - mërmëriti dhe doli. La mbrapa atë portë të mbyllur, mori frymë thellë, çliroi shpirtin dhe mori përsëri fuqi. Rrugës, duke ecur, kujtoi edhe një herë vizitën e mëngjesit në Institut. Shqetësim, njëfarë frike e përzier me neverinë që ndiente para se të hynte te drejtori. Përpara kangjellave, mbi ballkon, tabela e lexuar dhe e stërlexuar “Instituti Pedagogjik”. … viti shkollor… ditët para fillimit… studentët që kishin paraqitur lutje për t’u pranuar kërkonin emrin e tyre në listat e shpallura… të përzgjedhurit gazmorë dhe të lumtur… të përjashtuarit… të dënuarit nga biografia… pragu i Institutit i mbyllur… diskriminimi racial… “White only … e nur fur Arier”… diskriminimi ideologjik… vetëm për… mbi mur slogani kuqëlues “politika në plan të par딅 Në oborr, grupe studentësh. Shikime kureshtare drejtuar atij. Në një grup thirrje, në tjetrin mërmërima, pastaj papritmas heshtje. Kryqëzime shikimesh vjedhacake. Vështrime të plakura aty për aty. Sy fort të largët të përhumbur.
I kthyer me kurriz, sekretari i rinisë bisedonte me një shok. Ja dhe përgjegjësi, kallëzuesi. Përplasje vështrimesh. Sikleti i fshehur ndër ata sy që përvidheshin. Bishti i syrit i gatshëm të spiunonte. Mbi kokën e tij zvarritej slogani: “Punë - Vigjilencë”. Si atëherë në leksion. Sytë e studentëve të fiksuar, përveç syve të tij të ulur, që shikonin thonjtë.
Në hyrje, “Lavatriçja” që merrej me ngjitjen e fotografive në këndin e kuq.
Matematika i shtrëngon dorën. Përshëndetja e tij e sinqertë. Teksa ndahen, një shtrëngim edhe më i fortë i dorës, në shenjë solidariteti.
Në korridor, mësuesi i citateve. Në cepat e buzëve, një buzëqeshje e lehtë triumfi.
Sapo hapet dera, portreti në mur. Nën të, tulla e drejtorit që vezullon. Pritja në këmbë përpara shkrimtores.
- Mirëmëngjes.
- Mirëmëngjes.
Heshtje. Pastaj lëvizja e buzëve:
- Na ka ardhur njoftimi. Duhet të paraqitesh në Komitetin Ekzekutiv, te shefi i kuadrit. Aty do të të komunikojnë vendin e ri të punës.
- Ku?
- Nuk e dimë. Do ta marrësh vesh aty.
Sytë e drejtorit të ngulur mbi të, të mangët, të padepërtueshëm, armiqësorë. Koka e prirë mbi shkrimtore duke shkruar.
Një dëshirë e furishme ta shkundte fort e t’i bërtiste.
Pastaj ndeshja e fundit e vështrimeve. Një buzëqeshje e sforcuar aty, një buzëqeshje e hidhur mërie këtu dhe…një “ditën e mirë” e thatë nga të dyja palët
Të ishe inteligjent, i mësuar, i dalluar dhe të mos ishe i lumtur! Gjithnjë në ankth nga ky nervozizëm i vazhdueshëm, meqë nuk mund të bëje ose të thoshe asgjë.
Njerëz të tillë në një shoqëri me një ideologji të mbyllur, pikërisht pse kanë idetë e tyre, nuk dinë të pranojnë pa kundërshtim idetë e dekretuara. Gjenden gjithmonë përpara një dere të mbyllur dhe vuajnë.
Një nga ata ishte Agroni.
Por këta individë jetojnë në mes të individëve të tjerë, në mes të atyre njerëzve të ashtuquajtur të zakonshëm, të thjeshtë ose pak të shkolluar.
Këta të fundit, që mund t’i quash “tabula rasa”, instruktohen me ide të servirura në seminare e shkolla politike. Ky instruktim “shkruan” në këto kokë logjikën e një ideje-parim, të një realiteti të krijuar me dhunë. Dhe kjo logjikë arrin të zëvendësojë arsyetimet e pavarura, kritike të së vërtetës.
Duke lexuar vazhdimisht faqe të ideologjisë të përsëritur në trurin e tyre të virgjër, ata i pranojnë një më një si ide të mirarsyetuara të teorisë politike. Me t’u ngulitur këto ide, trutë e këtyre njerëzve nuk pranojnë më mendime të ndryshme, përkundrazi, çka është edhe më keq, besojnë se këto ide janë mendimet e vetë atyre. Janë të bindur në padjallëzinë e tyre, janë të bindur se janë origjinalë dhe të mësuar, tepër inteligjentë, progresistë e të drejtë dhe bëhen kaq të sigurt, kaq filozofë, kaq të varur nga ideologjia, sa besojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e botës. Kjo siguri e pacipë unikale i kthen ata në “fanatikë”.
Në këtë kategori hynte dhe shefi i kuadrit, tek i cili duhej të paraqitej njeriu ynë që kishte nofkën “Buzëqeshje mërie”.
Agroni e njihte mirë. Kishte qenë shok klase i këtij personazhi që tashti e priste si padron mbas shkrimtores.
Me një inteligjencë mediokre, ai rrinte kërrusur gjithë ditën mbi libra, por shkronjat e shtypura në to nuk arrinin të depërtonin në trurin e tij. Ky vullnet i hekurt nuk i kishte vlejtur kushedi sa. Ishte zvarritur nga një klasë në tjetrën falë ndërhyrjeve të një xhaxhai të tij mësues. Më së fundi, kishte braktisur shkollën dhe i ishte përkushtuar luftës çlirimtare, duke u marrë me propagandën dhe agjitacionin politik në qytet.
Ai i kujtohej fare mirë. Kujtonte zilinë e atij shoku kokëshkëmb. Dhe tashti duhet të paraqitej e të dëgjonte nga ky ofiqar i pushtetit vendimin për jetën e tij.
Provoi një lloj zemërimi, kur mendoi se do të qëndronte përpara shkrimtores së tij dhe do të priste njoftimin ose ndoshta edhe ndonjë kërcënim.
Ndihej i poshtëruar, sikur t’i kërkonte atij një të mirë personale. Në shpirtin e tij luftonte pasiguria me revoltën. Kishte një dëshirë të madhe të hiqte dorë e të mos paraqitej fare në Komitet. Ndiente falsitetin e pozicionit të tij. Të qante e ta gëlltiste pështymën bashkë me dinjitetin dhe sedrën e tij.
Ky shef kuadri mishëronte shoqërinë në të cilën jetonte dhe që ishte e huaj për Agronin. Atë shoqëri nuk donte ta konsideronte të tillë, por në fakt ajo ashtu ishte për të dhe ai ndihej detyrimisht anëtar i saj.
Teksa jepte e merrte me pasigurinë dhe pakënaqësinë me të cilat duhej të përballonte këtë situatë, dëgjoi një zhurmë shurdhuese. Hodhi vështrimin nga qielli i nxirë dhe shpejtoi hapin drejt dyqaneve që kishin përpara një hajat me shtylla.
Hingëllima e kuajve të zinj që rendnin, jehonte gjithmonë e më fort, derisa arrinte atë zhurmë shurdhuese, që është parakushti i lirisë. Por hiç, asgjë. Këta kuaj të zinj vazhduan tutje dhe zhurma e potkonjve të tyre u përpi lehtësisht nga pafundësia e horizontit. Qielli nuk donte të dështonte. Dhe këto re plumbi peshonin mbi humorin e qenieve të gjalla, e rëndonin edhe më pritjen e padurueshme të mërzisë.
Njerëzit nëpër rrugë vraponin djathtas e majtas, për t’u futur nën ndonjë strehë ose për t’u kthyer në shtëpi. Disa fëmijë që kishin dalë nga shkolla, goditnin njëri-tjetrin me shallet e kuqe të lidhura nyje, duke thirrur e qeshur e duke hedhur përtokë çantat e shkollës. Një erë e plogësht fshinte pluhurin nga këmbësorja së bashku me gjethet e fundit e të lodhura të rrapeve.
Nën shtyllat e hajatit, një hamall i dehur, ulur përtokë, mbështetur rrëzë murit, po flinte duke shoqëruar me gërhimën e tij zhaurimën e qiellit. Papritmas ngriti kokën dhe, duke drejtuar sytë gjysmë të mbyllur nga qielli, thirri: “E mjaft me pordha, shurro tashti… shurro! “. Mbas kësaj rrasi përsëri kokën mbi supe dhe u kredh në ëndrrat e tij të trëndafilta të alkoolit.
Në Komitet arriti shpejt. Përpara derës së zyrës ishin grumbulluar një mori njerëzish. Njëri prej tyre mbante listën e emrave. Agroni dha të vetin. . Ishte i tridhjetedyti.
- Je mbas meje. Unë jam i tridhjetenjëti... - dëgjoi një zë mbas tij. Një burrë imcak i buzëqeshte me rrudhat e bulçive të tij. Sapo e pa, Agroni ia gjeti nofkën: “Merimanga”. Shkëmbeu buzëqeshjen me një lëvizje të lehtë të kokës.
Duhej të prisnin. Shefi i kuadrit ende nuk kishte ardhur. Filloi të shëtiste nëpër korridor. Në seksionin e strehimit kishte një zallamahi të madhe njerëzish, që grindeshin me zë të lartë. Kurse në seksionin e punës kishte pllakosur qetësia. Njerëzit dukeshin si në gjumë.
U kthye mbrapsht. Atë çast arriti shefi i kuadrit, me çantën nën sqetull. Një sekretare në moshë të shtyrë, e ndiqte nga pas.
Shprehja e rëndë e fytyrës së tij, që nuk mund të rrezatonte dritë inteligjence, ia cyti nervat. Ajo kapardisje boshe fshihte personalitetin e tij të shpëlarë. Paaftësia hakmerrej nëpërmjet mburrjes që i lindte nga kolltuku që zinte, sepse mendonte se kishte në duart e tij fatin e shumë njerëzve.
Filloi pritja. Njerëzit hynin brenda të druajtur, dy nga dy, dhe dilnin një nga një prej zyre. Dikush i skuqur në fytyrë, një tjetër i kërrusur dhe i dërrmuar, një i tretë me sy të turbullt, ndonjë tjetër rrezatonte gëzim, u qeshte të tjerëve dhe i përshëndeste me zë të plotë.
Një grua e re tërë të kuq buzësh dhe me faqet të skuqura nga gjaku, kaloi duke u përkundur para të pranishmëve. Skuqja nga turpi sikur ia ndizte edhe më shumë të kuqin e buzëve dhe kremin mbi faqe, të përdorur pa kursim, kësaj nuseje të re të sapoçliruar nga burgu vashëror i rrethinave. Ecja me hapa të lehtë sikur fluturonte dhe buzëqeshja e saj tregonin se ia kishte dalë në krye. Duhet të ishte gruaja e ndonjë oficeri të transferuar kohët e fundit në kryeqytet. Duke përplasur derën, me sy të përflakur, i mbushur plot zemërim, por gati-gati i kënaqur që kishte zbrazur gjithë ç’kishte brenda, nxitoi të dilte një djalë i ri. E kishte thënë të tijën. Dukej sikur e kishte bërë shkrumb e hi zyrën nga doli, duke e nxjerrë jashtë luftimit shefin e kuadrit. Doli jashtë. Freskia e ajrit e qetësoi dhe ai u pendua që s’ishte përmbajtur. Mbasi iu ftoh gjaku, në mendjen e të riut u riprodhua skena e pak çasteve më parë dhe u përpoq të gjente rrugën për të ndrequr sjelljen e tij, meqenëse do të kthehej përsëri të trokiste te dera e përfaqësuesit të të vetmit punëdhënës: të shtetit.
I erdhi radha Agronit. I pari hyri “Merimanga”. Përpara tyre u shfaq një fytyrë ngjyrë dheu dhe dy vetulla të ngrysura: ishte shefi i kuadrit. Sapo kundroi dy të ardhurit, ai u vrenjt edhe më.
“Merimanga” bëri përpara duke zvarritur këmbët dhe përshëndeti vetullat.
- Emrin? - pyeti nëpunësi.
“Merimanga” mërmëriti emrin, duke ngritur mjekrën sikur të donte të shfajësohej për emrin e vet.
Nëpunësi u ngrit e filloi të rrëmonte nëpër dosjet mbi shkrimtore.
- Po, të kanë emëruar në komunale. Do të paraqitesh në fillim të janarit.
“Merimanga” përshëndeti. U përkul dy a tri herë përpara vetullave dhe portretit mbi faqen e murit dhe u tërhoq mbrapsht, duke zvarritur përsëri këmbët mbi dysheme deri te dera. Përshëndeti përsëri dhe u zhduk.
Funksionari drejtoi kravatën, shenjë rëndësie për të, dhe vetullat si gjarpër u ngrysën përsëri.
- Emrin? - pyeti duke u hequr sikur nuk e njihte.
- Agron Erini.
Shefi i kuadrit e këqyri. Rrëmoi diçka në kujtesën e tij e pastaj mori shaminë nga shkrimtorja. Fshiu djersën në dorën e djathtë. E kaloi shaminë tek e majta dhe përsëri te dora e djathtë. I hodhi një shikim portretit mbi mur dhe ktheu kokën nga sekretarja. Ajo i zgjati dosjen. E hapi. Me gishtin tregues kroi qafën. Qëroi grykën dhe tha hijerëndë:
- Je i transferuar në fshatin Surrel.
- Pse jashtë qytetit?
- Ky është vendimi i komitetit.
- Mund t’i drejtoj një pyetje komitetit?
- Është e kotë. Vendimi është i pakthyeshëm, - ktheu kokën për nga portreti e me zë të trashur shtoi: - Është urdhër nga lart. Duhet të paraqitesh menjëherë, përndryshe do të pushohesh.
- I pushuar! - mërmëriti me vete dhe i kërceu gjaku në kokë. Deshi ta qëllonte në lule të ballit e ta çonte në djall, ta çonte, deshi t’ia shkulte ata dy gjarpërinj të zinj e t’i shtypte me këmbë, deshi t’i vinte zjarrin atyre biografive, atyre dosjeve që përmbanin emra të shkruar me blu e të tjerë me të kuqe, por gjaku nuk arriti deri te gjuha. Ajo mbeti brenda gojës.
E njomi me pështymë gojën e përtharë e pastaj u kapërdi. Belbëzoi me vete:
- E po mirë, çfarë mund të bësh, o budalla? Asgjë. Polifemi të shtyp si një krimb. Shiko e shko tutje. Ose, më mirë, mbyll sytë e servilosur.
Por sytë nuk i mbylli, përkundrazi i zgurdulloi edhe më dhe ia mbërtheu funksionarit.
Burokrati u tkurr në kolltuk. I mbështetur mbi shkrimtoren e mbushur me biografi njerëzish, ai nuk e ndiente më veten njeri si gjithë të tjerët brenda qelisë së tij.
Tha me vete:
- Po, është ai, njeriu i bojës. - Dhe u zvarrit haparëndë jashtë zyrës.
Nuk deshi të shkonte në shtëpi. Hëngri diçka në një byrektore dhe piu një kafe. Shëtiti aspak i qetë nëpër bulevard, duke shikuar herë pas here qiellin e ngarkuar.
Ia behën pikat e para, u ngrit një erë pluhuri dhe pastaj nisi shiu i vërtetë.
Hapi menjëherë çadrën dhe vazhdoi shëtitjen përmes pellgjeve të sapoformuara. Rrebeshi pushoi papritmas, sikur të kishte marrë urdhër nga komanda e epërme për këtë sulm të gabuar, dhe vijoi të binte një shi i paktë.
Ishte errësuar.
Kur u kthye drejt sheshit, pa njerëz të grumbulluar rreth altoparlantëve. Atëherë u kujtua që po zhvillohej një proces gjyqësor kundër një grupi politik. Prokurori po lexonte duke bërtitur pretencën e tij kundër “këtyre tradhtarëve kriminelë, agjentë të shërbimeve sekrete të huaja, mbeturina të degjeneruara të borgjezisë, në shërbim të imperializmit…”
…një i dënuar tjetër …shoku i tij Genti, që sapo ishte kthyer nga jashtë… i diplomuar në filozofi…shpresa e madhe e socializmit…plot entuziazëm…pozita e tij intelektuale, inteligjenca e tij… një zgjidhje demokratike e pushtetit personal në sistemin ideologjik të degjeneruar…eseja e tij: “korrupsioni i lirisë”.
Fjalët e tij:
- Agron, duhet ta shpëtojmë popullin tonë nga frika e mjerimit.
- E ta hedhësh në falsitetin e një shprese? - i ishte përgjigjur.
- Na takon neve të mos lejojmë ta mashtrojnë, na takon neve të luftojmë e t’ia hapim sytë që të ruhet nga parashikime të rrema, të mos frikësohet më nga kërcënimi i së shkuarës.
- E kush ta lejon? Nëse kanë mundur të të mbyllin stomakun, ta ndryjnë edhe gojën.
Ai e nxiste për të marrë pjesë, për të qenë aktiv.
- Çfarë mendon të arrish me mënjanësinë tënde, Agron?
- Asgjë, përveç mbijetesës.
- A nuk të duket një lloj egoizmi kjo mënjanësia jote?
- Po, në qoftë se e konsideron egoizëm përpjekjen për të shpëtuar veten tënde.
- E pse të zgjedhësh pikërisht mënjanësinë si mënyrë jetese?
- Po çfarë tjetër ofron ky pushtet ndrydhës? Të futesh e të bësh pjesë në sistemin e krijuar nga një njeri për lavdinë e tij apo të zhdukesh pa arritur asgjë?
- Dhe ti beson se mënjanësia të shpie diku? Nuk është gjithashtu një eliminim i ngadaltë i vlerave të tua si njeri?
- Ndoshta, por e përsërit: është e vetmja rrugë e konservimit dhe e rezistencës, edhe pse pasive, kundër pushtetit të vendosur.
- Rezistencë? Duke ndenjur mënjanës ndaj problemeve të shoqërisë? A nuk është kjo mungesë burrërie?
- Pikërisht për të mos qenë burracak e të pendohem pastaj, kam zgjedhur mënjanësinë.
- E me këtë çfarë arrin?
- Të jem ky që jam, dhe kaq.
Shikonte Gencin dhe thoshte nën zë: “Edhe pse nuk mund të jem i tillë”.
Por ai ishte ai që qe, një hero i mendimit të vet, dhe e pësoi. Parapëlqeu të eliminohej, për të mos humbur vlerat e veta si njeri. Kushedi se ku ndodhej tashti. Në atë universitetin e pendimit, i mbyllur në një qeli të errët e të lagësht, duke biseduar me mendimet e veta, duke u vizituar në vetminë e tij nga mjeshtri mjekrosh, që çuditej teksa shihte të burgosur dishepullin e tij në burgun që mbante emrin e tij…
…dhe të gjithë të akuzuarit, të pambrojtur nga avokatë, rrëfenin fajet e tyre, pranonin akuzat dhe njerëzit nën ombrellat e palëvizshme, që ishin grumbulluar në shesh nën zhurmën e lehtë të shiut, dëgjonin rrëfime e vendime. Shëmbëllenin me kërpudha të zeza të mbira nga shiu. Dëgjonin dhe heshtnin. Hija e mbrëmjes përgjonte pritjen dhe shpresat fundoseshin në të çarat e shpirtit, teksa shiu trokiste prapa.
Duke parë ata njerëz të heshtur, kujtimet e çuan larg, në shkurtin e 43-shit…
... të varurit në xhaminë e Allahut... xhelati që qeshte... urrejtja - mburrje e fitores...
ajo dora e tij e shtrirë drejt atyre marionetave... shenjtorë të bardhë që rrinin pezull në ajër, piruetonin në boshllëkun që kishte lënë stoli, pika e mbështetjes jetësore... thirrje popullit... dhe populli që ishte spektator i bijve të vet, kufoma kokëforta... “djemtë e këqij” në këtë vdekje qesharake... poema adoleshente zbehtësie... dhe ajo fytyrë, ngërdheshje tallëse ndaj vdekjes... njerëzit përreth kësaj vdekjeje... dhe heshtja, ndarja e baballarëve dhe e nënave, e vëllezërve dhe e motrave, nga këta shenjtorë të bardhë pa kryq, që hidhnin valle në erë... dhe pështyma... gëlbazë jeshile mbi asfaltin e zi, zgjedhja e bërë në udhëkryq në atë agim me re ... në këtë agim të përhimët të shkurtit mizor...
Procesi mbaroi.
Vendim pas vendimesh me vdekje, pastaj qetësi në shesh. Vetëm pafundësia e trokitjes së shiut dhe kërpudhat e zeza që shkëputen nga sheshi. Një nga një zvarriten drejt strofullave të tyre. Edhe ai që shkon vetë i dytë nën ombrellë, është vetëm me veten e… me shiun.
Agroni, i trishtuar dhe i inatosur, mori rrugën e parkut për te liqeni. Ecte shpejt. U fut thellë në pyllin e pishave. Përshkoi monopatin e zakonshëm të djersës, djersë për të mundur zemërimin në natën e kujtimeve. Mërmëriste: “Faji im është të dua, faji im është të mendoj, faji im është liria, faji im më i madh është heshtja, ofshamë e një poeti të mbijetesës...”
Në errësirën midis pishave, syri flakërues i Polifemit vezullonte vigjilent. Ndaloi. I kërkoi errësirës t’i jepte lodrën e mendimit e ta fshihte nga tërbimi i zemrës. Më në fund thirri:
- O Uliks, jepmë verën tënde...
U kthye në shtëpi.
Ishte tmerrësisht i lodhur dhe zemërndrydhur. E shoqëronte një zemërim i përmbajtur. Ky zemërim iu kthye në një dhembje krenarie, e cila e bëri të ndihej i padobishëm e frikacak. Eksitimi i përmbajtur pak çaste më parë para shefit të kuadrit dhe më pas në shesh gjatë procesit gjyqësor, i ndrydhur me forcën e vullnetit, dhe vrapimi inatçor në pyll, i kushtonte shtrenjtë edhe fizikisht. U ndie tepër i dobët, si një i sëmurë që provon të çohet nga shtrati për herë të parë, mbas një periudhe të gjatë lëngimi. Nuk po e zinte gjumi. Rrotullohej si në hell mbi zjarrin e mendimeve të veta. Ndodhitë e ditës ripërsëriteshin në imagjinatën e tij, më të gjalla se çastet e njëmendta të përjetuara...
... vështrimet e druajtura të studentëve në oborr... leksioni i fundit... sytë e tyre të ngulur tek ai, të vëmendshëm, të interesuar... ca më pak sytë e përgjegjësit të klasës, denoncimi, sy të mbërthyer mbi thonjtë... koka tullace e drejtorit ... komunikimi... zëri pa ngjyrë... sytë gri... sy të papranishëm të një të verbri...
...në Komitet... shikimet e njerëzve... servilizmi i “Merimangës”... tërbimi i djalit…lëkundja e gruas së oficerit … dhe shefi … shamia nga njëra dorë në tjetrën … shkrimtorja që i ruante me xhelozi fletët mbi të, siç bënte dhe padroni i saj... roja besnike e fushës së shahut të shoqërisë ... ekzekutuesi i zellshëm i urdhrave nga lart ... muzgu i mbrëmjes ... shiu... çadrat ... procesi ... altoparlanti … syri i Polifemit... prokurori... pretenca... vendimi... rrëfimet e të akuzuarve me kokë të qethur zero... fytyrat e tyre verdhegri... hije pa vullnet dhe... faje, faje të kryera e të pakryera... nga syri i Polifemit tingujt e një marshi... dhe trokitja e shiut... dhe heshtja...
Veshët që i ushtonin dhe ... gjumi.
Një histori, thjesht ndryshe
Romani që na prezanton përkthyesi Amik Kasoruho, sikur të mos ishte ky emër, ndoshta do kalonte pa asnjë germë të shkruar në media, në qoftë se nuk do të na tërhiqte vëmendjen kjo dëshmi: “javë të tëra iu deshën tim ati ta rishkruante romanin “Syri i Polifemit” dhe disa nga poezitë e tij me një kaligrafi tepër të imët dhe që mund të lexohej vetëm me ndihmën e një thjerre. Mjafton të shikohet faksimilja e një faqeje të dorëshkrimit. Ishte tetori i vitit 1987, kur ai më së fundi arriti të merrte vizën për në Itali, për të shkuar te motra e tij e vetme. E ngjeshur kështu në pak fletë dhe e fshehur me kujdes nën tabanin e çantës së udhëtimit, vepra e tij arriti t’i shpëtonte kontrollit doganor, duke kapërcyer me sukses pengesën e parë, përpjekje kjo tepër e rrezikshme për atë kohë.
Leja e shkurtër e qëndrimit nuk i dha mundësinë që të gjente mënyrën për ta botuar në Itali. Vepra mbeti atje, te nipi i tij, i cili, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk arriti ta deshifronte dorëshkrimin. Më vonë edhe përpjekjet e mia të herëpashershme për ta botuar romanin në Itali ose në Gjermani, me gjithë vlerësimin shumë të mirë të lektorëve të huaj që e kaluan nëpër duar, mbetën të pasuksesshme”. Këto janë fjalët e nipit të Robert Priftit, Edgarit që solli në shqip pikërisht romanin për të cilën na rekomandon Kasoruho, dhe që duhet ta besojmë, se është një befasi historike. Jo vetëm nga dëshmia e mësipërme se si Prifti shkruan një libër, plot gjurmë të kohës, por për nevojën që kanë lexuesit për një ngjarje plot lëndë, dhe histori njerëzore aq personale, të thjeshtë, të ndryshëm të një përditshmërie shqiptare të viteve më të zymta, gati rrënues- vitet ’87. Duke shkruar fshehurazi për vite të tëra, në kushte të pavolitshme dhe ndrydhjeje, arriti të hidhte në të pastër dy romane, dy ese, një përmbledhje me tregime dhe dy përmbledhje me poezi. Roberti vdiq papritur në Tiranë më 22 tetor të vitit 1993.