Zuvdia Hoxhiqi ; Dashuria me majat e Bjeshkëve të Nemuna
Zuvdia Hoxhiqi, shkrimtari dhe akademiku boshnjak, me origjinë shqiptare, po përgatit një roman të ri, si libër i ardhshëm që flet për kronikën e të parëve të tij, që ishin dervishë dhe bektashinj, duke kaluar kufijtë në hapësirën e Ballkanit, ku përfshihet dhe Shqipëria e deri në Anadoll. Ky shkrimtar na prezantohet me ndjeshmëri të lartë që burojnë nga një magji besimi, hyjnore, mbi njeriun me natyrën e për këtë arsye frymëzimi i tij më i lartë, dashuria e tij më e madhe, aty ku i ridimensionohet qenia janë Bjeshkët e Nemuna. Së shpejti Hoxhiqi pret të vijë edhe në Shqipëri, në Tiranë, ku lajmëron se do të ketë një mbrëmje letrare, si dhe një ekspozitë vizatimesh në të cilën, kryesisht do të prezantohen motive nga Mali i Zi, por edhe nga Kosova. Zuvdia Hoxhiqi u lind në vitin 1944 në Guci. Shkollën fillore e kreu në Guci, Pejë dhe Plavë, gjimnazin në Berane (Ivangrad). Në Prishtinë ka kryer Fakultetin Filologjik. Nga viti 1962 jeton në Titograd (Podgoricë). Është anëtar i rregullt i Akademisë Duklane të Shkencave e të Arteve. Ka botuar librin me poezi “Në konakun e parë” (1970), librin me tregime “Kambana e shurdhër” (1973) dhe “Dikush thërret” (2000), romanin “Viti i Gucisë”, (1976,1996), romanin “Ylli i Davidit” (1991, 2000, 2001) dhe librin me reportazhe dhe udhëpërshkrime “Një ditë e jetës”, (1995). Poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë. Është përfaqësuar edhe në shumë antologji dhe përzgjedhje poetike. Tre libra të tij janë përkthyer në gjuhën shqipe. Është fitues i shumë shpërblimeve dhe çmimeve prestigjioze letrare. Është i njohur edhe si vizatues i suksesshëm, grafist dhe ilustrator. Ka pasur ekspozita individuale në Podgoricë, Plevle, Ulqin, Plavë, Cetinë. Ka botuar edhe librat me vizatime “Podgoricës së vjetër” (1999), si dhe “Zbulimi i vendlindjes”. Kritika letrare e konsideron si një shkrimtar shumë të rëndësishëm, të një force të madhe epike, të një gjuhe të lartësuar e të pasur.
Jeni lindur dhe fëmijërinë e keni kaluar në Guci, kurse djalërinë në Plavë, vende që për ju janë një. Krijimtarinë tuaj e ndërlidh dhe e gërsheton koloriti gjuhësor dhe ambiental. Në qendër të vëmendjes të veprës suaj kryetemë është Gucia, toponim letrar i një kuptimi të gjerë simboliko-metaforik, si dhe banorët e saj. Në ç’kuptim dhe sens shkrimtari i ka borxh vendlindjes?
Faktin se jam i lindur dhe se vitet më të rëndësishme të jetës i kam kaluar në Guci, kur është fjala për veprën time letrare, i konsideroj me fat dhe privilegj, si dhuratë nga Zoti. Për dallim ta zëmë nga Makonda imagjinare e Markesit, Gucia ime është reale. Gjithmonë në kufirin gjeografik, ushtarak, territorial, shtetëror ka pasur një histori interesante dhe të bujshme, personalitete dhe zhvillime që e tejkalojnë edhe imagjinatën më të bujshme. Gucia ka një fuqi magjike që ta lidhë më veten secilin që është lindur aty, madje edhe ata që janë lindur dikund tjetër, por që me prejardhje janë nga Gucia. Flitet se nuk ka vend në botë ku nuk do të gjeni dikë nga Gucia, dhe njëmend nuk ka gucias, kudo që të jetojë e të mos kthehet në Guci, që ajo të mos jetoj tek ai.
Përvoja ime e pasuruar me udhëtime, me lexim dhe me njohjen e veprave historike, më ka mësuar se çfarëdo që ka në botë dhe në letërsi ekziston edhe në vendlindjen time, për çka një ushtar turk ka shkruar se Gucia është në fund të botës. Dhe, ja pikërisht ajo në një moment të caktuar “historik”, pas Kongresit të Berlinit dhe Luftërave ballkanike - të gjendet në fokusin e interesimit të opinionit ndërkombëtar, ka ndërlikuar marrëdhëniet të fuqive të Mëdha dhe për pak, pa fajin e vet, ka shkaktuar konflikt botëror. E vogël, etnikisht dhe fetarisht e përzier, vendlindja më ka ndihmuar që edhe gjërat më të komplikuara t’i vrojtojë në mënyrën më të thjeshtë. Që edhe në atë të zakonshmen t’i gjejë temat, motivet dhe mesazhet universale.
Libri “Zbulimi i vendlindjes” përmban 58 grafika me motive nga Plava e Gucia. Akademiku Mladen Lompar, në pasthënien e këtij libri, pos tjerash ka nënvizuar: “Vizatimet e Z. Hoxhiqit janë një arkiv hapësinor i llojit të veçantë, një shprehje e rrjedhës së ndaluar, paraqitje e hapësirës pa njeriun, por me shpirtin njerëzor në secilin potez dhe paraqitje” ...
Vendlindja-janë njerëzit me të cilët keni jetuar, relacioni mes tyre, filozofia e tyre jetësore. Në Guci nuk është e rëndësishme sa jetohet, por si jetohet. E kemi xhaminë, por edhe kishën ortodokse dhe atë katolike, shembullin më të mirë të bashkëjetesës.
Kur në vitin 1865 krypeshkopi katolik, Mujko Qurqija, ka vizituar Gucinë, është pritur si mysafiri më i dashur, me respektin më të lartë nga popullata e islamizuar. Mund edhe ta citojë rastin e hoxhës, i cili i ka shkolluar dy fëmijë të varfër katolikë. Në Gucinë, të njohur shkaku i Tregut të Tetorit, që kah mesi i shekullit XVIII kishte mbi 300 dyqane, shtate hane, shkollën e mesme dhe disa fillore shkohej e vihej lirisht. Thonë se as dyqanet e lëre më shtëpitë, nuk mbylleshin. Lidhjet tregtare me Shkodrën, Durrësin, Kotorin, Pejën, Selanikun dhe me qytetet e tjera deri të cilat karvanet guciane kanë ndihmuar shumë që të përhapen dituritë dhe të vendosjes jo vetëm lidhjet tregtare por edhe ato kulturore, të realizojnë ndikime frytdhënëse.
Nga andej kanë arritur njerëz interesantë, mysafirë me të cilët të gjithë janë gëzuar duke shkaktuar një kërshëri të përgjithshme dhe duke nxitur imagjinatën. Kanë sjellë mallra të ndryshme por edhe libra, ndikime, këngë, kulturë... Kanë folur bukur, ndonëse jam i sigurt se në të rrëfyer askush nuk është i barabartë me gucianët e mi. Ky talent i të rrëfyerit është i lindur dhe i trashëguar si dhe prirja dhe dëshira të mblidhen në ndeja dhe që deri vonë natën t’i zbavitin dëgjuesit. Kjo është thadruar thellë në mbamendjen time, kjo më ka mbetur lektura më e mirë dhe më e dashur. Atyre personave u jam shumë falënderues. Së këndejmi është me vend edhe vlerësimi i kritikut letrar Marko Shpadijer “që askush nuk i do aq shumë dhe aq sinqerisht, trimat e vet si Zuvdija Hoxhiq”.
ǒështë e vërteta edhe ata më duan. Jam i sigurt se nuk ka shkrimtar ndaj të cilit vendlindja dhe njerëzit e vendlindjes të kenë një raport dashurie dhe respekti ndaj meje si gucianët dhe plavianët e mi. Më ftojnë rregullisht edhe në Amerikë, Gjermani, Holandë, Slloveni, Suedi, ku i kanë klubet dhe shoqatat e tyre. M’i dërgojnë biletat, më mbulojnë me dhurata, nuk më lejojnë të kthehem shpejt, ndonëse, si gjithmonë, çdo verë të gjithë jemi bashkë në vendlindje.
Në librin “Viti i Gucisë” keni shtruar pyetjen e përhershme morale: Si të sillemi si njeri? A është kjo e vështirë, mundshme, reale, e realizueshme?
Fjalia të cilën në fëmijëri e kam dëgjuar shpesh, të cilën të vjetrit na e referonin ishte: “Mos i korit (turpëro) varrezat”. Mesazhet e tilla etike, në të vërtetë kërkojnë edhe obligime, bëhemi të vetëdijshëm “kur të vi koha për këtë”, e ajo vjen shpejt dhe zgjat deri në fund të jetës. Kjo do të thotë se në çdo gjë dhe në çdo vend, në secilin rast, të jesh njeri, sidomos kur të kihet parasysh se kë me kënd të krahasohesh, kujt t’i ngjasosh.
Nuk është kjo e lehtë, por në fund kur të mblidhen të gjitha llogaritë, kur na pret beteja e fundit, paraprakisht e humbur, takimi me vdekjen, njeriu nuk e ndje së është humbës.. Përkundrazi, i vetëdijshëm për kalueshmërinë e kësaj bote, njeriu është i bindur së është fitues. Në romanin “Viti i Gucisë” kam shkruar se kurdo që jeta më ka sfiduar, para sysh më kanë dalë varrezat e Gucisë dhe nishani me emrin tim, që më tërheqin vërejtjen të sillem si njeri. Kjo më ka ndihmuar që të dalë nga disa situata kur nga frika këmbët më dridheshin. Ja një shembull i tillë: Autobusi më të cilin jam kthyer nga Gucia, në kthesën mes Morinës dhe Andrijevicës, kishte goditur murin mbrojtës. Kishin filluar që gurët të rrënoheshin në thellësi. Autobusi u përkul, i gatshëm në çdo moment të rrokullisej. Vozitësi dhe kondukteri menjëherë kërcyen, dolën nga autobusi. Ishin afër daljes dhe udhëtarëve të frikësuar iu bërtita “Gucianë, ndaluni! Së pari të dalin fëmijët dhe gratë”. Më dëgjuan. Unë caktoja renditjen e daljes. Autobusi luhatej, por mënyra sesi u sollën udhëtarët është e pabesueshme. Të fundit dolëm unë dhe djali im i axhës. Kur arritëm në Podgoricë, motra më priste para shtëpisë. Më përqafoi dhe qante. Nuk kam ditur se rrëfimi për ngjarjen në rrugë do të mund të arrinte para nesh dhe se roli im ishte hiperbolizuar. Por, si do të ndodhte sikur të isha sjellë në ndonjë mënyrë tjetër? Gucianët kurrë nuk do të ma bënin hallall, nuk do të ma falnin turpin. Do t’i kisha koritur edhe varrezat. Unë kam parë ëndërr disa herë sesi autobusi binte në humnerë, që, për fat nuk ndodhi në realitet: u ndal në skaj, në “gjysmë”. Megjithatë e fitova betejën me veten dhe frikën. Normat etike dhe parimet, respektimi i tyre, respektivisht sjellja në pajtim me to, është detyrë dhe obligim për të cilat askush, i cili veten e konsideron për njeri nuk do të guxonte të gabonte.
Edhe te vizatimi ju keni pikënisje dashurinë ndaj vendlindjes, dëshirën që vizatimet tuaja të jenë edhe një rrëfim për bukuritë dhe vlerat e vendlindjes, për gjithkohësinë dhe kalueshmërinë e përhershme...
Jam i dashuruar me natyrën, me botën dhe bukurinë e saj, posaçërisht jam i dashuruar me malet, bjeshkët. Shumë rrugë çojnë në Fuxhia, por vetëm një rrugë shpie deri te maja e saj- dashuria-thotë një fjalë e urtë japoneze. Dashuria në majat e Bjeshkëve të Nemuna më ka sjellë edhe mua si edhe shumë para meje, që nga akademiku Branimir Glushiqi, i cili më së miri i ka njohur, dhe ka bërë që ato bjeshkë të njihen, duke i kaluar që nga viti 1930, deri te vdekja 1975, pastaj përmes alpinistes së njohur evropiane Maria Derzhaj Debelak, e cila në vitin 1934 kishte pushtuar Majën e Rosit dhe për këtë pushtim e kishte shkruar një shkrim të frymëzuar, si dhe shumë bashkëkohës tonë. “Atë që e kërkojmë në lugina e gjejmë në majë të bjeshkës”, - ka shkruar Edgar Allan Po.
Çfarë përjetimi estetik ofron shikimi, vizioni nga Alpet shqiptare, derë e të cilave është Gucia?
Shikimi nga Bjeshkët e Nemuna ofron përjetimin më të bukur estetik. Nuk di se ku ka përjetim kënaqësie më të madhe: në bukurinë e panoramës, yllin vezullues në pasqyrat malore, lindjen e mëngjesit apo perëndimin e diellit, në këngët e zogjve, që, si edhe njerëzit i duan majat e bjeshkëve dhe në aromat joshëse dhe ngjyrat e thekshme të bimëve malore, të barërave shëruese, të cilat, së bashku me babain kam mësuar t’i mbledhë dhe t’i shfrytëzojë. Të gjitha këto janë krijuar që të të impresionojnë, që të të trazojnë imagjinatën. Gjithsesi janë të paharrueshme netët, kur kemi përshtypjen se yjet mund t’i prekim me dorë. Ndjeshmëri të ngjashme përjetoj gati me të gjitha rastet me ngrehinat e vjetra, zakonisht larg rrugëve dhe shikimeve. Jam impresionuar me këta dëshmitarë të heshtur të kryqëzimeve, të dallimeve, por edhe të gërshetimeve frytdhënëse të civilizimeve dhe të kulturave, të cilat qytetari ynë ka ditur me harmoni t’i thithë, t’i depozitojë dhe t’i mbindërtojë. Me kënaqësi i kam vizatuar duke pasur ndjenjën se po i shohë për herë të parë. Më ka tërhequr çdo gjë, hapësira e murosur, kapia pa derë dhe... muret e mbuluara me ... Çdo gjë para syve të mi fitonte ngjyrë dhe trajtë tjetër, fliste, ngjallej, vazhdonte të gjallojë. Duke imagjinuar se çfarë kanë qenë, jam mrekulluar me bukurinë dhe me pasionin e pandërprerë njerëzor dhe për nevojën për të, për entuziazmin krijues, i cili fisnikëron dhe pasuron shpirtin dhe ... Kam kuptuar se edhe vlerat e vendlindjes, nga mungesa e kujdesit janë lënë anash, se mund të paraqesin të mira gjithënjerëzore dhe gjithëbotërore. Duke udhëtuar si gazetar nëpër Mal të Zi, duke shkruar reportazhe, unë gjithë kohën edhe kam vizatuar. Në këtë mënyrë është kompletuar koleksioni e punimeve pamore, që e kam trajtuar si një material dokumentar, kurse kritikët vepër artistike.
Në rininë e hershme e keni provuar veten me vizatim, para se të filloni të shkruani? A ka lënë gjurmë në letërsinë tuaj vizatimi? Pse me dëshirën më të madhe vizatoni shtëpitë, vatrat, pragun e shtëpisë?
Pse shtëpitë? I dua vendet në të cilat zhvillohet jeta, në të cilat kanë jetuar familje të mëdha, ndoshta nga fakti se edhe unë vetë kam jetuar në një shtëpi të tillë. Pos kësaj ato janë punuar me një stil interesant. Në arkitekturën e tyre ka ndikime të ndryshme, por më së shumti të asaj që është shprehje e shpirtit tonë dhe e nevojës sonë. Ato jetojnë te ne, pikërisht të ne në Mal të Zi, sigurisht edhe në Kosovë e në Shqipëri e kanë psikologjinë, historinë, rrëfimin. Ato janë ai fenomeni që e quajmë vatër, pragu shtëpiak, shenjtëri.
Kur zhduken, vërtet na vjen keq. Edhe mua me vjen keq kur shoh si rrënohen. Edhe kur i vizatoj, ndjej sikur i kam ruajtur edhe për vete edhe për të tjerët që i kanë dashur. Unë jam njeri i kësaj kohe. Unë nuk vajtoj të kaluarën, të përftuarën. Unë vetë dua të përkujtoj, të imagjinoj, që, nëse mundem të ndikojë në atë që tërë ajo që është me vlerë dhe që është vepër e duarve dhe të shpirtit njerëzor, duhet dashur dhe respektuar.
Çfarë paraqet për ju krijimtaria?
Nuk jam nga ata, të cilët thonë se nuk do të mund të jetonin pa shkruar. Tërë atë që deri tash e kam shkruar, e kam bërë nga kënaqësia, shpeshherë duke e ndërruar interesimin. Kam punuar atë që më ka sjellë kënaqësi. Kur bëj bilancin se ku, në të cilat vende kam arritur, se me çfarë jam marrë, gati sa e pyes veten: kur janë shkruar ato libra të mi (që nuk janë shumë). Kam qenë edhe deputet, delegat, gazetar, redaktor, aktivist rinie e partiak, epror vëzhguesish, ferialist, bjeshkatar, sportist, aktivist sporti... por as tash nuk jam pa angazhime: jam kryetar i Këshillit Drejtues të Qendrës për Diasporën e Malit të Zi, Sekretar i përgjithshëm i PEN Klubit malazias, nënkryetar i Shoqatës së Lidhjes së Luftëtarëve të LDB dhe i Antifashistëve të Malit të Zi, redaktor i “Almanahut”, i “Shtegtime” deri vonë kryetar i KF Gusinje, tash, që nga atëherë kryetar i përhershëm nderi, pastaj nënkryetar i veteranëve të xhudos së Malit të Zi.
Si e keni njohur dhe çfarë ishte raporti juaj me shkrimtarin Esad Mekuli?
Esad Mekuli, i cili në mënyrë vendimtare ka ndikuar tek unë ma shihte për të madhe, për një shpërqendrim “shpërndarjen”, “hallakatje” timen. Në një mënyrë i kam mbetur borxh. Nuk kam dhënë sa ai priste nga unë dhe sa kam mundur. Por, besoj se e kam shansin që të përmirësohem. Ndoshta, që me librin e ardhshëm - romanin, kronikën për të parët e mi, që me gjenerata ishin dervishë, bektashinj. Në këtë libër, unë përcjell fatet dhe jetën e tyre përmes një periudhe të gjatë kohore dhe në hapësirën e gjerë që nga Ballkani (e Shqipëria) deri në Anadolli. Kam hyrë në botën e tyre, pothuaj me ndjenjën sikur t’u takoja atyre. E kam studiuar filozofinë e tyre, poezinë, ritualet - ishin të arsimuar, kishin një rol të rëndësishëm në zhvillimet e rëndësishme historike, të merituar për zgjimin e vetëdijes nacionale shqiptare, për zhvillimin e arsimit e të kulturës.
Së shpejti, me ndërmjetësimin e Ambasadës së Malit të Zi në Shqipëri, në Tiranë do ta kem një mbrëmje letrare - portret dhe një ekspozitë vizatimesh në të cilën, kryesisht do të prezantohem me motive nga Mali i Zi, por edhe nga Kosova, ku familja ime, natyrisht edhe unë kemi jetuar disa vite në Pejë. Në Prishtinë kam mbaruar studimet e letërsisë. Atje janë botuar të gjitha librat e mia, atje jam i respektuar, jam i përfaqësuar në antologjitë dhe përzgjedhjet, në programet arsimore, ndaj është rendi që edhe unë disi ta kthej këtë borxh.
Cili është raporti i shkrimtarit me rrëfimin?
Shkrimtari Qamil Sijariqi ka shkruar se duke folur e duke dëgjuar - jetohet dy herë, kurse Andriqi thotë se shkrimtari është si Sheherzadja, e cila duke rrëfyer e zgjat jetën e vet. Secilit i bëhet se tregimet e tij janë jetë - për romanin. Shkrimtari e transformon jetën në tregim, tregimin në jetë. Si fëmijë, unë i kam kallëzuar përjetimet e të tjerëve si të ishin të miat, kurse si shkrimtar më së shpeshti, përjetimet e mia si të huaja. Shkrimtari shpesh i ngjason dervishit të verbër nga rrëfimet e Lindjes. Nuk ka shkrimtar, i cili nuk mendon te lexuesi. Nietsche e thotë këtë mirë: “Yll i madh, ku do të ishte lumturia jote, kur nuk do t’i kishte ata të cilët i shndritë”?
Cili është opinioni juaj për Pavarësinë e Kosovës e të Malit të Zi?
Si njeri mund të them se kam qenë nga luftëtarët e parë të pavarësisë së Malit të Zi, i cili për këtë shkak kam pasur edhe shumë telashe, kam mbetur pa punë, kam punuar fizikisht në fermën e shpezëtarisë, i përndjekur dhe i aksentuar nga shtypi. Jam i kënaqur që Mali i Zi, i është kundërvënë projektit të Naçertanies e të Memorandumit Serb. Shpresoj që ky vend të bëhet vend njëmend demokrat, që do të ketë sukses të lirohet nga pushtimi i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Malit të Zi, e cila vërtet është filianë e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Serbisë, e sidomos të lirohet nga rreziku kryesor – Kisha Ortodokse Serbe, militante dhe shumë e fortë, e cila mbi parimit e shënsaviane e ndërton politikën e vet, duke i përkufizuar e përvetësuar vlerat e përbashkëta dhe shenjëtëritë. Në majat e Rumisë, vendin e shenjtë ku me shekuj bashkërisht kanë dalë edhe myslimanët, katolikët edhe ortodoksët, - me ndihmën e ushtrisë së Jugosllavisë e ka vënë Kishën e metaltë dhe praktikisht i ka dëbuar besimtarët e mirëfilltë të të tria konfesioneve. Në Ballkan do të arrijë paqja, qetësia, jo kur të gjithë të hyjmë në Unionin Evropian, por kur Serbia ta kuptojë se Pavarësia e Kosovës është sa në interesin e Kosovës, po aq edhe të vet Serbisë. Sa i përket Malit të Zi, karshi fqinjëve, në radhë të parë me Shqipërinë dhe me Kroacinë të vendosë marrëdhënie reciproke të njëmendta, të mirëfillta.