Peja synon ta ndalë Prishtinën
Sigal Prishtina dhe Peja do të ballafaqohen të dielën në kryeqytet, në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Bardhekaltrit dhe verdhezinjtë depërtuan në finale të këtij trofeu, pasi të premten mbrëma eliminuan me lehtësi Bambin, përkatësisht Trepçën.
Paraqitjet e mira që patën këto dy skuadra në ndeshjet gjysmëfinale kanë bërë që trajnerët e tyre ta fitojnë bindjen se ekipet përkatëse kanë fuqi për ta fituar betejën e ndërsjellë për këtë trofe.
Në periudhën e pasluftës, prishtinasit këtë trofe e kanë fituar tetë herë. Madje, në gjashtë vitet e fundit, Sigal Prishtina është dëshmuar pa konkurrencë mes ekipeve të tjera, duke u stolisur me Kupën shtetërore gjashtë herë rresht.
Strategu i badhekaltërve, Arben Krasniqi beson se skuadra e tij të dielën do ta fitojë për të shtatën herë rresht Kupën e Kosovës, përkundër respektit të madh që ka për rivalin e kahershëm nga Peja.
Ai është i bindur se ekipi i tij mund t’i gëzohet këtij trofeu, vetëm nëse luan sikurse që luajti ndaj Bambit, në të cilën ndeshje Sigal Prishtina funksionoi perfekt në çdo segment.
“Secila finale është shumë e vështirë për t’u fituar. Nuk ka finale të lehtë. Nuk do ta kemi aspak lehtë ndaj Pejës, e cila sikurse ne, cak e ka Kupën e Kosovës. Andaj, them se gjasat janë 50 me 50 për qind për të dyja ekipet. Neve nuk na mbetet tjetër veçse të përgatitemi mentalisht dhe të luajmë me mençuri në finale. Realisht, kisha pasur dëshirë që në këtë finale basketbollistët e mi të luajnë sikurse që luajtën në gjysmëfinale ndaj Bambit”, deklaroi për Express trajneri kryeqytetas, i cili me Sigal Prishtinën po dominon plotësisht viteve të fundit në basketbollin kosovar.
Por, këtë dominim të prishtinasve synon ta thyejë të dielën Peja, e cila sivjet është mobilizuar për të fituar trofe, andaj edhe është përforcuar me dy lojtarë amerikanë, të cilët dëshmuan në gjysmëfinale se kanë kualitete të larta.
Kryetrajneri i pejanëve, Bujar Loci shpreson që djelmoshat e tij t’ia dalin ta thyejnë Sigal Prishtinën midis kryeqyteti.
“Vetë fakti se Sigal Prishtina synon ta fitojë për të shtatën herë rresht tregon se ajo skuadër është fantastike e komponuar mirë, pasi stafi teknik dhe lojtarët e saj tash e disa vite luajnë bashkë. Përforcimi më i madh i Sigal Prishtinës është kthimi i Edmond Azemit. Ai djalosh, për mendimin tim, është sa 50-përqindëshi i ekipit. Megjithatë, ne do ta japim maksimumin që këtë sfidë ta kalojmë pozitivisht”, deklaroi Loci.
Sfida mes prishtinasve dhe pejanëve zhvillohet prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet. Kjo ndeshje cilësohet si më e mira deri më tani në këtë vit në basketbollin kosovar, e cila pritet të mbledhë numër të madh shikuesish.