E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina s’guxon të ‘kiksojë’

Prishtina nuk guxon të gabojë të dielën në duel me Vëllaznimin. Bardhekaltrit synojnë vetëm fitore ndaj kuqezinjve për ta ruajtur statusin e liderit të Superligës, të cilën pozitë Hysi po tenton fuqishëm t’ua rrëmbejë. Por, prishtinasit nuk do ta kenë aspak të lehtë në duel me gjakovarët, të cilët kërkojnë pikë të shpresës për mbijetesë. Nga Valon Konushevci më 08 maj 2011 në ora 13:05

Garat në Superligën e Kosovës po shkojnë drejt përfundimit, derisa lufta për titull të kampionit dhe për mbijetesë secilën herë po nxehet më shumë.

Kështu, të dielën do të zhvillohen tri ndeshjet tjera të xhiros së 27-të, në kuadër të së cilës skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit do të kërkojnë fitore përballë ekipeve që po luftojnë për mbijetesë, të cilave po ashtu u nevojiten jashtëzakonisht shumë pikët.

Ndeshje e tillë do të zhvillohet në kryeqytet mes liderit aktual të Superligës, Prishtinës dhe Vëllaznimit të rrezikuar.

Bardhekaltrit po ndiqen denjësisht nga Hysi në luftë për titull, andaj prishtinasit nuk guxojnë të gabojnë në duel me gjakovarët, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores do t’ua rrezikonte edhe më shumë vendin e parë.

Skuadra e trajnerit Ramiz Krasniqi, nga e diela e kaluar ka hasur në rrezik të madh për ta humb pozitën e parë, pas humbjes që e pësoi në Rahovec nga Ballkani, me ç’rast Hysi iu ofrua vetëm në një pikë.

“Vetëm me fitore ndaj Vëllaznimit mund ta harrojmë humbjen që e pësuam nga Ballkani. Jemi të vetëdijshëm se duhet dhënë maksimumin për ta bërë një gjë të tillë. Prishtina njihet si skuadër e organizuar dhe pavarësisht çdo rezultati negativ, nuk duhet të bie motivi në ekip. Prandaj, ne kemi gjetur forcë për ta mposhtur Vëllaznimin. Më nuk guxojmë të gabojmë”, tha sulmuesi i Prishtinës, Astrit Fazliu, duke bërë të çart se ekipi i tij kërkon tri pikë të plota në duel me kuqezinjtë.

Mirëpo, prishtinasit nuk do ta kenë aspak lehtë ta arrijnë objektivin, sepse edhe Vëllaznimi kërkon pikë nga kjo përballje, pasi humbja eventuale do ta çonte këtë skuadër edhe një hap mbrapa në luftën për mbijetesë.

“Prishtina ka një ekip tejet cilësor me lojtarë kualitativë dhe jo rastësisht gjendet në vendin e parë. Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje tejet e vështirë. Na mbetet që të angazhohemi dhe në Gjakovë të kthehemi me ndonjë rezultat pozitiv, që do të na lehtësonte punët në vazhdim të garave në luftën tonë për mbijetesë”, ka pohuar kapiteni i gjakovarëve, Atdhe Gashi.

Çdo gabim eventual të Prishtinës në duel me kuqezinjtë do të mundohet ta shfrytëzojë Hysi në Merdare, ku do të përballet me ekipin më të rrezikuar, por që ende ka gjasa për të mbijetuar, Ferizajn.

Edhe për bardhezinjtë fitorja është objektivi i vetëm në këtë takim, derisa ferizajasit do të kënaqeshin edhe me një pikë eventuale.

Kurse ekipi tjetër mjaft i rrezikuar, Flamurtari nuk guxon të gabojë në Mitrovicë në duel me Trepçën ’89, pasi humbja eventuale do t’ua vështirësonte akoma më shumë punët kryeqytetasve në betejë për ekzistencë.

Superliga – xhiroja e 27-të

E diel
Trepça ’89 – Flamurtari
Hysi – Ferizaj
Prishtina – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet nisin në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›