E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekini reagon kundër planeve të SHBA-së

Kina ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Leon Panetta, i cili paralajmëroi se deri në vitin 2020, SHBA-ja do të zhvendosë rreth 60 për qind të flotës së vet detare në Paqësor.

Pavarësisht garancive të Panettas se ky hap nuk është i drejtuar kundër Kinës, Pekini reagoi në mënyrë agresive, duke bërë të qartë në një komunikatë se prania amerikane në rajon nuk është e mirëpritur.

”SHBA duhet të tregohet e kujdesshme që të mos trazojë ujërat e qeta të Oqeanit Paqësor”, thuhej në reagimin, që përputhet me vijën e ndjekur që më parë nga Kina, në lidhje me interesin e shtuar amerikan në rajon.

Tendosjet midis SHBA-së dhe Kinës lidhen kryesisht me mbështetjen që i jep Washingtoni zyrtar Tajvanit, i konsideruar si një krahinë separatiste dhe i kërcënuar me ndërhyrje ushtarake, nëse bën çdo përpjekje për njohje formale të pavarësisë.

Një tjetër burim përplasjesh është Deti i Kinës Jugore, i konsideruar nga Pekini si ekskluzivisht i tij, ndonëse Tajvani, Vietnami, Malajzia, Singapori, Brunei dhe Filipinet kanë gjithashtu pretendime territoriale.

Përpara se të shpallej vendimi për të zhvendosur më shumë trupa në Paqësor, SHBA fajësoi Pekinin për udhëheqjen e një sulmi kompjuterik që synonte përvetësimin e paligjshëm të informacioneve të rezervuara shtetërore dhe të kompanive private.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›