Pele, mesazh botës për t'u solidarizuar me fatkeqësinë e Haitit
Pele një nga legjendat dhe ikonat e futbollit botëror në të gjitha kohërat i ka bërë thirrje zyrtarëve më të lartë të të gjitha shteteve që të ndihmojnë Haitin për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet aktualisht pas tërmetit që përfshiu këtë shtet.
Pele pohoi se kjo ndihmë është shumë e nevojshme për një komb, qytetarët e të cilit nuk kanë ushqim nuk kanë strehë mbi kokë dhe më keq akoma nuk ka varre për viktimat e tërmetit.
"Në të gjithë botën duhet që të gjallërohet ndjenja e vllazërisë më shumë se asnjëherë tjetër. Cfarë duhet të bëjnë shtetet e botës për të ndihmuar ? Unë mendoj se të gjitha shtetet e botës duhet që të ndjekun shembullin e Brazilit."- pohoi legjenda e futbollit botëror dhe një nga sportistët më të vlerësuar në shekullin e kaluar. Pele theksoi se shteti i Haitit duhet që të ketë afër më shumë se kurrë të gjithë botën për të përballuar këtë situatë të paprecedentë.
Por përveç çështjes së Haitit, ish-futbollisti ikonë foli për botërorin e Afrikës që do të zhvillohet në muajt e verës. Sipas Peles në këtë botëror do të ketë shumë surpriza nga kombëtaret e ashtuquajtura "të vogla".