Pelegrinazhi në Malin e Tomorit, Drejtoria Vendore e Policisë Berat shpall planin e sigurisë dhe të qarkullimit

Në vigjilje të pelegrinazhit të përvitshëm në malin e Tomorit, i cili zhvillohet nga data 18 deri më 25 gusht 2026, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka hartuar një plan të detajuar masash për të garantuar rendin publik dhe një qarkullim të sigurt e pa pengesa.
Përfaqësuesi i policisë rrugore doli në një deklaratë për mediat për të sqaruar publikun mbi objektivat kryesore të këtij organizimi të madh vjetor. Nënkomisari Lorenc Tanushi, me cilësinë e specialistit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Berat, theksoi se “plani i masave synon parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike”.
Ai nënvizoi më tej se janë planizuar shërbime të shtuara jo vetëm përgjatë rrugëve, por edhe në afërsi të objektit të kultit, në Teqenë e Kulmakut.
Zbatimi i këtyre detyrave do të kryhet përmes një bashkëpunimi të gjerë ndërinstitucional. Struktura e DVP Berat do të mbështetet nga FNSH Fier, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, pushteti vendor, si dhe do të koordinohet me shërbimet e urgjencës shëndetësore të Spitalit Rajonal, zjarrfikësit (PMNZSH) dhe vetë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Rregullat e qarkullimit dhe kufizimet e ndërmarra
Për shkak të fluksit të madh të mjeteve, policia ka ndarë qartësisht rrugët hyrëse dhe dalëse për t’iu shmangur bllokimeve të trafikut.
Hyrja drejt Teqesë
Të gjithë drejtuesit do të ndjekin linjën: Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut.
Kthimi nga Teqeja
Janë vënë në dispozicion dy akse alternative për zbritjen, nëpërmjet fshatrave Bargullaz – Pronovik ose Novaj – Bogovë, të dyja me drejtim kalimin nga Poliçani, Uznova dhe rikthimi në unazën “Antipatrea”.
Pelegrinët nga Skrapari
Ata që udhëtojnë nga drejtimi i Çorovodës, duhet të përdorin ekskluzivisht aksin Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut.
Ndërhyrjet përfshijnë kufizime të rrepta për mjetet e transportit.
Gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit, nga ora 06:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në disa akse – përfshirë akset kryesore hyrëse nga Dimali, Kuçova dhe drejt malit.
Automjetet e transportit të udhëtarëve si autobusët apo furgonët mbi 8 vende, nuk do të lejohen në segmentin e ngushtë malor nga Plirëzi drejt Teqesë. Po ashtu, për shkak të parametrave të rrugës, në këtë segment malor lëvizja do të kryhet ekskluzivisht në kolonë dhe parakalimet janë të ndaluara rreptësisht.
Qëndrimi apo pushimi i mjeteve jashtë vendparkimeve të përcaktuara nga punonjësit e policisë nuk do të tolerohet.
Apeli përfundimtar nga autoritetet kërkon nga pjesëmarrësit një zbatim rigoroz të rregullave themelore rrugore, evitimin e plotë të alkoolit dhe celularit në drejtimin e mjetit, duke vënë theksin tek prezenca 24-orëshe e shërbimeve policore në ndihmë të qytetarëve.
/rtsh.al/