E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabotimi i “Nord Stream” – Arrestohet në Kroaci një ukrainas, pritet të ekstradohet drejt Gjermanisë

Një shtetas ukrainas është arrestuar në Kroaci, në kuadër të hetimit gjerman për sabotimin e tubacioneve të gazit Nord Stream në vitin 2022.

Prokuroria Federale Gjermane bëri të ditur se Vladimir Z. u arrestua në qytetin bregdetar të Pulës, në bazë të një urdhërarresti evropian dhe pritet të ekstradohet në Gjermani.

Sipas hetuesve, ai është një zhytës i trajnuar dhe dyshohet se ka qenë pjesë e grupit që vendosi eksplozivët në tubacionet në Detin Baltik. Shpërthimet e shtatorit 2022 dëmtuan tre nga katër tubacionet e Nord Stream dhe ndërprenë praktikisht furnizimin direkt të gazit rus drejt Gjermanisë.

Ky është arrestimi i dytë i rëndësishëm në hetimin gjerman, pas ndalimit në Itali në vitin 2025 të një tjetër shtetasi ukrainas, ish-ushtarakut Serhii K.

Sipas prokurorëve, Serhii K. dyshohet se drejtonte një grup prej shtatë personash, mes tyre zhytës, ndihmës, një mjek dhe një kapiten.

Hetuesit besojnë se grupi përdori dokumente të falsifikuara për të marrë me qira jahtin “Andromeda”, i cili dyshohet se u përdor si bazë për operacionin.

Serhii K. u ekstradua në Gjermani dhe gjykimi i tij pritet të nisë këtë vjeshtë në Gjykatën e Lartë Rajonale të Hamburgut.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sabotimin e Nord Stream.

Megjithatë, disa raportime mediatike kanë pretenduar se operacioni mund të jetë mbikëqyrur nga ish-komandanti i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi, pa dijeninë e presidentit Volodymyr Zelenskyy.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›