Peleshi: Dy avionë “Canadair”, ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarrit në Finiq e Delvinë

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se dy avionë “Canadair” janë duke ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit në zonën e Dropullit dhe Finqit.
Ministri Peleshi njofton se avionët kanë ardhur për mbështetje nga Greqia.
“Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje”, njofton Peleshi.
Ministri Peleshi shpreh mirënjohjen e tij për për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate.
Edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po zhvillohet nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve në zonën e Dropullit dhe Finiqit.
Balla thekson se në ndihmë të Frocave zjarrfikës dhe Forcave të Armatosura të vendit tonë ka në ardhur dhe dy avionë nga Greqia, që po ndihmojnë për shuarjen e flakëve. “Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarrit në Bashkinë Dropull”, shkruan Balla.
Prej dy ditësh në Bashkinë e Dropullit dhe zonën e Finiqit forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe njësitë e tjera të emergjencës civile janë duke luftuar me flakët, të cilat shpesh favorizohen edhe nga era.