Peleshi: Helikopteri Cougar dhe efektivë të FA në fikjen e zjarrit në Shkodër

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri Cougar dhe një grup efektivësh të FA u janë bashkuar forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafhardhi, në Shkodër rreth orës 19:00.
Peleshi theksoi se, strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve, ndërsa aktualisht flakët janë nën kontroll.
Ministri nënvizoi se, forcat në terren po punojnë për normalizimin e situatës për të izoluar edhe vatrën e fundit.
“Gjithmonë në gatishmëri për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.
Një zjarr masiv përfshiu këtë pasdite tregun e rrobave të përdorura në Shkodër.
Flakët që shkrumbuan të gjithë tregun, përfshinë edhe një banesë aty pranë, ndërsa mund të djegin edhe shtëpi të tjera në zonë, duke rrezikuar jetën e banorëve.