Peleshi: Keqardhje për keqkuptimin me figurën e diktatorit, rishikim procedurave të bibliotekës së Kuvendit

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në çelje të seancës së sotme plenare ka kërkuar ndjesë në emër të institucionit që përfaqëson për përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha në listën e informimit të deputetëve për disa figura të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor.
Peleshi ka theksuar se përfshirja e Enver Hoxhës në listën e figurave të tetorit, nuk është përfshirë me kontekst negativ, por është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.
Peleshi është shprehur se ka vlerësuar me shumë seriozitet edhe kërkesat për qëndrim ndaj Institutit Parlamentar të Kuvendit dhe marrjen e masave për transparencën e shërbimit të botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare adresuar tek ai nga deputetët e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Greta Bardeli”.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua të shpreh keqardhjen edhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar, pavarësisht qëllimit të thjeshtë informativ të materialit, pa pasur aspak synimin të mbrojë apo vlerësojë ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhën, i cili është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes”, tha Peleshi.
“Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, por me sa rezultoi, nga shërbimet përkatëse të Kuvendit nuk është mbajtur parasysh siç duhet se në komunikimin publik perceptimi i krijuar merr shpesh një peshë të krahasueshme me peshën e faktit. Përkundër kësaj mënyra e prezantimit të këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe nxitur shqetësim veçanërisht tek familjet e viktimave të regjimit komunist dhe të gjithë shqiptarët që mbajnë mend vuajtjes e asaj periudhe”, tha Peleshi.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se, “ajo periudhë nuk duhet kujtuar në mënyrë të pakujdesshme dhe pa llogaritur mirë ndjeshmërinë publike”.
Peleshi theksoi se, “për të adresuar këtë situatë dhe për të parandaluar keqkuptimet e mëtejshme i kam kërkuar Institutit Parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të Bibliotekës së Kuvendit për t’u siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik dhe të shmangin çdo keqinterpretim. Do të mbahet gjithmonë parasysh që materialet e dala nga Kuvendi të jenë, jo vetëm korrekte teknikisht, por edhe politikisht”, tha Peleshi.
Peleshi shtoi se, i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të përgatisë një material propozues për Byronë e Kuvendit që garanton mbarëvajtjen e funksionimit të Sekretariatit për kërkimin Parlamentar Bibliotekën dhe Botimet Parlamentare si një garanci për neutralitet politik të punës kërkimore dhe botimeve të institutit.
Të hënën Kuvendi sqaroi lidhur me një e-mail të shpërndarë nga Sektori i Bibliotekës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, drejtuar deputetëve të Kuvendit, në të cilin gjendet emri i Enver Hoxhës.
Sipas Kuvendit, ky informacion është pjesë e praktikës rutinë të Sektorit të Bibliotekës, i cili i furnizon periodikisht deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik.
Në rastin konkret, bëri të ditur Kuvendi sektori ka shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008), fq. 957.
Kuvendi i Shqipërisë bëri të ditur se, nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre.
/gj.m/j.p/