Pëlhura e artë nga rrjeta e merimangës

Pëlhura është produkt i një projekti 7-vjeçar të stilistit Nicholas Godley dhe historianit britanik, Simon Peers, të cilët për vite me radhë kanë jetuar në Madagaskar.
Ideja për të mbledhur rrjetën e “Merimangës së Artë”, i lindi Godley-t vite më parë. Gjatë një vizite në zyrën e mikut të tij Peers, Godley pa “mjete me pamje të pazakonshme”, dhe kur e pyeti mikun e tij se çfarë ishin, ai iu përgjigj se bëhej fjalë për një mjet që shfrytëzohej për kapjen e “Merimangave të Arta”.
Kaq mjaftoi që Godley të niste punën për projektin e tij duke punësuar më shumë se 80 persona në Madagaskar me detyrën për të kapur merimangat, vendosjen e tyre në vendin e caktuar ku “prodhonin” rrjetën e artë, e më pas rikthimin e tyre nëpër habitatet natyrale. I gjithë ky proces zgjati plot shtatë vite, koha që u desh për të grumbulluar sasinë e nevojshme të rrjetës nga “Merimanga e Artë” dhe ajo që u përftua, pas përpunimit, është një pëlhurë me ngjyrë të artë natyrale.
Pëlhura do të qëndrojë për disa kohë e ekspozuar në muzeun britanik për të gjithë kureshtarët.