E Martë, 3 Nëntor 2026

Pëllumb Meta dyshohet se u vra nga vajza, avokati Hoxha: Kodi Penal, tejet human për gratë

Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë, vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta dhe më pas varrosja e tij nga pjesëtarët e familjes si të dyshuarit kryesorë, ka nxjerrë fakte të reja në dritë.

Ndërkohë që grupi hetues dyshon se tre fëmijët e viktimës mund të jenë përdorues të lëndëve narkotike dhe mund ta kenë kryer krimin, vëllai i viktimës ka deklaruar se vrasësja mund të jetë bashkëshortja e tij, dhe jo vajza e tij 19-vjeçare, siç ajo vetë ka pranuar

Avokati Arbër Hoxha, i ftuar në “Jetë shqiptare”, tha se Kodi Penal shqiptar nuk njeh dënim kapital për gratë.

“Në qoftë se përcaktohet se është vrasje me paramendim, autorët do të dënohen jo më pak se 25 vjet ose me burgim të përjetshëm. Fatmirësisht për gratë dhe vajzat, Kodi Penal shqiptar është një nga më humanët dhe nuk parashikon burgim të përjetshëm. Megjithatë as 30–35 vjet burg nuk janë pak,” u shpreh avokati Hoxha.

Në studion e “Jetë shqiptare” u diskutua edhe aspektet sociale e psikologjike që mund ta çojnë një familje në krime të tilla të rënda. Sipas aktivistes Ines Xhelili, vrasja e babait nga familja e tij flet për një traumë ndërbreznore.

“Pse e merr vajza sakrificën gjithmonë në supet e saj, siç e mori Rozafa në legjendën tonë? E para, ligji nuk e dënon me burgim të përjetshëm një grua, por nga ana tjetër e detyron gjithë mentaliteti, gjithë kultura jonë që gruaja të mbetet në qendrën e sakrificave për familjen, për vëllain, babain, nënën e kështu me radhë. Të mos na duket çudi që ajo është një familje e sakrifikuar nga nëna deri te vajza dhe gjyshet e gjyshërit, të cilët me sa dihet edhe ata kanë kryer akte ekstreme,” deklaroi znjsh. Xhelili.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›