Pëllumb Velo: Me vargjet e mia, kritikoj hipokrizinë dhe veset e këqija
Shkrimtari dhe fabulisti i njohur vlonjat rrëfen krijimtarinë letrare ndër vite
Është cilësuar si një prej fabulistëve më të njohur shqiptarë, i cili me krijimtarinë e tij ndër vite ka sjellë një fond të pasur në letërsinë shqipe. Shkrimtari dhe fabulisti i njohur vlonjat Pëllumb Velo sot është një nga emrat e letërsisë, i cili mes vargut që shkruan arrin dhe sulmon dhe veset e këqija të botës. Këtë gjë e ai e ka arritur në të gjitha veprat e tij. Ndër veprat e tij, libri me fabula Kunadhja zyrtare është një tjetër sukses i autorit, tashmë të sprovuar në këtë fushë.
Në vargun e fabulave të tij nuk ka vetëm muzë dhe krijimtari artistike, por edhe nerv, shqetësim dhe dhimbje për problemet që kalon vendi. Janë kafshët që flasin me gjuhën e njerëzve dhe që sjellin modele njerëzish apo fenomene shoqërore të goditura në shenjë. Fabula është një nga gjinitë më të vështira. Por fabulisti Velo ka arritur që me mjeshtëri të bëjë një hap cilësor nga një njëri vëllim në tjetrin. Në një intervistë dhënë për gazetën SOT, fabulisti Velo tregon se si nisi krijimtaria e tij letrare, por dhe vështirësitë që has një autor. Por veç krijimtarisë së tij letrare, një vend të rëndësishëm zë në këtë intervistë dhe fëmijëria e tij, ku përmes kujtimeve ai sjell copëzat më të bukura që ka kaluar gjatë viteve të fëmijërisë. Shkrimtari dhe fabulisti Pëllumb Velo u lind më 2 shkurt 1945 në Bishan të Vlorës. Ka botuar këto libra: Zëri i nënës më thërret,poezi 2002, Kallëzuesi i penduar, dramë 2002, Zgjimi, komedi e vjershëruar 2002, Jetë në ethe, roman 2003, Mall për vendlindjen, poezi 2003, Mos e vrisni dashurinë, poezi 2004, Rrethi i kuq, roman 2005, Mallkuar dita që linda, poezi 2005, Dhelpra dhe gjahtari, fabula 2006, Kunadhja zyrtare fabula 2007, Skilja e lagunës fabula 2008, Fabulisti dhe gjallesat-1, fabula 2008, Fabulisti dhe gjallesat-2, fabula 2009, Fabula të zgjedhura,fabula 2009.
-Çfarë kujtimesh ruan shkrimtari dhe fabulisti Pëllumb Velo nga fëmijëria?Vitet e fëmijërisë dhe të adoleshencës, që janë visaret e jetës sime, i kalova në fshatin tim të lindjes, Bishan, i cili shtrihet buzë Vjosës, shumë pranë Adriatikut. Bishani ka mbi katër mijë banorë dhe shquhet për ndjenjat atdhetare. Prej vitit 1962 jetoj në qytetin e Vlorës. Qysh në klasën e pestë fillova të lexoj Naimin, Çajupin, Mjedën, Ali Asllanin etj.Po në këtë moshë më bije në dorë Dekameron-I i Bokaçios, me të cilin hapa siparin e librave të autorëve të huaj. Megjithëse vija shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët mësimore, piktura dhe letërsia ishin pasioni im i pandarë (peizazhet dhe portretet i bëja lehtësisht). Në vitin 1959, pas përfundimit të klasës së shtatë, mora pjesë në konkursin e pikturës të zhvilluar në shkallë rrethi, ku u shpalla fitues, por, për shkak të biografisë, dëshira ime su bë kurrë realitet.
-Çfarë ke shkruar për herë të parë dhe cila ka qenë shtysa e frymëzimit?Frymëzimin ma dha nëna ime, Xhemilja. Së bashku me qumështin e gjirit ajo më mëkoi edhe muzën. Edhe pse pa shkollë, ajo krijonte shumë vjersha të bukura, të cilat unë i recitoja me pasion. Kam adhuruar si prozën dhe poezinë, por në veçanti fabulën. Krijimi i parë është i vitit 1962, fabula Dhija dhe keci, shkas u bë shpyllëzimi në ato vite. Në vitin 1964 shkrova (gjithmonë me vargje të kursyera) fabulën Shkurta dhe qukapiku, ku kritikohet hipokrizia. Në vitin 1965 shkrova Kërriçi dhe gici, ku i padituri thotë vetëm gafa, etj. Muzë kjo që smu nda kurrë Ndërsa në vazhdimësi të krijimtarisë time, krahë më jep vajza ime e shtrenjtë, Dorina, mësuese në Ciklin e Ulët, e cila është dhe korrektore e librave te mi.
-Cilët janë idhujt tuaj në letërsi muzikë dhe kinematografi, brenda dhe jashtë Shqipërisë?Kam lexuar e lexoj shumë. Puna me turne në sektorin e naftës, ku punova për dyzetë vjet, më ka ndihmuar mjaft për këtë. Nga shkrimtarët e huaj kam më për zemër; Ezopin, La Fontenin, Omer Khajamin, Sadiun, Shekspirin, Balzakun, Molierin, Gëten, Floberin, Mopasanin, Drajzerin, Kafkën etj. Kurse nga shkrimtarët shqiptarë do të veçoja: Naimin, Çajupin, Fishtën, Nolin, Mjedën, Ali Asllanin. Petro Markon, Dritëro Agollin, Kadarenë, Fatos Arapin, Gjikë Kurtiqin, Ferit Lamajn, Çobo Skënderin etj. Në muzikë kam idhuj: Vaçe Zelën, Sherif Merdanin, Irini Qiriakon, Edit Mihalin, Ardit Gjebren, Inva Mulën, Adriano Çelentanon, Xhani Morandin, Rafaela Kara, Majkëll Xhekson, Xhorxh Majkëll, etj. Nga aktorët e kinematografisë botërore do veçoja: Alen Delon, Sofia Loren, Kevin Kostner, Riçard Gir dhe shqiptarin, Bekim Fehmi Aktorët e kinematografisë shqiptare, që unë kam shumë për zemër janë: Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Reshat Arbana, Albert Verria, Skënder Sallaku, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Drita Pelingu, Robert Ndrenika, Timo Flloko, Bujar Asqeri, Vasillaq Vangjeli, Roland Trebicka, Ilir Bezhani, etj.
-Çfarë mund të na thoni për ata që kanë vlerësuar krijimtarinë tuaj?Nga vlerësuesit do të përmendja, zotërinjtë: Reshat Arbana, Skënder Sallaku, Albert Verria, Shaban Demiraj, Teodor Laço, Gjikë Kurtiqi, Bardhosh Gaçe, Petrit Velaj, Kosta Raka, Enver Qama, Mato Kollozi, Agim Pepa, Arben Duka, Mexhit Haxhiu, Leka Kruta, Qiriako Sava, Afrim Agalliu, Agron Hamo, Muhamet Lika, Nexhat Veipi, Albert Abazi, Mirush Kabashi, Marjana Prifti, (Jani), Gëzim Llojdia dhe Myrteza Mara. Vlerësime me shkrim më kanë dërguar edhe zotërinjtë: Luftar Paja-Artist i Popullit dhe Nase Jani, Kryetar i Klubit të shkrimtarëve shqiptarë në botë, DRITA, me Zyrat Qendrore në Athinë. Po kështu dhe z. Pëllumb Kulla do të më nis së afërmi nga SH.B.A-ja një vlerësim me shkrim, vlerësime të cilat do ti vendos në librin e shtatë me fabula që do të botoj më vonë. Unë i falënderoj përzemërsisht gjithë vlerësuesit, miqtë e mi të shtrenjtë kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë Shqipërisë!
-Sa promovime keni bërë gjatë krijimtarisë suaj, dhe si ndiheni ju kur ju vlerësojnë?Gjer më sot unë skam bërë asnjë promovim libri. Jo se nuk kam dashur, unë e dëshiroj atë, por gjendja ime jo e mirë ekonomike, më ka privuar nga këto evenimente. Një miku im i madh, aktori i shquar, z. Vasillaq Vangjeli, më ka premtuar se diçka do të bëjë rreth fabulave të mija në Televizionin shqiptar. Mezi e pres realizimin e këtij premtimi! Ndërsa kur më vlerësojnë, unë bëhem në krahë, fluturoj! Po kaq i gëzuar jam ndier dhe kur më erdhi nga Gabrovo e Bullgarisë, letra e dërguar nga Shtëpia e Humorit dhe Satirës, ku zhvillohen konkurset botërore, të cilët më falënderonin për dy kopjet e dërguara, Fabula të zgjedhura (që unë iu kisha nisur për konkurrim, por që për fatin tim të keq konkursi i satirës nuk u zhvillua më, që prej vitit 1997) dhe në të njëjtën kohë më njoftonin se të dyja kopjet e librit në fjalë i kishin kaluar në fondin e librave të përzgjedhur në Bibliotekën Ndërkombëtare të literaturës humoristike. Të njëjtat emocione kam përjetuar dhe kur më erdhi letra nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, të cilët më falënderonin dhe më njoftonin për kalimin me kënaqësi në këtë Bibliotekë, të dy kopjet e librit, Fabula të zgjedhura, të dërguara para pak kohësh me Postë
-Çfarë marrëdhëniesh ruan fabulisti Pëllumb Velo me biznesmenët vlonjatë dhe njerëzit e politikës, dhe çfarë kontributi kanë dhënë ata në botimin e librave tuaj me shumë vlera?Me biznesmenët e fuqishëm vlonjatë, unë ruaj marrëdhënie shumë të mira. Njërin prej tyre e kam shok e mik të vjetër, ndërsa një tjetër e kam të rrethit familjar. Fillimisht iu kam dhuruar edhe libra. Sa për kontributin e tyre, ende se kam shijuar, sepse nuk jua kam kërkuar atë. Ndërsa nga njerëzit e politikës që më ka vlerësuar dhe më ka ndihmuar edhe financiarisht është vetëm një, Ky është miku im fisnik, deputeti dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Dega-Vlorë, z. Ardi Kollozi. Përfitoj nga rasti, që ta falënderoj atë përzemërsisht, për gjithçka ka bërë dhe bën për mua! Po kështu, falënderoj dhe drejtuesit e Komunës Novoselë-Vlorë, dhe në veçanti, Kryetarin e kësaj Komune, z. Rait Llanaj, të cilët mundësuan botimin e librit të fundit, Fabula të zgjedhura Përzemërsisht falënderoj dhe Televizionin Amanti