OJF kundër regjistrimit të popullsisë: Feja e kombësia, të kundraligjshme
Viti 2011 do të shënojë dhe përfundimin e regjistrimit të banesave dhe popullsisë, një proces ky që vjen pas atij të realizuar në 2001-in, që saktësoi se popullsia banuese në Shqipëri ishte 3,069,275 shtetas. Përfaqësues të shoqërisë civile janë kundër përfshirjes së pyetjes mbi kombësinë dhe fenë në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, që do të bëhet nga INSTAT. Duke i konsideruar delikate politikisht ata shprehen se nuk i përket INSTAT, të merret me
këtë çështje, pasi duhen instrumente të tjerë ligjorë ta zgjidhin atë. Drejtues të INSTAT shprehen se në pyetësorin me 69 pyetje, që do të bëhen për regjistrimin e popullsisë këto dy pyetje listohen në ato jo të detyrueshme për tu përgjigjur. Në tryezën e rrumbullakët, me organizatat jo-fitim prurëse mbi Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave 2011, në fjalën e tij drejtori i Përgjithshëm të INSTAT, Ines Nurja u shpreh se kjo tryezë do të shërbejë për të evidentuar kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e OJF, mbi këtë regjistrim, pasi sipas tij këto organizata janë përdorues të gjerë të të dhënave social-demografike. Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave është një proces madhor dhe një angazhim i shumë burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike për një vend. Ai, siç e dini kryhet çdo 10 vjet, dhe është një kontribuues si për INSTAT, mbi hartimin e anketave dhe studimeve të tjera përveç regjistrimit, si dhe siguron një bazë të besueshme të dhensh në kohë në nivel kombëtar e lokal. Gjithashtu Regjistrimi i Përgjithshëm i shërben dhe politikëbërësve qendror dhe lokal të cilët mbi këto të dhëna do të hartojnë politika të reja ekonomike e sociale apo revizionojnë ato të vjetra me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës në vend, vlerësoi Nurja. Në muajin prill do të realizohet regjistrimi pilot i popullsisë dhe banesave, i cili do të shërbejë për të evidentuar të gjithë problematikën e mundshme me qëllim që viti 2011, që është viti i regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave të dalë me standardet bashkëkohore. Regjistrimi i popullsisë synon të rifreskojë të dhënat mbi treguesit demografik, social, ekonomik i cili do të bazohet në deklarimin e lirë të popullsisë. Qytetarëve do tu shpërndahen tre pyetësorë, të cilët kanë të bëjnë, i pari me të dhëna mbi ndërtesën ku banojnë, i dyti në lidhje me ekonominë familjare dhe i treti me pyetje individuale, ku përfshihen dhe pyetjet sensitive mbi grupin etnik, besimin fetar dhe gjuhen që flet.