E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumb Xhufi: LSI u krijua kundër Nanos dhe Berishës dhe përfundoi vegël e tyreNga Luljeta Progni Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, në një intervistë për gazetën “TemA” u përgjigjet qëndrimeve të LSI për vetë-përjashtimin e tyre. Xhufi fle

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pëllumb Xhufi: LSI u krijua kundër Nanos dhe Berishës dhe përfundoi vegël e tyreNga Luljeta Progni

Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, në një intervistë për gazetën “TemA” u përgjigjet qëndrimeve të LSI për vetë-përjashtimin e tyre. Xhufi flet për të ardhmen politike të LSI dhe Ilir Metës, dhe zbulon edhe detaje të këtyre ditëve të nxehta që sollën aleancën e çuditshme për skenën politike. Xhufi thotë se tani e tutje do të vazhdojë punën e tij si studiues, por do të flasë herëpashere

Zoti Xhufi, një deklaratë e juaja për të mos bashkëpunuar me Berishën është komentuar nga zyra e shtypit e LSI si deklaratë e bërë për interesa personale? Ju si i përgjigjeni asaj?

Për mua, që i di si funksionojnë gjërat në LSI e sotme, ky është një koment i urdhëruar dhe i përgatitur nga të tjera duar: zëdhënësi i mjerë vetëm sa e ka lexuar. Por daljet e shpeshta të zëdhënësit Ylli pas deklaratës sonë nuk lidhen aspak me “interesat meskine” të miat apo të kolegëve të mi. Me keqardhje e them se sot në të gjithë globin nuk gjen një pikë ku të ketë një përqendrim aq të madh interesash meskine, dhe jo vetëm, sa ç’është ajo pikë që koincidon me vendndodhjen e selisë së LSI. Ndaj, nuk ka fare vend për të pyetur, nëse deklarata e grupit tonë të anëtarëve të kryesisë së LSI është bërë për të promovuar interesa të hartuesve të saj. Sot pyetja e ditës, që i duhet drejtuar dikujt tjetër, qoftë edhe nëpërmjet Dritan Yllit, është kjo: Përse ky iu përgjigj fët-fët “ftesës” së z. Berisha për t’u bashkuar me koalicionin e djathtë? Përse e bëri këtë ende pa u mbyllur procesi i numërimit, madje në momentin kur ishte kërkuar rinumërimi i votave në disa rrethe të vendit, gjë që mund të përmbyste edhe rezultatin? Përse u mor një vendim kaq i jashtëzakonshëm jashtë forumeve, me një të shkelur të syrit të z. Berisha dhe kur vetëm një natë më parë, nën presionin e fuqishëm të bazës së LSI dhe tonin, kryesia u distancua nga deklaratat prej xhambazi politik të Dritan Priftit dhe vendosi që të presë shumë, deri në shtator, përpara se të vendosë për çështje të koalicionit qeveritar? E pra, këto dhe ndoca mijë të tjera, që kësaj radhe nuk po i rreshtoj për mungesë vendi, janë pyetjet e ditës, të cilave dikush duhet t’u japë përgjigje. Sa për “interesat personale” të hartuesve të deklaratës, nëse këta do të ishin vërtet interesaxhinj të paskrupullt, në këtë çast do të gjendeshin edhe ata në klubin e zhurmshëm të LSI, duke kthyer kafe e raki në pritje të “punëdhënësit të madh”, që vonon të duket... Që të pestë ne e kemi një profesion dhe mund të jetojmë ndershmërisht dhe pa u pëgërë me politikë të pëgërë.

Kjo zyrë ka deklaruar gjithashtu se ju jeni shprehur në favor të bashkëpunimit me Berishën, por pa hyrë në qeveri...

Unë kam qenë kategorikisht kundër bashkëpunimit me z. Berisha dhe me PD e tij, bash për ato arsye që e shtynë shumicën e shqiptarëve dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e LSI për të votuar kundër qeverisjes së tij. Por edhe për një arsye tjetër. Unë mendoja se LSI pas 28 qershorit iu ofrua një shans historik i papërsëritshëm: të kthehej në një pikë referimi për të gjithë të majtët e progresistët e Shqipërisë. I gjithë opinioni, madje edhe ata politikanë, analistë e juristë sqimatarë, që kishin përkrahur “reformën” zgjedhore PS-PD, zbuluan më në fund drejtësinë e betejave që LSI kishte zhvilluar gjatë vitit të fundit në mbrojtje të Kushtetutës, të institucioneve e të zgjedhjeve. Dhe jam i bindur, që do të kishte pasur zhvillime shumë interesante politike në Shqipëri, gjithnjë në favor të LSI, në rast se kjo do kishte qëndruar në vendin e vet e do t’i rezistonte joshjes për të kapërcyer ylberin. Idenë time për një “mbështetje nga jashtë”, pa u futur në qeveri me Berishën, e shtrova në Konventën e ndërkryer të LSI, pikërisht për të forcuar pikëpyetjet e një vendimmarrjeje kaq të nxituar e misterioze: sepse, edhe brenda logjikës së “pëgërjes”, ekzistonin forma më elegante e më pragmatiste, si ajo e qëndrimit të LSI në opozitë duke votëbesuar qeverinë dhe çdo ligj që ishte në funksion të integrimit, të zhvillimit të institucioneve e të pavarësisë së tyre, të zhvillimit të ekonomisë, arsimit, bujqësisë, shëndetësisë, të mbrojtjes sociale etj. Një pozicion i tillë, përveçse “të shpëtonte” në njëfarë mënyre fytyrën, të jepte edhe mundësinë që, në momentin kur qeveria Berisha II të bënte zullumin e parë, të mund ta rrëzoje atë, duke u bërë protagonist i zgjidhjeve të tjera e duke rikuperuar kështu kapitalin politik. Gjithsesi, në Konventën në fjalë, ku fjalën time e të ndonjë kolegu tjetër e mbyti “Miss Censura”, deklarova qartë që edhe kjo zgjidhje, më shumë pragmatiste se parimore, do duhej të pranohej vetëm kur opinioni të ishte bindur që mungonin zgjidhje të tjera dhe kur ato “këshilla për bashkëpunim LSI-PD” të miqve ndërkombëtarë të deklaruara nga zëdhënësit e LSI (e të përgënjeshtruara menjëherë nga miqtë në fjalë), të materializoheshin në takime e deklarata transparente. Nuk kishte arsye që ne, të cilët kishim bërë aq shumë përpjekje për të tërhequr mbështetjen e ndërkombëtarëve për luftën tonë të drejtë në mbrojtje të Kushtetutës e të reformës zgjedhore, të tregoheshim qibarë tani e të mos kërkonim një deklaratë mbështetëse nga ana e partnerëve tanë kryesorë për një koalicion që i vinte në siklet të gjithë, në radhë të parë ne të LSI. Nga ana tjetër, një vendim kaq anormal, do të duhej të merrej, pasi të ishin mbledhur strukturat e mbi të gjitha, pasi të ishin pyetur ata, të cilët sapo na kishin besuar votën e tyre. Si është e mundur? Në vitin 1999, Hashim Taçi, atëherë një politikan pa përvojë, nuk pranoi të nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë, përpara se të shkonte në malet e Kosovës dhe të merrte miratimin e luftëtarëve të UÇK e të gjithë popullit të Kosovës, duke lënë në pritje për javë të tëra miq të padyshimtë, si zonjën Albright e të gjithë të mëdhenjtë e botës. Kurse ky i yni, me një të rënë të çangës, vrapon të bashkohet me “armikun” Berisha (?!)

Zoti Xhufi, si mendoni ju, cilat janë synimet e Metës me këtë lëvizje?

Makar të kishte ndonjë synim politik...

Pse mendoni se do të jetë mision vetëshkatërrues bashkëpunimi me Berishën?

Po hidhini një sy mjerimit politik të këtyre ditëve. LSI është e detyruar të heshtë për ngjarjet më interesante, që janë pikërisht ato që po ndodhin brenda së majtës. Nëse do të kishte qëndruar me dinjitet në vendin e saj, LSI do të kishte gojë të bërtiste, madje të ulërinte kundër autorëve të dështimit të radhës së zgjedhjeve dhe të humbjes së pafalshme të së majtës dhe të bëhej një faktor ndikues në këto zhvillime. Kujdes, kur flas për përgjegjësitë për dështimin e zgjedhjeve, nuk jam plotësisht në një mendje me ndonjërin që i përqendron këto përgjegjësi vetëm tek Edi Rama dhe gangsterët e tij elektoralë brenda PS. Unë përgjegjës për rrënimin e zgjedhjeve bëj edhe kryeministrin, Sali Berisha, i cili, po të donte, në vend të Kodit të hartuar nga gangsterët e tij dhe ata të Ramës, kishte kaluar në parlament një Kod Zgjedhor të ndershëm, qoftë edhe duke bashkuar votat e tij me ato të LSI: në këtë rast po, do të kishim të bënim vërtet me një bashkëpunim PD-LSI “në interes të kombit e të demokracisë”! Mirëpo, në këto kohë reflektimesh e dhënie llogarish, LSI është e detyruar të mbetet gojëkyçur: nuk mund të përfshihet në debatin brenda së majtës, sepse ndërkohë ka ndërruar seks. Nuk mund të denoncojë më masakrën elektorale në dëm të LSI, siç bëri ditën e parë pas mbylljes së kutive të votimit, pasi në këtë mënyrë na dëmton e na zemëron aleatin e ri, z. Berisha. E ç’mund të bëjnë në këto kushte shokët tanë të dikurshëm? U mbetet vetëm të miratojnë me kokë, kur z. Berisha ose ndonjë gangster elektoral ndërkombëtar, mik i tij, flasin për “suksesin” e zgjedhjeve të 28 qershorit ose të rrezatojnë protagonizëm e siguri të paqenë, duke bërë deklarata mbi kinse “forcën” e “qëndrueshmërinë” e këtij koalicioni, mbi reformat e mëdha e të suksesshme që ai do të realizojë, mbi rolin “vendimtar” që ministrat e LSI do luajnë në reformat e qeverisë Berisha. Një protagonizëm të tillë kryeministri po zbavitet ta zhbëjë në mënyrë sistematike e me një të luajtur të gishtit, me vendimet e përditshme që merr në Këshillin e Ministrave apo duke injoruar platformën “integruese” të këtyre aleatëve të zhurmshëm e duke imponuar brutalisht axhendën e tij. Dhe rri e pyes: nëse ky është fillimi i këtij koalicioni, cili do të jetë fundi?

Akuza kryesore që bën Meta është se PS e ka dëmtuar partinë tuaj gjatë këtyre zgjedhjeve. Sa qëndron kjo?

Kjo është plotësisht e vërtetë. Por nuk është e gjithë e vërteta. E aq më pak nuk është arsye për të përligjur koalicionin me PD. E thashë, që bashkëpërgjegjës për dështimin e zgjedhjeve dhe humbjen e LSI është po aq edhe PD në pushtet, gjë që çuditërisht z. Meta nuk ka dashur ta pohojë ndonjëherë. Nga ana tjetër, në dritën e këtij pozicionimi të ri e të papritur të LSI, ka ardhur koha të analizohen me qetësi edhe disa qëndrime të lidershipit të saj, që i janë imponuar edhe kryesisë së kësaj partie, të cilat në kohën e tyre na janë dukur emocionale e reaktive dhe që mund të mos kenë qenë thjesht të tilla...

Kur “New York Times” shkroi para zgjedhjeve se Ilir Meta do të ishte “kingmaker” i këtyre zgjedhjeve, d.m.th., kurorëzues i fituesit, ky term u prit mirë nga selia juaj që e transmetoi gjithandej lajmin. Mos ndoshta Meta synon që LSI të jetë një parti që të vendosë fituesin tani e tutje. Liberalët në Gjermani për shembull kanë qenë një shembull i tillë. A do ishte e mundur kjo?

Po, neve na pëlqeu një përcaktim i tillë, që në fund të fundit i përgjigjej një realiteti të pashmangshëm. Por në asnjë rast nuk harruam të precizojmë se mandatet tona do të ishin vetëm për një “mbret” të majtë, jo për z. Berisha. Nga ana tjetër, rasti i liberalëve gjermanë, apo i legalistëve të Di Pietros në Itali, nuk është ai i LSI. Partia Liberale në Gjermani lindi dhe u forcua në kushtet e industrializimit të fuqishëm të Gjermanisë në vitet ’60 të shek. XX. Ajo ishte dhe mbetet partia e industrisë së madhe. Partia e Di Pietros në Itali lindi në kushtet e një sulmi të së djathtës italiane të Berluskonit kundër institucioneve, Kushtetutës dhe organeve të drejtësisë: për rrjedhojë, sensi institucional dhe anti-berluskonizmi është çelësi i suksesit të saj. LSI lindi si një parti alternative e së majtës, kundër qeverisjes djathtoiste e të korruptuar të Fatos Nanos e kundër rikthimit të një të djathte të drejtuar gjithnjë nga “mëkatari” i madh Sali Berisha. Nëse këto ishin premisat politike, morale e ideologjike të LSI në çastin e krijimit pesë vjet më parë, mundohuni t’i masni ato me kutin e sjelljeve të sotme të lidershipit të saj... Do ju rezultojë një masë e shprishur, pa erë, pa formë, pa ngjyrë, që qulloset në çdo enë që ta hedhësh. Sot LSI nuk është më as partia e anti-Berishës (me të jemi bërë miq!), as partia e anti-Nanos (edhe me të jemi bërë miq!), madje as edhe partia e anti-Ramës, sepse edhe ky, me armiqësinë e tij, na mundësoi dy miqësitë e tjera! Mirëpo kështu, shokë e zotërinj të nderuar, nuk jemi në fushën e vlerave, të moralit e të parimeve: jemi në fushën e një pragmatizmi kokëqethur e shallvaregjerë.

Duket se Meta nuk ka ndërmend të reflektojë pas deklaratës suaj. Çfarë qëndrimi do të mbani tani e tutje?

Për sa më përket mua, nuk ka asnjë dramë: unë do të kthehem në strofkën time të studiuesit, siç ka ndodhur me aq e aq intelektualë që iu futën politikës me një dëshirë të mirë, por që ndeshën në murin e njerëzve pa moral, pa fe e pa atdhe. Por do t’i ndjek zhvillimet politike, dhe ndonjëherë edhe do flas...

LSI ka deklaruar se ju tashmë jeni të vetëpërjashtuar. Kur vetë-përjashtohet dikush nga partia zoti Xhufi?

Nuk ka rëndësi. Marrëdhënia ime me LSI nuk ka qenë e nuk është thjesht një çështje detajesh statutore apo raportesh me lidershipin e saj. Me këtë të fundit nuk kam hezituar të sqaroj pozicionin tim që në fillimet e aventurës sonë, në shtator të vitit 2005, kur i kam paraqitur dorëheqjen e parë për çështje që janë të ngjashme me ato që më detyrojnë sot të largohem nga LSI. Ajo që më ka shqetësuar e më shqetëson në këtë angazhimin tim politik, ka qenë marrëdhënia me masën e madhe të anëtarëve të devotshëm, të ndershëm e të papërsëritshëm të LSI. Nëse LSI më ka bërë ndonjë privilegj, siç pretendon gjoja-Dritani, e tillë ka qenë vërtet mundësia që angazhimi im në LSI më dha për t’u njohur e për t’u miqësuar me aq e aq njerëz të mirë në gjithë Shqipërinë, nga Tropoja në Konispol. Vetëm ndaj tyre ndjej përgjegjësi, detyrim e turp, jo ndaj vagabondëve të radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›