E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pellumbi dhe Bello kunder qendrimeve radikale te PS-se

PS nuk duhet ta shohë kushtëzimin e marrëdhënies së saj me Kuvendin si strategji opozitare. Një nga figurat më të njohura të selisë rozë Servet Pëllumbi në një intervistë për të përditshmen “Panorama” shprehet kundër qëndrimeve që duan radikalizim veprimeve të opozitës. Pëllumbi i sheh ato si paaftësi për shfrytëzimin e mjeteve demokratike dhe institucionale.

“Unë mendoj se “të fortë” opozitën nuk e bëjnë raportet e kufizuara me Kuvendin, aq më tepër kur ky “kushtëzim” përcaktohet që më parë si “vijë e përgjithshme sjelljeje”. Them se mund të krijohen situata për kushtëzime të caktuara në proces si pjesë e taktikave opozitare, por kurrsesi nuk duhet konceptuar si strategji opozitare. “, thotë Pëllumbi.

“… radikalizmin e qëndrimeve opozitare e quaj të gabuar apo, thënë ndryshe, një lloj paaftësie për të shfrytëzuar gjithë arsenalin e mjeteve demokratike e institucionale. Në fund të fundit, 65 deputetët e opozitës kanë përgjegjësi përpara elektoratit dhe interesit të përgjithshëm që ata përfaqësojnë. Tribuna parlamentare është vendimtare për të treguar veten dhe kualitetet e tyre para atyre që i kanë mandatuar. Radikalizmi shpesh përdoret si sinonim i një opozite të fortë apo si mbështetje për veprime masive që kundërshtojë qeverisjen. Një identifikim i tillë më duket i gabuar.”

Ndërsa për deputetin e Partisë Socialiste Marko Bello nuk mjafton vetëm dhënia fund e bojkotit parlamentar, por rimarrja e rolit të saj nga ana e opozitës për të votuar çdo ligj që i bën mirë vendit dhe integrimit te tij.

“Bojkoti është një masë ekstreme, demokratike, por ekstreme. Në një demokraci parlamentare roli i Parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe në të roli i opozitës është po ashtu i pazëvendësueshëm. Shpresoj që kohën e humbur ta rikuperojmë sa më shpejt në mënyrë që shqiptarët të shikojnë se ka dhe një alternative”, thotë Bello.

Më tej ai shton se :“Duhet një gjykim i ftohtë për të ndarë “shapin nga sheqeri”, pra për të kuptuar se cilat ligje janë jo në interes të mazhorancës, por në interes të vendit dhe duhet një gjykim dhe një guxim i opozitës për të votuar ato ligje që i bëjnë mirë vendit dhe integrimit të tij, i bëjnë mirë në radhë të parë qytetarëve dhe duhen hedhur poshtë, ato ligje që thjesht risin koston e qytetarëve, të jetesës së tyre dhe shtojnë xhepat e pushtetarëve”.

Për sa i përket kursit të ri të Edi Ramës Profesori i Socialisteve Sërvet Pellumbi nuk mjaftohet vetëm me deklarata. Pëllumbi pret ta shoh të argumentuar atë çfarë kryesocialisti premtoi në Asamblenë Kombëtare të Partisë.

“Nuk është mjaftueshëm të thuash kurs i ri, pa e shpalosur atë. Kur ta shohim të shpalosur, atëherë mund të themi se është vërtet i ri apo jo. Megjithatë, çdo përpjekje për të dhënë diçka të re me fillimin e një sesioni të ri parlamentar dhe ngarkesës negative që mbartën zgjedhjet vendore të 8 malit 2011, është për t’u përshëndetur.”

Por ky kurs i ri politik nuk mund të shihet i ndarë nga demokratizimi i brendshëm i selisë rozë, që ashtu siç tha deputeti Bello kur u pyet nga gazeta “Mapo” për qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste për deputetet Islami dhe Harasani partia e tij nuk duhet ta humbasë këtë aset të fituar prej kohësh.

“Një parti siç është PS, që është partia më e madhe në vend, sigurisht që ka dhe rryma dhe mendime të ndryshme, ku ka pasur mendime të kundërta dhe do të ketë. Për këtë jam i sigurt. E rëndësishme është që partia të jetë e tillë që të vlojë demokracia dhe nuk duhet ta humbim këtë aset që e kemi fituar në këto vite. Kjo më bën që të jem optimist që në partinë tonë nuk do ketë vend për përjashtime. Sigurisht që partia ka dhe rregulla dhe mendimet pasi debatohen merren vendime dhe ato duhet të respektohen. Kështu që unë mendoj dhe shpresoj që të mos ketë përjashtime në PS…”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›