PS-ja zbardh takimin Rama-Arvizu

Partia Socialiste ka zbardhur sot takimin mes ambasadorit të SHBA-së Aleksandër Arvizu me kreun e selisë rozë Edi Rama. Në deklaratën e PS-së thuhet se kryetari i saj Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik.
Sipas PS-së ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi.
Më tej PS-ja thekson se të dy bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë që parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër.
“Kryetari Edi Rama e falenderoi edhe njëherë ambasadorin e SHBA për kontributin publik në ndihmë të procesit zgjedhor të 8 majit dhe i uroi punë të mbarë në Shqipëri shefes së Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane” thuhet në deklaratën e PS-së.