E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pema Hyjnore” e Ulqinit, ullishtja mijëravjeçare në ekspozitën e Gazmend Çitakut

Në fotografitë e ekspozitës “Pema hyjnore” të autorit të saj, Gazmend Çitaku, pema e ullirit nuk është thjesht subjekt por shpirt, kujtesë dhe dritë që vazhdon të rritet nën diellin e paqtë të Adriatikut, në tokën ulqinake. Këtë lidhje të veçantë që qyteti bregdetar ka krijuar prej shekujsh ka dashur të paraqesë Çitaku për vizitorët në Galerinë “Oda”.

Ullishta e Ulqinit, më shumë se dymijë-vjeçare, vjen në këtë ekspozitë si një tempull kujtese dhe reflektimi. Çitaku na kujton se, përveç bukurisë, çdo rrënjë mbart një detyrim për njeriun: të ruajmë, të kujdesemi e të mos harrojmë.

“Ulqini nuk është veç deti sepse në kohët e lashta ulqinaket kur kanë ardhur prej lundrimit, aktivitetin e tyre e kanë pasur kryesisht bujqësor dhe pikërisht ullinj”, u shpreh fotografi Gazmend Çitaku.

“Vetëm druri i ullirit po ta shohësh e kupton që ullirin e ka begatu perëndia”, tha studiuesi Sami Flamuri.

Përmes artit të tij, Gazmend Çitaku ngre një apel të heshtur për mbrojtjen e këtyre pemëve të shenjta, “dëshmitare” të një qytetërimi që frymon përbri kalasë së Ulqinit.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›