E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penelope Lively, një jetë me librin

"Ideja se kujtesa është lineare, është krejt e pakuptimtë. Ajo çka kemi në kokë është një koleksion fragmentesh, që nuk pyet për data dhe vite, por i përgjigjet ligjësisë së emocioneve", thotë Penelope Lively. Ky është koncepti të cilit shkrimtarja e famshme i është përmbajtur pak a shumë gjatë krijimtarisë së saj 40-vjeçare dhe që e ka shndërruar në një nga emrat më të famshëm të letërsisë për të rritur, por edhe asaj për fëmijë. Marrëdhënia mes kohës dhe kujtimeve e ka intriguar gjithmonë. Heronjtë dhe heroinat e saj shpesh mbesin të ngërthyer në kohë të caktuara, që nuk kanë të bëjnë me kohën kalendarike, por me të ashtuquajturin "kalendari emocional". Një nga heroinat e tregimeve të saj, "Tigri i Hënës", nga shtrati i vdekjes deklaron: "Brenda kokës sime kronologjia nuk ekziston". Sot Lively është 76 vjeçe dhe e ndjen se me kalimin e viteve paradoksi i saj, në vend që të ishte zgjidhur, është thelluar edhe më shumë. "Në moshë të thyer ti e kupton se cila është esenca e ekzistencës tënde. Këtë e bën duke mbyllur sytë e duke e lënë veten të lirë si një pre për kujtimet. Kujtimet më të forta, ato mbizotërueset, do të dalin e të të kapin. Ato që janë më të pafuqishme, nuk do të shfaqen". Ndër personazhet e veprave të saj një pjesë kanë qenë njerëz të moshuar dhe kur e pyet sot shkrimtaren nëse ka mundur t‘i portretizojë mirë ata, duke qenë se vetë ishte në moshë të re, ajo përgjigjet se "ata kanë mangësi, sepse një i ri nuk mund të futet kurrë nën lëkurën e një të vjetri, sado i mirë të jetë në psikologjisjen e njerëzve". Avantazhin e moshës ajo e ka shprehur në romanin e fundit, të 16-in, "Albumi i familjes", që do të publikohet së pari në Britaninë e Madhe në muajin e ardhshëm. Ai është një hulumtim i hollësishëm për pasojat që lë koha te kujtesa e njerëzve në kontekstin e një situate familjare. Po t‘i hedhësh një sy jetës së Lively-t, ajo është një përpjekje për t‘i ikur narratives kolektive të brezave. "Unë e shoh veten si një person të manipuluar nga historia", thotë ajo dhe kush ia ka lexuar veprat, e ka fare të qartë se përse e ka fjalën autorja. Ajo lindi në Kajro në vitin 1933, ndërkohë që i ati ishte nëpunës në Bankën e Egjiptit. Kujtimet e saj të para në këtë jetë janë disa pamje të shkëputura të jetës familjare, të shtëpisë së mirë, qytetit, rrethinave të tij, dados që e shoqëronte gjithkund, prindërve. Ajo ishte fëmijë e vetme dhe e kalonte kohën duke luajtur me veten e duke përjetuar një histori të gjatë me botën e krijuar në heshtje, një histori që më pas vazhdoi të formëzohej në personazhet e librave që shkroi. Shpërthimi i Luftës II Botërore e mbajti familjen në Kajro deri në vitin 1942, më pas e ëma, së bashku me guvernanten, shkuan në Palestinë për të pritur mbarimin e luftës. Me deklarimin e paqes në vitin 1945, Lively zbuloi befas se trazira globale pati ndikim të madh në vetë jetën e saj. Martesa e prindërve kishte marrë fund dhe kështu atë e dërguan në një kolegj në Sussex. Vitet e shkollës janë për të më të vështirat. Ishte një shkollë, në qendër të sistemit didaktik të së cilës ishte dënimi: dënimi për notat, për sjelljen, për gjithçka që nuk shkonte sipas urdhëresave të shefes. "Një nga dënimet ishte që të lexoje një orë rresht në bibliotekë, çka nënkupton edhe qëndrimin ndaj librit". Pushimet e kaluara te gjyshërit në bregdet ishin një varkë shpëtimi. Objekte të caktuara të shtëpisë do të shfaqen herë pas here në situatat e rrethanat e librave që ajo shkroi. Më së shumti ajo i përdori ato në librin që botoi në vitin 1995, "Shtëpia pa çelës". Aty është shumë e thjeshtë të vihet re dashuria e saj për shtëpinë e gjyshërve. Me gjithë vështirësinë, Lively shkëlqeu në mësime. Zakonisht, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe marrjes së diplomës, vajzat martoheshin, çka shkrimtarja e ardhshme nuk donte kurrsesi që t‘i ndodhte. Për fat, edhe i ati ishte një njeri me mendime të ndryshme nga meshkujt e kohës dhe e çoi të bijën të studionte letërsi në "Oksford". "Në shkollë kishim shumë lëndë historike dhe pikërisht teksa i studioja lëndë të tilla, më lindi edhe interesi te koha dhe ngjarjet, pra lidhjet që ekzistonin mes tyre. Sigurisht që kërkimi për të qartësuar këtë thelb nuk më bëri shkrimtare, por më kushtëzoi shumë në të shkruar dhe në tematikë". Pikërisht në "Oksford" ajo takoi edhe njeriun që do të bëhej bashkëshorti i saj. Takimi i tyre shënon një tjetër moment të rëndësishëm. Jack ishte një djalë i varfër, nga një familje punëtorësh, por që për shkak të luftës kishte përfunduar në një familje të pasur, por pa fëmijë. Kjo familje e kishte rritur, kultivuar dhe i kishte paguar edhe shkollën elitare. "Kisha dëgjuar për një djalë shumë të zgjuar që do të transferohej nga ‘Kembrixh‘ në ‘Oksford‘, me emrin Jack Lively. Kur e pashë, më pëlqeu shumë dhe së bashku nisëm një miqësi që u rrit sa më shumë shtoheshin bisedat tona rreth librave". Çifti vuri kurorë brenda vitit. Ishte një marrëdhënie që nuk ndali derisa vdekja e mori Jack-un në vitin 1998, pra 41 vjet pas martese. "Në shumë aspekte im shoq ishte i ndryshëm nga unë: shumë më i zgjuar, shumë luftarak. I pëlqente shumë fakti që unë shkruaja dhe ka qenë gjithmonë lexuesi im i parë dhe sigurisht njeriu i parë që më ka thënë vërejtjet dhe përgëzimet. Prej vitesh nuk e kam më përkrah dhe sigurisht që kjo është mungesa më e madhe që nuk do të mund ta mbush kurrë". Çifti vuri kurorë në vitin 1957 dhe u zhvendos në Svansea, ku Jack punoi si akademik. Vajza e tyre, Josephine, lindi një vit pas martesës, ndërsa i biri, Adam, tre vjet më pas. Ndërsa rriste fëmijët, Lively e ndjeu që ishte shkëputur tërësisht nga atmosfera intelektuale e "Oskford"-it. "Ishte e vështirë të ishe një 25-vjeçare me 2 fëmijë të vegjël e ndërkohë plot me ëndrra për të ecur në profesion. Unë nuk mund t‘i lejoja vetes një guvernante, sepse akademikët në atë kohë paguheshin shumë pak dhe shumë keq. E vetmja kënaqësi që kisha ishte të shoqërohesha me mama të tjera që kishin të njëjtat interesa si edhe unë, pra librat, dhe të flisnim së bashku për orë të tëra, ndërsa kujdeseshim edhe për të vegjlit tanë. Ndërkohë, lexoja. Në njërën dorë mbaja librin, në tjetrën foshnjën. Kur ata arritën moshën 3-4 vjeç, atëherë shumë libra i kam lexuar me zë". Pikërisht në ato vite atë e tërhoqi shumë edhe letërsia për fëmijë dhe aty nisi të hedhë në letër përrallat e para. Romani i saj i parë për fëmijë ishte ai i vitit 1970, me titull "Astercote", i cili u pasua nga tri të tjerë që sot ajo i konsideron si "të pavlerë". Pas disa botimesh që nuk e kishin "plotësuar", ajo ndjeu kënaqësinë e parë profesionale me daljen e "Fantazma e Thomas Kempe", në vitin 1973. "Për të shkruar këtë libër kisha nevojë që të isha vetëm, e përqendruar, por fëmijët ishin gjithë kohës nëpër këmbë dhe unë nuk ndihesha e lirë që të shkruaja pa pasur frikë që të paragjykohesha". Mirëpo romani i parë i saj për të rritur ishte "Rruga për në Lichfield". Ai nuk u botua deri në vitin 1977. "Njëherazi me librat për fëmijë, unë shkruaja tregime për të rritur. Por kjo nuk erdhi menjëherë. M‘u desh që të bindesha se kisha vërtet diçka për t‘u thënë moshatarëve dhe të rriturve, sepse më në fund kisha kuptuar se si funksionojnë gjërat. Megjithatë, rrëfimi im për të rritur nuk ndryshonte shumë nga ai që isha mësuar të rrëfeja historitë me fantazma të të miturve. Kalimi nga një moshë te tjetra ishte si një kalim marshi nga i pari tek i treti, por jo ndryshim makine". Pas librit të parë për të rritur, ajo shkroi një vëllim me tregime, me të cilin fitoi dhe çmimin e parë si shkrimtare. Libri quhej "Sa më ka marrë malli për Samovarin". Më pas shkruan "Thesari i kohës", historia e një arkeologu, të cilit e shkuara i ndërthuret me të tashmen dhe të ardhmen. Këto libra dhe të tjerë që erdhën pas, si "Sipas Markut", "Tigri i Hënës" etj., u vendosën gjithmonë në kandidimet për çmimet më të rëndësishme letrare jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në vende të tjera. Një ndër librat më të bukur të autores është "Tigri i Hënës". Ajo është historia e një historianeje që në shtratin e vdekjes u rikthehet kujtimeve të së shkuarës dhe duke gërmuar i rikthehet marrëdhënies së dashurisë që kishte pasur me një oficer të ushtrisë britanike, kur ajo ishte gazetare në Egjipt. Për të shkruar këtë roman, ajo gërmoi në të shkuarën e saj, në vitet e fëmijërisë në Egjipt. "Claudia nuk jam unë, por si do të kisha dashur të isha. Mua më kanë pëlqyer gjithmonë gratë e drejtpërdrejta e të forta. Shumë interesant ishte edhe reagimi i lexuesve meshkuj. Disa prej tyre më thanë se personazhi im ishte gruaja që kishin kërkuar gjithë jetën". Për një kohë të gjatë ajo u konsiderua si një shkrimtare femër, pra që mbante këndvështrim femëror dhe preferohej më shumë nga femrat. "Është një epitet shumë i gabuar që m‘u vu dhe që ndodh me shumë shkrimtare femra. Është një lloj diskriminimi i botës mashkullore të letrave dhe është shumë e vështirë që kur të vihet një etiketim i tillë, të mundesh ta ndryshosh. Nuk e kuptoj se përse meshkujt kanë një këndvështrim të tillë, duke qenë se edhe ata janë pjesë e jetës së grave dhe pjesë e familjeve".

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Lively kaloi nga shkrimi i romaneve në shkrimin e kujtimeve. Në "Oleander, Jacaranda" ajo flet për marrëdhëniet që kanë brenda njeriut kujtimet e fëmijërisë me kujtimet e viteve të mëvonshme në jetë. Ndërsa në "Shtëpia pa çelës" ajo analizon lidhjen mes historisë personale të familjes së saj dhe ngjarjeve që ndodhën në botë, pra bën një paralelizëm nga i cili del se sa të pashmangshme janë në jetët tona ngjarjet që ndodhin përreth, kryesisht ngjarjet e mëdha si luftërat. Përpjekja më ambicioze e saj është "Ringritja". Edhe në këtë libër ajo flet për historinë e saj personale, në pozicionin

e një arkeologeje, e cila në vend që të gërmojë rrënojat e së shkuarës, "gërmon rrënojat" e jetës së saj. "Rikthimin në kohë e kam pasur gjithmonë shumë qejf dhe është një rikthim që sa herë që e kam bërë, për sa i përket të shkuarës sime, më ka falur kënaqësi dhe materiale të reja. Por që të shohësh në të shkuarën është si të shohësh nga maja e një kodre. Nuk mund të shohësh poshtë pa u ngjitur lart, pra duhet që të kesh një moshë dhe përvojë të caktuar". Pavarësisht se ka pasur probleme me shëndetin vitet e fundit, Lively vazhdon që të shkruajë. "Vazhdoj dhe e kam ritualin e përditshëm, siç kam larjen dhe ushqimin. Më kujtohet të kem lexuar një intervistë që dha shkrimtarja e famshme, Iris Murdoch, në të cilën e pyetën se sa kohë i jepte vetes për të pushuar nga mbarimi i një libri e për të filluar shkrimin e librit tjetër. Përgjigjja e saj ishte "gjysmë ore pushim". Unë nuk jam si Iris. Për mua ka gjithmonë një interval kohe, i domosdoshëm për të më shkëputur nga një rrëfim, për të akumuluar e për t‘iu zhytur punës për rrëfimin tjetër. Para se të shkruaja librin e fundit, kam kaluar 2 vjet. Ndoshta ky nuk do të jetë i fundit, sepse unë kam ende gjëra për të thënë. Madje kam një ide që po e sjell e përcjell dhe shpresoj të më japë Zoti jetë e shëndet për t‘ua rrëfyer".

Ka thënë mbi kohën

"Kronologjia më acaron. Në kokën time nuk ka kronologji. Unë jam e përbërë nga një pafundësi vetesh që mblidhen e zhbëhen, që shfaqen e ikin si të ishin flluska sapuni. Nuk ka gjëra që përsëriten. Gjithçka ndodh vetëm një herë të vetme. Nuk ka gjëra që ndodhin sepse para tyre kanë ndodhur disa të tjera. Jo, ato ndodhin sepse rasti e do një gjë të tillë, e kësisoj edhe mund të mos kishin ndodhur. Të gjithë kemi një thes me kujtime personale dhe një tjetër me kujtime kolektive. Këto të fundit nuk janë pronë personale, por në koka të ndryshme marrin forma të ndryshme. Çdo gjë është unike"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›