E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Gjykatat e Kosovës janë nën presion

Misioni europian për drejtësi dhe polici, EULEX, thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është "i brishtë dhe nën presion e kërcënime nga palë të ndryshme". Një raport i EULEX-it për gjashtë muajt e parë të punës së misionit për drejtësi e siguri vlerëson se sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur dhe se "ndodhet nën presion politik e kriminal".

Zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, tha se shqetësimet kryesore janë përqendruar në sistemin e drejtësisë dhe në presionet e kërcënimet me të cilat po përballen gjykatësit. "Kjo është një shoqëri e vogël dhe natyrisht ka presione politike dhe të tjera, dhe kjo është e natyrshme", tha zoti Reeve. "Kemi shfaqur shqetësimet për dobësitë dhe presionet e kërcënimet me të cilat janë të rrethuar gjykatësit", tha ai, duke bërë publik raportin e EULEX-it para gazetarëve. "Ajo që po provojmë të bëjmë është që të gjejmë një sistem të strukturuar që të paktën ju jep atyre një pavarësi dhe autonomi më të madhe për të bërë punën e tyre", shtoi ai.

EULEX bën në raportin e tij rreth 70 rekomandime për fushën e rendit dhe të ligjit. "Na duhet punë e madhe për të kthyer besimin e qytetarëve në këto institucione", tha zoti Reeve. Raporti ka vlerësuar Shërbimin Policor të Kosovës dhe sistemin doganor si profesional, megjithëse për këtë të fundit ka kërkuar reformim për të arritur në rrugën e integrimeve europiane.

"Duhet të vendoset një strukturë menaxhuese e kufijve që nënkupton se doganat dhe policia kufitare duhet të punojnë në bashkëpunim më të ngushtë se sa po punojnë aktualisht", tha zoti Reeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›